SHKARJE

Sheshi i Sarajit. “E lëkundi deri në pafundësi shtyllën e poçit të sheshit derisa sfera qelqore ia bëri ‘krraaau’, ra në tokë, u bë copë e grimë, kurse ky frymori, u bë rehat dhe iku.” Një rinist joni. Një grup tjetër, ditë tjetër: “Shkepnin e qitnin nga pllakat e gurit që mbulojnë betonin e përmendores së Isa Boletinit, i nxjerrin mënjanë, pa kurrfarë arsyeje, e prishnin estetikën që e kërkon çdo njeri me mend në kokë. S’ka disa muaj që janë vënë dhe që është inauguruar ky shesh.” (Pas disa javësh, një njeri i mirë, i ringjiti, i ktheu në vend.) Turnir në futboll te salla e sporteve: Të gjitha veturat të parkuara në shesh sikur të ishte mall i babës, pa menduar për hapësirën. E tash merrni dhe krahasoni “agorën” tonë me atë autentiken në Greqinë antike, si hapësirë publike e polisit, qendër e jetës publike, shpirtërore dhe politike. Rasti numër katër: “Ka drejtuar bythëprapë (falje!) kamionin kah lumi Treska dhe bëhet gati t’i zbrazë mbeturinat disa metërkubëshe që kush e di se ku i ka ngarkuar mbi bebzën e syve tanë, në një lum të kristaltë, mbi një shkurrë drunjsh dhe gjelbërim prehjedhënës”. Marr ta fotografoj me celular, më lutet… Amani mor! I lumi Zot! Ku e ke ndërgjegjen bre? A nuk të dhimbset natyra? Qoftë vetë, qoftë me urdhër të dikujt (të shefit), je duke bërë krim edhe ndaj tij edhe ndaj vetes, jo vetëm ndaj neve të tjerëve. Poçi, pllakat, makinat, lumi. Ministri ditëne planetit tokë uron, mjedisi vajton. Katër sekuenca nga realiteti jonë irracional dhe destruktiv që flet për nivelin tonë, për atë se ku jemi dhe nga po shkojmë. Ku do arrijmë veç një Zot e di.

E mërkurë. Katër ditë pas katastrofës së Matkës kur u shua një jetë rinore e kësaj bote, një shtatëmbëdhjetëvjeçar iku përgjithmonë si pasojë e një zënke rinore ende të pakthjelluar, sigurisht e një banaliteti që s’e shpjegon assesi epilogun e dhimbshëm. Celulari më tregon njërin prej miqve apo shokëve (ndonëse kjo fjalë sikur është bërë tabu ngase e ka përdorur komunizmi) dhe pa një pa dy, pas përshëndetjes, më thotë: “Profesor, çfarë mund të bëjmë se ky milet është përçartur totalisht? Duhet të ndërmarrim diç se shkuam kot. Në lokal ushqimor burri i botës nxjerr kallashnjikovin pa i bërë pët syri, aty ku kalojnë njerëz, gra, fëmijë të njomë që shkojnë në shkollë, dhe ia drejton tjetrit.” Dy ditë përpara, një intelektual i ri de aktivist më shkruan në FB “Prof. i nderuar! Duhet të bëjmë diçka për rininë në Saraj. Ta kthejmë kah libri, puna. …do na e shkatërrojë halá më shumë.” Këto janë shënime të tjera të këtyre ditëve të kaluara nga shoqëria jonë e trazuar, e dalë shinave, e shkarë. Fjala e fundit, të cilën e kemi përdorur si titull në këtë shkrim ka të bëjë me shkëputjen dhe rënien tatëpjetë, me humbjen e drejtpeshimit dhe rrëzimin, me daljen nga rruga dhe drejtimi. Pra jemi në gjendje të shkarjes, po biem, po e humbim drejtpeshimin, po dalim prej taktit të normales. Gjendja është amomike. Si të shpjegohet ndryshe ekzekutimi i pesëmbëdhjetëvjeçarit nga shtatëmbëdhjetëvjeçari para ndodhisë së përmendur më sipër (fshat-Tetovë)? Cilat janë shkaqet e vrasjeve – pyeti gazetari? Sociologjkisht, vrasjet rinore janë pasojë e një mjedisi ku mungon edukata, morali, etika, kultura; ku nuk funksionon familja, ku çalon shkolla, ku nuk janë shembull shkollarët, intelektualët, e hiç më pak politikanët, të cilët si liderë duhet të jenë pastirë të kopesë (lexo: populli), folur me shprehje nga tekstet religjioze. Si u bë arma mjet komunikimi mes nesh, në veçanti mes të rinjve? “Në saje” të popullarizimit të krismave gjithandej, darsma, synetime, gëzime familjare, në saje të defilimit edhe para fëmijëve të djepit me armë, sikur të ishin lojëra “Lego” e “Barby”. Nëse nuk kemi kujdes për psikologjinë do duhet të merremi me patologjinë, me kriminologjinë. Ç’të thuash për njerëzit që nuk kanë as bukë për shtëpi “as miell në magje” që bëhen gati e armatosen për gazmende me plumba e vegla për kushte luftarake? Si t’i shpjegosh zengjinët tanë që suksesin e dasmave e masin me numrin plumbave të harxhuar? Ç’të thuash për nipa prijësish tanë që i gjejmë në rrjetet sociale me pistoleta në dorë? A ka fjalë pas kampanjës zgjedhore që përfundoi në një restorant ky partiakët e “shtetarët” tanë i gëzoheshin (ose së paku heshtnin para) gjuajtjes  me armë nga dritarja kur u dëmtuan disa banesa, kur u traumatizuan familje? Ndër shkaqet e agresivitetit dhe violencës rinore mund të jenë edhe mosinteresimi, moskomunikimi me fëmijët tanë, marrja me “punë të mëdha”, mosledhatimi i tyre, mosfalja dashuri atyre. Aty ku nuk frymohet me dashuri vilet dhunshmëri. Tjetër? Interneti dhe industria flmike. Sa i kontrollojmë faqet e filmat që fëmijët tanë i shikojnë?

Kemi arritur t’i esencializojmë gjërat pa vlerë, antivlerat, marrinë, absurdin, t’i minimizojmë vlerat, t’i ekskomunikojmë të mirën, dashurinë, respektin, projeksionet mendore, operacionet intelektuale. Njerëzillëkun apo humanitetin e humanizmin i kemi vetëm në gjuhë. Fe sa të duash, për mburrje e pamje, tespihë në dorë, lutje dukjeje. Pa thelb e pa praktikë. Në varrim e ngushëllime te i pasuri e prindi i “politikanit me apolete e merita” i “repti e i shkepti”, elitarë, intelektualë, alimë e “koka e dijetarëve”. Te profesori i ‘enciklopedisë’, te i mjeri, te rastet si ky i Sarajit, s’kanë kohë, kanë agjendë të ngarkuar, janë në udhëtim zyrtar. Ej mileti im, mos flej! Dalloji gjërat, kujto pak se çfarë po bën, aksion. Ke parasysh Profetin: “Kush e sheh një të keqe le ta pengojë me dorë. Nëse s’mundet, me gojë. Nëse edhe këtë s’e bën, me zemër. Por ky është besimi më i dobët, ndoshta s’ke gjë prej tij”. Ç’na duhet? Shtëpi, jo vetëm me mure. Biznes jo vetëm për pare. Shkollë jo vetëm për diploma. Edukatë, jo vetëm sipërfaqësore. Kulturë jo vetëm për kamera, por me shembullorësi në komunitet. Fajet nuk i kanë as “tjetri” kombëtarisht e as fetarisht, as sistemi, as policia, as Europa, as Amerika, as osmanlliu, as turku, as TV-ja, as rrjetet sociale, as tradita. I kemi ne. Të gjithë. Nga unë. Që jemi bërë robër të ngathtësisë, të mediokritetit, pasivitetit, të heshtjes për hir të rehatisë së rrejshme. Sot qanë një nënë. Që të mos qajë një tjetër – duhet përveshje mëngësh. Mobilizim për të mirën dhe lumturinë kolektive.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button