Frika nuk është opsion!

Porositë që vinë nga të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Maqedonisë janë më se të qarta: Shumica parlamentare e krijuar me zgjedhjet e fundit duhet domosdoshmërisht të funksionojë dhe të marë në dorë qeversijen e shtetit. Këtë porosi e dha disa here radhazi Bashkimi Evropian, së pari përmes zonjës Mogerini, e pastaj edhe përmes delegacionit Han, Kukan, Vajgel dhe Flekenshtajn. Në të njëjtin ton ishte edhe porosia e Karl Bildt e dhënë javën e kaluar. Këtë porosi e qartësoi edhe Departamenti i Shtetit Amerikan, duke përcaktuar që funksionarët që tentojnë të pengojnë zhvillimet demokratike, sundimin e së drejtës dhe transferrin e qetë të pushtetit do të përballen me përgjegjësi për veprimet e tyre. Këtë porosi pritet të përcjellë edhe Hojt Ji në vizitën e tij të ardhshme në Maqedoni. Kësaj rradhe, bashkësia ndërkombëtare është më se e koordinuar dhe e akorduar në qëndrimet e saj të cilat i përsërit me muaj, pa asnjë ndryshim. Por a ka kush i dëgjon?!

Në ndërkohë në vend vazhdojnë protestat për Maqedoni të përbashkët për të gjithë ata që duan të jetojnë në një Maqedoni etnikisht të pastër. Ivanov edhe më tej rrefuzon të japë mandatin shumicës parlamentare, dhe në vend të kësaj merret me organizim të mbrojtjes syreale nga një rrezik imagjinar duke penguar në mënyrë reale vendosjen e drejtësisë për krimet konkrete që janë bërë e të cilat i dëgjuam me veshët tanë. VMRO-DPMNE dhe Gruevski kërkojnë negociata të reja lidhur me zgjidhjen e krizës të cilën ata nuk duan ta zgjidhin – ata nuk duan zgjidhje të krizës por duan amnesti për majen e partisë së tyre! Në mënyrë që kjo të ndodhë, ata kanë angazhuar kuadrot e tyre në të gjitha gjykatat relevante, duke përfshirë këtu edhe Gjykatën Supreme, dhe kryetarin e saj të sapozgjedhur për herë të dytë (bashkë me votat e shumicës Badenter), i cili i bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për të pamundësuar punën e mëtejshme të PSP. Në gjithë këtë histori, Ivanov ngjan se përgatitet të shpallë gjendje lufte, të arrestojë mbi 400 “puçistë” (lexo “njerëz me mendim të ndryshëm nga ai i VMRO-DPMNE”) për të “mbrojtur” vendin nga “agresori i jashtëm” (lexo “nga shqiptarët”). E gjithë kjo për të mbuluar kriminalitetin e thjeshtë, të dukshëm, të dëshmueshëm dhe të dënueshëm të dikujt!

Në gjithë këtë tollovi shumica parlamentare ka ende dilemat e saja. LSDM ka dilema se kur pikërisht duhet të veprojë, BDI ka dilema se çfarë tamam duhet të bëjë, të vazhdojë ti ndihmojë VMRO-DPMNE-së me aq sa mundet, si p.sh me zgjedhjen e Vangelovskit për kryetar ose me iniciativën deri tek Gjykata Kushtetuese për vazhdimin e mandatit të kryebashkiakëve, apo të bëjë tërheqjen shumëpritur taktike. BESA ka dilemat e veta lidhur me përkrahjen e kryeparlamentarit të propozuar, si dhe me përkrahjen e qeverisë për çka akoma nuk e kanë ndarë mendjen. ALEANCA i ka dilemat e veta lidhur me Platformën. Dhe normalisht, kur i sheh këto pasiguri të dukshme dhe të theksuara, VMRO-DPMNE gjithnjë e më sigurtë hapëron përpara në kauzën e saj.

Një gjë duhet thënë në këtë drejtim: Kur dëshirohet të bëhet ndryshimi, frika asnjëherë nuk është opsioni që fiton. Është më se e dukshme që VMRO-DPMNE me ndikimin që ende e ka në shtetin e zaptuar nga maja e saj, e përdor pikërishit frikën dhe kërcënimin për të realizuar qëllimet e saj të cilat janë: negociata lidhur me sigurimin e amnistisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Pse është e rrezikshme të pranohen kushtet e bishës së plagosur? Sepse këto kushte e kthejnë të njëjtën në lojë pasi një herë ka dalë që aty. E kthejnë duke e shëruar dhe duke e bërë më të fuqishme se kurrë. Sepse e dimë të gjithë se ajo që nuk të vret të bën më të fuqishëm.

Në qoftë se shumica parlamentare nuk arrin të konsolidohet dhe të funksionojë, duke e zgjedhur së pari kryeparlamentarin dhe së dyti qeverinë, e cila do të pranohet nga ana e ndërkombëtarëve, atëherë i gjithë procesi i transferit demokratik të pushtetit do të shkatërohet një herë e përgjithëmonë. Zgjedhjet e reja nuk do sjellin ndonjë ndryshim të madh në numrin e votave dhe sërish do e kemi një situatë të ngjashme me këto mundësi të tashme të koalicionimit. Po qe se i lejohet VMRO-DPMNEsë që me presione kriminale dhe me dhunë e me forcë, duke shkelur paturpësisht kushtetutën e vendit dhe të gjitha parimet demokratike, duke bërë shantazhe nacionaliste të cilat edhe vet e dinë mirë se nuk shkojnë përtej blofeve, dhe duke kryer një sërë veprash penale kundër shtetit në mënyrë të hapur, të papenguar dhe të pandjekur, të mos keni dyshim se ajo këtë do e përsërisë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme, sa herë që rezultati nuk do i konvenojë, deri sa të arrijë në momentin e shpalljes së diktaturës së plotë dhe të hapur të organizatës mafioze që e dhunon momentalisht vullnetin dhe sovranitetin e 700.000 votuesve në këtë shtet. Nëse VMRO-DPMNE arrin ta realizojë këtë gjë, ky është fundi i çdo mundësie të vendosjes së demokrcisë në këtë vend. Nëse BDI ose BESA ose të dyja, ose cilado parti tjetër shqiptare, vendosin që edhe më tej ta ndihmojnë VMROnë në këtë drejtim, ato janë bashkëkryerëse në këtë grushtet definitiv dhe të pakthyeshëm për vendin.

Frika nga shantazhet dhe kërcënimet nuk ka zgjedhur asnjë problem deri më tani. Frika për t’u ballafaquar me kërcënuesin kriminel, nuk e ka bërë asnjëherë më pak të rrezikshëm kriminelin. Në botë shihet qartë dallimi mes shteteve që janë ballafaquar me krimin dhe e kanë ndëshkuar të njëjtin dhe atyre që gjithmonë janë frikësuar nga krimi dhe e kanë toleruar të njëjtin. Tolerimi i kriminalitetit nuk e bën atë të zhduket e as të zvogëlohet, përkundrazi e stimulon, deri në momentin kur ballafaqimi i plotë me të bëhet esencialisht i domosdoshëm. Ky moment ka kohë që ka ardhur në Maqedoni.

Frika nuk është opsion. Për shqiptarët e këtij vendi asnjëherë nuk ka qenë. Është e turpshme që ndaj një mafiozi që kërkon të bëhet diktator shqiptarët të tregojnë frikë, respekt dhe përkrahje. Kjo është e pafalshme dhe nuk ka asnjë arsyetim. Sepse frika asnjëherë nuk sjell asgjë të mirë për frikacakun. Sepse të gjitha gjërat e mira në këtë jetë, janë një hap përtej frikës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button