Kur urrejtja tolerohet

Ngjarjet e të enjtes së përgjakshme të 27 Prillit 2017 do të mbesin gjatë në kujtesë. Shqetësimi i krijuar në ato ngjarje nuk preku vetëm deputetët e lënduar dhe gazetarët e traumatizuar, por edhe gjithë opinionin publik. Ato ngjarje që Prokuroria publike mundohet ti kualifikojë vetëm si pjesëmarje në turmë, janë shumë më tepët se kaq. Frika dhe pasiguria e gjerë që ato shkaktuan ka një emër dhe njihet si terrorizëm. Esenca e aktit terrorist është pikërisht kjo: shkaktimi i frikës së madhe dhe ndjenjës së pasigurisë tek një grup i gjerë njerëzish. Prandaj, Prokuroria e Zvërlevskit dhe e Geshkovskës, që aq lehtësisht ngre aktakuza për terrorizëm sa herë që ka shqiptarë të involvuar në krime, nuk do të kalojë aq lehtë e pa u diktuar me këtë tentativë që një vepër kaq të rendë penale ta karakterizojë thjeshtë si pjesëmarrje në turmë.

Pjesëmarja në turmë si kualifikim penal jepet në rastet kur kryersit janë të panjohur, kur protestat spontanisht janë bërë të dhunshme, dhe dëmi i shkaktuar nuk mund t’i ngarkohet një personi konkret. Por pjesëmarja në turmë nuk e konsumon dhe as që e mbulon tentativën për vrasje me paramendim që u bë ndaj Zijadin Selës, ndaj Zoran Zaevit dhe ndaj të tjerëve.

Të sulmosh dikë fizikisht në mënyrën si u sulmua Zijadin Sela nuk është thjesht dhe vetëm pjesëmarrje në turmë, por një vepër e menduar mirë, e planifikuar dhe e ekzekutuar me precizitet. Në incizimet që u publikuan shihet qartë se si dhunuesit me mllef të madh dhe me vështrim të çakërdisur i drejtohen Selës me thirrjet “shiptar” dhe me kërcënime të qarta për vrasje. Ajo që i ndodhi Selës ka emër dhe quhet linç. Mënyra si ai u sulmua nuk është një tentavë vrasje e zakonshme por një tentativë për vrasje mizore e kryer nga urrejtja për shkak të përkatësisë etnike të të sulmuarit, urrejtje e cila shiheshte qartazi në veprimet e sulmuesve. Ky është një krim serioz i cili dënohet me denim serioz (minimum 10 vjetë burg). Fakti që i njëjti është kryer nga urrejtja është rrethanë rënduese plotësuese e cila duhet marrë parasyshë gjatë dënimit.

Ajo që i ndodhi Zaevit poashtu nuk konsumohet me vepërn Pjesëmarrje në turmë. Të hedhësh ndaj dikujt gjëra të rënda si tripodet e kamerave dhe sende tjera të rënda prej metali, tregont qartë qëllimin për ta vrarë atë person. Dhuna e ushtruar ndaj Sheqerinskës poshtu kualifikohet si tentative për vrasje, me një element rëndues plotësues që e bën këtë vepër të jetë një shembull tipik i dhunës ndaj femrave, veprim i dënueshëm edhe ndërkombëtarisht.

Poashtu, fakti që shumica e të pranishmëve në sallën e shtypit flasin qartë që demonsturesit që kanë hyrë e kanë ditur shumë mire se ç’duhet të bëjnë dhe ndaj kujt. Informatat që tregojnë se deputetë të VMRO-së i kanë hapur dyert për turmën që ka hyrë brenda, dhe më pas, Tarçulovski i ka udhëzuar ata për tek salla e shtypit duhen marrë shumë seriozisht sepse këto veprime janë vendimtare për kryerjen e veprave që ndodhën në atë sallë. Askush nuk guxon të shpëtojë nga përgjegjësia për këto vepra kaq të rënda të cilat tronditën në thelb funksionimin e mundshëm të demokracisë në këtë vend. Nuk eksiston imunitet që i mbron deputetët nga ndjekja për bashkëkryerje në tentative për vrasje me paramendim, për tradhëti të lartë dhe për terrorizëm, veçanërisht kur të njejtit janë kapur në flagrancë!

Dhe kur jemi te demokracia, duhet pasur parasyshë që e gjithë kjo në fakt paraqet pengim të dhunshëm të një procesi tërësisht demokratik ku shumica parlamentare zgjodhi kryeparlamentarin e ri. Pra ishte pengim i dhunshëm i një akti tërësiht normal i cili është paraparë me rrendin juridiko-kushtetues të këtij vendi. Tentativa për ndryshim të rrendit kushtetues të vendit përmes veprimeve të dhunshme poashtu ka emër dhe në Kodin Penal njihet si Tradhëti e lartë (neni 305) dhe dënohet me së paku 5 vjet burg.

Sidoqoftë, emëruesi i përbashkët i të gjitha krimeve të bëra atë ditë në Kuvend është pikërisht terrorizmi i shfaqur përmes veprimeve të atyre që tash më mund të quhen terroristë. Sa e çuditshme, epiteti me të cilin prokuroria publike e këtij vendi karakterizoi shumë shqiptarë në 20 vitet e fundit, duke përfshirë këtu ngjarjet e konfliktit të vitit 2001 dhe ato që pasuan pas tij, vrasjet në Liqenin e Smilkovës, ngjarjet e Kumanovës, dhe raste të tjera, tani paraqitet si epiteti më i përshtatshëm për të sqaruar atë që ndodhi të enjten e kaluar në mes të Kuvendit. Në teorinë bashkëkohore, çdo lëvizje dhe veprim i grupeve të organizuara, që për të arritur qëllimet e veta përdor dhunë, karakterizohet si ekstremizëm i dhunshëm dhe lidhet me terrorizmin dhe sulmet terroriste. Në qoftë se i lexoni ose dëgjoni dëshmitë e gazetarëve që ishin brenda Kuvendit atë ditë, nuk ju mbetet asnjë dyshim që të njejtit janë terrorizuar skajshmërisht dhe kanë fituar trauma të cilat nuk do të mund t’i kalojnë lehtë dhe shpejtë. Prandaj, tentativa që kjo të paraqitet si një vepër e përgjithshme e pjesëmarrjes në turmë, me fajtorë të papërcaktuar nuk është gjë tjetër pos hedhje hi syve. Problemet duhen thirrur me emrin e saktë, e jo të kamuflohen pas eufemizmave lehtësues e mbulues.

Ajo që ndodhi në Kuvend të enjten e kaluar nuk është thjesht një protestë e qetë që rastësisht dhe spontanisht u bë e dhunshme. Ato ngjarje paraqesin një sërë veprimesh mirë të organizuara dhe të ekzekutuara të cilat kanë pasur pasoja të rënda jo vetëm për viktimat direkte, por për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe për rrendin juridiko-kushtetues të vendit.

Poashtu, ato ngjarje nuk kanë ndodhur për një moment dhe vetëvetiu. Ato paraqesin rezultat të nxitjes që Gruevski, Ivanov dhe të tjerë përmes mbjelljes dhe përhapjes së urrejtjes e bënë me muaj të tërë. Nuk është asgjë e rastit që Kodi Penal i RM dënon gjuhën e urrejtjes. Poashtu nuk është e rastit që i njëjti parasheh dënime më të rënda për krimet kur ato kryehen nga urrejtja. Sepse urrejtja është gjë e rrezikshme dhe nuk guxon të nxitet e të kultivohet. Sepse urrejtja sjell situata të tilla ku probleme të mëdha shkaktohen lehtazi dhe ç’është më e keqja, të njejtat keqpërdoren për të kryer e më pas për të mbuluar vepra shumë më të rënda penale se ato që duken në shikim të parë.

Prandaj, çdo vepër penale e kryer nga urrejtja nuk guxon të mbesë pa u identifikuar si e tillë, pa u ndjekur dhe gjykuar dhe në fund pa u dënuar në mënyrë adekuate dhe efektive. Urrejtja e cila nuk dënohet stimulon akte të reja të urrejtjes, sepse kryersit e veprave penale të urrejtjes që nuk dënohen për aktet e tyre ose dënohen më lehtë se që e meritojnë, marrin krahë nga kjo qasje, dhe në të ardhmen kryejnë krime ende më të rënda, nga ato që dënohen ndërkombëtarisht. Krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidi, nuk ndodhin brenda natës dhe rastësisht. Që të vihet deri tek ajo faze duhet të ketë kaluar një kohë e gjatë ku urrejta brenda një shoqërie është toleruar dhe nuk është ndjekur në mënyrë efikase.

Fakti që Prokuroria Publike mundohet që gjithë atë që ndodhi të enjten e kaluar ta paraqesë vetëm si pjesëmarje në turmë dhe ta ndjekë si të tillë tregon qartë mosgatishmërinë e këtij institucioni për t’u përballur me krimet e urrejtjes dhe me pasojat e tyre.

Por veprimi i Prokurorisë Publike tregon edhe diçka tjetër. Ai tregon qartazi mënyrën mafioze të qeverisjes së Gruevskit. Dhunë të ngjashme, megjithëse jo në këtë përmasë, kemi parë edhe më herët, gjatë ngjarjeve para komunës Qendër. Personat që u identifikuan si dhunues në atë kohë asnjëherë nuk u përgjigjën për krimet e tyre. Ndërsa PSP udhëheq rast ku pikërisht Gruevski akuzohet si porositës i atyre ngjarjeve të dhunshme. Prokuroria Publike nuk ndoqi askënd për dhunën e atëhershme, ndërsa për ngjarjet e tanishme kërkon që t’i shpëtojë kryersit me përgjegjësinë më të lehtë të mundshme. Kështu veprojnë institucionet shtetërore në një shtet mafioz, ku pjesëtarët e organizatave kriminale e anashkalojnë ligjin duke mos u dënuar për krimet e tyre ose duke u dënuar vetëm simbolikisht.

Është koha që t’i jepet fund mënyrës së tillë mafioze të funksionimit të shtetit. Poashtu, është koha t’i jepet fund praktikës së mosndjekjes së veprave penale të kryera nga urrejtja. Në një shoqëri multietnike, nuk ka vend për tolerancë institucionale ndaj urrejtjes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button