A është Jankullovska ministër konsensual?

Presidenti konsensual? Një definicion i pasqaruar nga goja e atyre që e përmendën, që la hapsirë interpretimi sipas terkut të çdo kujt. Ata që e shpikën e bënë si një figurë që besa do t’na kishte lakminë edhe Suedia dhe vendet më demokratike të botës. Ky epitet i mungoi presidentit të deritanishëm, Gjorgje Ivanov të cilin në vitin 2009 e zgjodhën pikërisht këta që sot e “shajnë”. Nuk i ka dashur shqiptarët, nuk e ka dashur Marëveshjen e Ohrit, nuk i respektoi shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, nuk e rriti përfaqësimin e shqiptarëve në presidencë. E saktë, nuk e luan topi, por a është ky i vetmi person që u soll kështu gjatë 5 viteve të kaluara? 

Në Qeverinë aktuale kemi një ministre të punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, e cila i mbijetoi edhe votëbesimit në Parlament. Le ta shohim një herë çfarë bëri ajo në 5 vitet e fundit (në të njëjtën periudhë me Ivanovin) dhe a ishte ajo një ministër konsensual, ashtu siç po e kërkojmë ta kemi presidentin.

Nëse Ivanovi diskriminonte shqiptarët në presidencë, le të shohim sa ishte përfaqësimi i shqiptarëve në hierarkinë drejtuese të MPB-së, njësiteve speciale dhe stafin civil të kabinetit të Jankullovskës. Diku zero dhe në gishta, shqiptarët ishin specie e rallë në policinë e vendit, për të mos thënë specie në zhdukje duke patur parasyshë ngritjet e vazhdueshme të kuadrove maqedonas përderisa asnjë shqiptarët nuk po ngritet në asnjë nivel. Eh sikur shqiptarët të vuanin vetëm nga diskriminimi i kësaj ministre. Për dallim nga Ivanovi, Jankullovska është në krye të një ministrie e cila ka mbushur burgjet e Maqedonisë me mbi 90 % me shqiptarë. Kjo ministre mbahet mend për aksionet e shumta, arrestimet, bastisjet dhe zvarritjet e shqiptarëve, vëllezërve, motrave dhe nënave shqiptare. “Monstras”, një njollë e madhe që e bën Jankullovskën edhe më Ivanov se vetë Ivanovi. Mos harojmë se pikërisht kjo ministre ishte në krye të policisë së vendit kur u vra dhe Harun Aliu, një nga themeluesit dhe drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. 

Dhe sot, njëjtë si Gjorgje Ivanov i cili garon për president edhe Gordana Jankullovska garon për deputete edhe atë si bartëse e listës në njësinë numër dy, apo thënë më qartë, në vendin e krimit, aty ku arrestoi, burgosi, malltretoi dhe vrau më shumë shqiptarë, në Shkup dhe Kumanovë.

Bojkoti i Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet presidenciale u realizua në atë mënyrë që kjo parti jo vetëm që nuk mbështeti kandidaturën e Ivanovit, por nuk nxori as kandidatin e saj dhe shkoi më tej duke mos mbështetur as kandidatin e vetëm shqiptarë, Iljaz Halimin. 
Përse BDI dhe kryetari i saj, Ali Ahmeti, nuk vepron njëjtë edhe me Gordana Jankullovskën. Nëse kandidimi i një kandidati të BDI-së për president nënkuptonte legjitimin të Ivanovit, përse kjo nuk vlen për zgjedhjet parlamentare. Kandidimi i listës së BDI-së për deputet në njësinë e dytë zgjedhore a nuk është legjitimi i vetë Gordana Jankullovskës?

Përse BDI nuk pranoi një kandidat të garojë kundër Ivanovit dhe pranon që Rexhail Ismaili të garojë përballë Gordana Jankullovskës. I tham vetëm disa nga arsyet e shumta që Jankullovskën e bëjnë më antishqiptare se vetë Gjorgje Ivanovin, andaj me shumë të drejtë pyes BDI-në: Përse nuk i bojkotoni edhe zgjedhjet parlamentare ku garon edhe Gordana Jankullovska? Të “nderuar patriot”, mos vallë Gordana Jankullovska është ministri juaj konsensual?

Lajme të ngjashme

Back to top button