Me zgjedhje të myftiut duhet nënkuptuar afrim me besimtarët dhe jo anasjelltas

Ndonëse fizikisht jam larg vendlindjes dhe Shkupit tim, asnjëherë nuk më mungon kujdesi, gëzimi por edhe shqetësimi për gjithçka që ndodh dhe lidhet me qytetin e Shkupit, kryeqendrën tonë.

Shqetësimi im i fundit për besimtarët mysliman në vendlindjen time është përfolja se pas pensionimit të myftiut të deritanishëm Rexhep ef. Jusufi, në krye të kësaj Myftinije do të vjen një personalitet i cili për shumë çka nuk përkon me interesat e besimtarëve mysliman atje.

Duke mos dashur të merrem me thashethemet që lidhen me te, pasi që konsideroj që etika ime e hoxhës nuk më lejon të merrem me gjëra të tilla, unë do të përqendrohem në disa elemente apo parime tjera që duhet të përkojnë me realitetin atje:

1. Udhëheqësit e BFI-së duhet të jenë të vetëdijshme që myftitë nuk duhet të zgjidhen me diktate nga askush jashtë këtij organi më të lartë fetar Islam.

2. Titulli Myfti i Shkupit, nënkupton një organi më i lartë fetar i këtij qyteti i cili duhet të jetë i pajisur me dituri të mjaftueshme fetare, por para se gjithash duhet të mos ketë asnjë njollë morale apo skandal në karrierën e tij deri në ditën e kandidimit të tij për këtë post të lartë fetar.

3. Myftiu i Shkupit duhet që në jetën e tij të deritanishme të ketë qenë në vazhdimësi me aktivitete fetare islame, i kujdesshëm dhe i lidhur me të gjithë besimtarët mysliman njësoj pa dallim prej përkatësisë së tyre kombëtare. Kjo duhet pasi që myftiu do të jetë në kontakt të pandashëm me besimtarët mysliman dhe hallet e tyre.

4. Myftiu i Shkupit duhet të ketë pjekurinë e nevojshme për të qenë i denjë drejt një përballimi shpirtëror me të gjitha nevojat fetare të këtij qyteti.

5. Myftiu i Shkupit duhet të ketë qenë në vazhdimësi pranë besimtarëve mysliman të Shkupit dhe të ketë qenë në rrjedha me të gjitha hallet dhe nevojat e tyre fetare dhe njerëzore.

6. Myftiu i Shkupit nuk duhet të ketë prapa vetes asnjë thashetheme apo dyshim nga e kaluara e tij, pasi që vendimi i tij fetar nuk do të kishte fare peshë te ata që edhe duhet të shkojnë këto vendime, te besimtarët musliman.

7. Myftiu i Shkupit nuk duhet që në të kaluarën të kishte shfaqur paragjykime diskriminuese dhe të kishte dhënë deklarata të pamatura që do të nxisnin përçarje në kuadër të dallimeve fetare që dominojnë në kuadër të besimtarëve mysliman në këtë qytet. Kjo pasi që me vet zgjedhjen e tij, me automatizëm ai do të kishte krijuar kundërshtarë grupe të caktuara të dallimeve fetare në kuadër të besimtarëve mysliman të qytetit dhe do të kishte qenë I papranueshëm për to.

8. Myftiu i Shkupit nuk duhet që në të kaluarën e tij të kishte dhënë deklarata që bien ndesh me parimet thelbësore Islame, apo të kishte përkrahur qëndrime islamofobe nga asnjë personalitet publik, qëndrime të cilat e dëmtojnë kredibilitetin fetar të besimtarëve mysliman në përgjithësi.

Këto janë parimet apo kriteret me të cilat duhet zgjedhur Myftiu i Shkupit tim (në esencë të gjithë myftitë duhet zgjedhur sipas këtyre kritereve) dhe shpresoj që udhëheqësit e BFI-së nuk do të gabojnë që në krye të Myftinisë së Shkupit të sjellin dikën i cili do ti kishte thyer të gjitha parimet e lartëpërmendura.

Në të kundërtën nëse rastësisht ndodh që të zgjedhet personi i cili edhe do t’i kishte thyer të gjitha këto parime, atëherë pasojat e një zgjedhje të tillë do të kishin qenë të pariparueshme jo vetëm për besimtarët mysliman të Shkupit, por edhe për udhëheqësit fetar të BFI-së.

Kjo zgjedhje (që shpresoj që s’do të ndodh fare) nuk do të kishte mundësuar zgjidhjen e halleve dhe afrimin e besimtarëve mysliman me Bashkësinë fetare Islame, por përkundrazi, do të kishte krijuar ftohje dhe largim të besimtarëve mysliman nga institucioni më i madh fetar Islam në vend dhe do ta kishte afirmuar apo promovuar islamofobinë edhe në kuadër të BFI-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button