Ja çfarë thonë partitë për ftesën e Ivanovit për takim liderësh

Pas kaosit të mbrëmshëm ku u sulmuan të zgjedhurit legjitim të popullit në Kuvendin e Maqedonisë, nga protestuesit e të ashtuquajturës iniciativë qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” e cila udhëhiqet nga njerëz të eksponuar të VMRO-DPMNE-së, partitë e shumicës parlamentare si duket do t’i thonë “JO” takimit me bashkëpartiakun e Nikolla Gruevskit, presidentin Gjorge Ivanov, i cili mbrëmë në një konferencë për shtyp kërkoi që “të ulen gjakërat dhe liderët e partive të ulen në tavolinë për tejkalimin e krizës”, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk, jo-zyrtarisht mëson se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk do të merr pjesë në takimin e thirrur nga Ivanov.

“Jo nuk do të merr pjesë. Tani është i lënduar, por edhe nëse do të ishte në gjendje të mirë nuk do të merrte pjesë”, thonë burimet partiake.

Nënkryetari i LR-PDSH-së, Agon Ferati, për Portalb thotë se lideri i LR-PDSH-së, nuk do të merr pjesë në këtë takim, pasi Ivanov nuk është legjitim për të ftuar takim liderësh.

“Ivanovi nuk është legjitim për të ftuar takim liderësh. Ai duhet të mendojë për dorëheqje sepse është një nga shkaktarët kryesor të ngjarjeve të mbrëmshme në Parlament”!

Nga Lëvizja BESA, nuk kanë përgjigje konkrete, në lidhje me takimin pasi që presin të koordinohen edhe me partitë tjera dhe se do të dalin me kumtesë zyrtare.

“Presim koordinim me partitë tjera, pastaj do të kemi edhe kumtesë zyrtare për këtë çështje”, tha deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqiria Ibrahimi.

As nga BDI nuk ka përgjigje përftesën e Ivanovin për takim liderësh, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, nuk është deklaruar për Portalb, ndërkaq nënkryetari Rafis Aliti, deklaroi se “nuk ka informata se a do të merr pjesë kryetari Ali Ahmeti në atë takim”.

Në lidhje me atë se mbrëmë ka pasur takim të përfaqësuesve të lartë të BDI-së në Reçicë të Vogël, Aliti tha se nuk ka qenë “ndonjë mbledhje”, por se vetëm se janë takuar për koordinim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button