“Institucioni i ndërgjegjësimit”

Eren Ali

Shoqëritë njerëzore arritën deri këtu ku jemi sot, falë vetëdijes që patën për të krjiuar normë.  Norma është produkt i vetëdijes njerëzore, e cila ndikon në rregullimin e sjelljeve të njerëzve në shoqëri. Zgjidhja për të krijuar normë, e cila ti zgjidh problemet sociale, burim e ka diturinë.

Besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm se nxënia e diturisë është njëra ndër problemet kryesore tek të rinjtë sot. E  kanë të vështirë të percaktojnë mësues për rrugën e jetës.

Sakaq, problemi nuk qëndron tek institucionet shtetërore, por tek ne. Ne që nuk ndërmarrim veprim për zgjidhjen e problemit, por vetëm se i ndihmojmë duke dhënë komente të cilat as nuk shërbejnë për ndërgjegjësimin e individit as si zgjidhje për shoqërinë. Përgjegjësia për diturinë na shpie automatikisht në krijimin e normave, të cilat dhe do të prodhojnë zgjidhje. Pjetër Bogdani në një thënie të tij thotë: “Populli nuk do te pësojë duke qenë i ditur.”

Institucioni i ndërgjegjësimit është një institucion abstrakt brenda qenies tonë, i cili kërkon një status të mirëformuar si  janë: parimet, kompetencat dhe integriteti. Brenda këtyre normave ne do të shohim se sa kemi mundësi t’i kontribuojmë vetes sonë, e pastaj ne të jemi produkt shoqëror i një sistemi të suksesshëm.

Duke e shikuar ndërgjegjen si një institucion, nga i cili varet shoqëria jonë, si dhe shteti jonë, ne do të arrijmë ta avancojmë atë, sepse individi përbën shoqërinë, ndërsa shoqëria ka ndikim të pakontestueshëm në personalitetin dhe mendësinë e individit. Duke poseduar një shtet konform normave dhe rregullave, të cilat i kërkon shoqëria e mirëfilltë, do të jemi në paqe dhe me ligjet hyjnore, të cilat jo pak kanë rëndësi në jetën tonë.

Çdo revolucion shoqëror është bërë vetëm atëherë kur populli qe i vetëdijësuar për të keqen që e kanë ushtruar njerëzit, të cilët e kanë shfrytëzuar popullin për përmbushjen e interesave të tyre personale, që ne sot i njohim si politikanë.

Vetëm ndergjegjja është ajo, e cila rrëzoi perandori, përmbysi pushtete diktatoriale me dekada, e çkemi ne që nuk mund të drejtojmë gishtin kah e keqja që na ushtrohet.

Vetëm atëherë kur populli do ta sheh veten si bari i deleve dhe jo si dele të një bariu, do të ketë familje të shëndosha, siguria e të cilave do te jetë norma.

Një histori thotë kështu: Tek populli i një monarku, që ishte sundimtar i drejt e vigjilent, një plakë dashakeqe bëri magji tek burimi i ujit. Magjia ishte për t’i bërë të çmendur dhe pas pirjes se ujit të gjithë u çmendën, përpos monarkut. Populli nga ndikimi i magjisë u ngrit në revolucion kundër monarkut të drejtë. Ndërsa ai për ndëshkim zgjodhi të pijë ujë po nga i njejti burim dhe u çmend. Kështu revolucioni u shua, dhe jeta vazhdoi si më parë.

Neve, që po na mbyt përçarja për shkaqe ideologjike, e filozofike, mos vallë Zoti na kufizoi të “pimë ujë vetem nga një burim” !?  Kur nuk kemi as fakte as njohuri për cilësinë e ujit që po e pimë, si mund të jemi fanatikë e të pretendojmë se kemi “burimin më të mirë”!?

Mungesa e institucioneve shpirtërore çon në degradimin e institucioneve shtetërore. Paqja me veten dhe shoqërinë do të vijë vetëm atëherë kur do të ndjejmë pergjegjësi për institucionin.

Ta ngrisim veten tonë, familjen e shoqërinë tonë. Institucioni jemi ne dhe vetëm ne.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP