Si mund të shpëtojnë komunat nga bllokada? Ekziston vetëm një mundësi

Më 14 maj të 2017-s skadon afati i kryetarëve dhe këshillave komunal gjë që e cila me automatizëm u merr të njëjtëve kompetencat. Kryetari i Kuvendit (i cili është i vetmi që mund të caktojë zgjedhjet komunale) ende nuk është zgjedhur kurse që të mund të mbaheshin zgjedhjet para 15 majit do të duhej që deri më sot të kishim datë të caktuar, por sipas ekspertëve juridik, Naser Zyberi dhe Mersim Maksuti, mundësia e vetme dhe e fundit e mbrojtjes së komunave nga bllokada kuvendore është që më së fundi deri më 10 maj të mund të zgjedhet kryetari i Kuvendit e që i njëjti të ndryshojë ligjin për zgjedhjet vetëqeverisje lokale dhe Kodin Zgjedhor që të njëjtëve t’ju zgjatet mandati për 6 muaj, shkruan Portalb.mk.

 “Me procedurë të shkurtër do të mund të shpëtonin komunat vetëm nëse ndryshohet ligji i zgjedhjeve lokale e kjo do të bëhej nëse do të zgjidhej fillimisht kryetari i Kuvendit. Më së voni deri më 10 maj Kuvendi i Maqedonisë duhet të ketë kryetar që më pas kjo Qeveri ekzistuese të propozojë me procedurë të shkurtër ndryshimin e ligjit për zgjedhjet lokale”, tha Zyberi.

Zgjatja e mandatit të kryetarëve dhe këshillave komunal zgjatet vetëm nëpërmjet ndryshimit të ligjit në Kuvend

Edhe pse ministrja e Vetëqeverisjes Lokale para disa ditë dërgoi kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese që të zgjasë mandatin e kryetarëve dhe këshillave komunal, sipas ekspertit juridik Mersim Maksuti kjo është e pamundur ngaqë mandati i komunave mund të ndryshohet vetëm në Kuvend.

“Mandati i komunave mund të zgjatet vetëm me ligj nga Kuvendi, gjë që nënkupton qe as Gjykata Kushtetuese nëpërmjet vlerësimit të saj nuk mund ta bëj një gjë të tillë”, tha Maksuti.

Mandati i komunave mund të zgjatet për gjashtë muaj

Juridikisht ekziston mundësia që për afat të shkurt kohor të ndryshohet ligji dhe i njëjti të vihet menjëherë në funksion me çka do t’ju zgjatej mandati kryetarëve dhe këshillave komunal për gjashtë muaj.

Mirëpo për Naser Zyberin kjo nuk duhet nënkuptuar si zgjidhje efektive, por imponuese për parandalim të përkeqësimit të mëtutjeshëm të politikës administruese në Maqedoni.

“Kjo nuk duhet nënkuptuar si zgjidhje efektive, por si zgjedhje imponuese e rezultuar nga pamundësia që deri më sot të dihej data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, tha Zyberi.

Ndërsa Maksuti vlerëson se kjo vazhdimësi e mandatit prej kryetari do të mund të realizohej duke ushtruar vetëm kompetencat teknike të domosdoshme të komunës.

“Kryetarët aktual të komunave do të mund të autorizonin ndonjë zyrtar nga komuna që maksimum 6 muaj të ushtronin funksionin e kryetarit të komunës duke ushtruar kompetencat teknike të domosdoshme të komunës deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Maksuti.

Ndryshe, mandatet e kryetarëve dhe këshillave komunal skadojnë deri më 14 maj sepse sipas zgjidhjeve aktuale ligjore, mandati i tyre zgjatë katër vite ndërsa zgjedhjet lokale duhet të mbahen në gjysmën e parë të muajit maj, ose me 7 ose me 14 maj. Por, meqë Kuvendi i Maqedonisë ende nuk ka kryetar të saj, e që e njëjta ka penguar edhe caktimin e zgjedhjeve lokale bëri që të skadojë afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale.

Ndërsa sot kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se mbajtja e zgjedhjeve lokale tani varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deri ku është dorëzuar nismë për prolongimin e afatit të kompetencave të kryetarëve, nëse nuk ka vendim për shpalljen e zgjedhjeve lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button