Ndodhitë në Kuvendin e Maqedonisë, dy partitë më të mëdha përplasen para fillimit të seancës konstituive

Sot vazhdon seanca konstituive e 18 ku ende zhvillohet debati për pikën e tretë të rendit të ditës, formimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime për të kaluar më pas në pikën e katërt, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, shkruan Portalb.mk.

Por nga kumtesat e dërguara nga dy partitë më të mëdha parlamentare maqedonase u kuptua se përplasjet do të vazhdojnë edhe sot me çka paraqet sinjal se nuk do të kemi ndryshim të rendit të ditës.

Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e cila njëherit përbën shumicën parlamentare aktuale në Kuvendin e Maqedonisë, paralajmëruan se nëse edhe më tej deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë të mbajnë të bllokuar Kuvendin e Maqedonisë, duke pamundësuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do të ketë bllokim total të sistemit shtetëror.

“Për tre javë, nëse nuk zhbllokohet procesi demokratik qytetarët do të mbesin pa ndihmë sociale e cila ju takon me ligj! Individët e kategorisë sociale do të mbesin pa subvencione për hargjime komunale! Pa rrogë do të mbesin edhe punëtorët komunal në shkolla, çerdhe dhe qendra kulturore!”, thuhet ndër të tjerash nga LSDM.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE vazhdon ta akuzojë LSDM-në për Platformën Shqiptare duke u thirr në incidentet e mëhershme në Maqedoni por edhe në rastin e djeshëm në ndeshjen e futbollit ndërmjet KF “Shkupi” dhe KF “Vardar”.

“Pas heqjes së flamurit nga qendra në Kumanovë, dje në ndeshjen e futbollit ndërmjet KF “Shkupi” dhe KF “Vardar” në stadionin e Çairit u shfaq flamuri i Shqipërisë së madhe. Krimineli i aboluar Zoran Zaev vazhdon t’i mbrojë deklaratat kundërmaqedonase të Zijadin Selës, Edi Ramës, Hashim Thaçit, Ditmir Bushati dhe Mesila Doda”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Në pajtueshmëri të së dakorduarës, në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet të ketë gjashtë përfaqësues nga VMRO-DPMNE-ja dhe pesë nga LSDM-ja, ndërsa BDI-ja dhe BESA të kenë nga një anëtar.

Seanca konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të dhomës ligjdhënëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button