Turqia thirrje komunitetit ndërkombëtar lidhur me Jemeni

Zëvendëskryeministri i Turqisë Veysi Kaynak i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndërmarrjen e hapave të menjëhershme në lidhje me krizën në Jemen, duke thënë se nuk duhet humbur kohë me fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në “Konferencën e Lartë për Ndihmë lidhur me Krizën Humanitare në Jemen” të organizuar në zyrën e OKB-së në Gjenevë të Zvicrës, Kaynak paralajmëroi se 500 mijë fëmijë do të përballen me vdekjen nëse nuk ndërmerren hapat e nevojshëm në Jemen.

“Dëshirë e Turqisë është që të ndalet gjakderdhja në shtetin mik dhe vëllazëror, Jemen, dhe njerëzit sa më parë të kenë qasje në ndihmat që i meritojnë”, theksoi Kaynak në adresimin para të pranishmëve në konferencë.

Ai vuri në dukje se afër 80 për qind e popullatës së Jemenit kanë nevojë për ndihma humanitare, duke shtuar se qytetet dhe trashëgimia historike në vend janë shkatërruar dhe se kjo gjendje krijon mjedis të volitshëm për organizatat terroriste.

Zv/kryeministri turk më tej ka paralajmëruar se nëse bota nuk reagon për krizën në Jemen, atëherë mund të jetë shumë vonë.

“Nëse ne nuk arrijmë ta shuajmë zjarrin atje, atëherë mund të jetë shumë vonë. Ky zjarr fillimisht mund të kërcënojë Jemenin, e më pas rajonin dhe më në fund edhe tërë botën e civilizuar. Ejani e të mos humbim më kohë me fjalë. Ta vendosim Jemenin në vendin e merituar në komunitetin ndërkombëtar dhe në një nivel në përputhje me rëndësinë e historisë së tij”, tha Kaynak.

Ai theksoi se mosbesimi mes shteteve dhe mosmarrja e vendimeve brenda komunitetit ndërkombëtar madje lidhur me çështjet më jetike, tregon se sa e drejtë është shprehja e presidentit Erdoğan kur thotë se “Bota është më e madhe se pesë”.

Kaynak vuri në pah se Turqia është një nga shtetet me bujare në botë, me 3,2 miliardë dollarë ndihma humanitare urgjente të ofruara sipas të dhënave të vitit 2015, dhe rritje të kësaj shifre në 5,8 miliardë dollarë në vitin 2016.

Ai tha se Turqia nuk e ka ndalur ndihmën për Jemenin që nga viti 2012 përmes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Agjencisë për Menaxhimin e Katastrofave dhe Gjendjeve Emergjente (AFAD) dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke, duke theksuar se zotimi prej 100 milionë dollarësh para luftës është realizuar në projekte.

Në fillim të muajit të ardhshëm, siç njoftoi Kaynak, Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të dërgojë në Jemen ndihma humanitare në sasi prej dhjetë tonësh dhe do të ndërtojë dy spitale.

Kaynak po ashtu u zotua për ndihmë prej 1 milionë dollarësh për Jemenin, krahas ndihmave humanitare.

“Përveç barnave, ushqimeve dhe ndihmave humanitare, dua të zotohem për ndihmë prej 1 milionë dollarësh për këtë konferencë”, tha Kaynak.

Ndryshe, në konferencë marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, zv/sekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështje humanitare dhe koordinatori i gjendjeve emergjente, Stephen O’Brien, kryeministri i Jemenit, Ahmed bin Dagr, ministri i Jashtëm i Zvicrës, Didier Burkhalter, ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallström, dhe ministra nga dhjetra shtete.

Pas konferencës, pritet që sekretari i përgjithshëm Guterres të mbajë konferencë për media.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button