Ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë, ka reaguar MPJ-ja e Shqipërisë

Në lidhje me ngjarjet në Kuvendit të Maqedonisë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Ditmir Bushati, njofton Portalb.mk.

“Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni:

Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve.

Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.

Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Bushatit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button