АNALIZË: Banjë falas për pensionistët – nën thjerrëzën e revizorit!

Projekti “Rekreacion klimatik në banjë për pensionistët” nën thjerrëzën e revizionit shtetëror. Ky projekt realizohet nga viti 2010 dhe është përfshirë në Planin strategjik të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Sipas të dhënave të revizionit shtetëror në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2015, gjithsej 32.960 pensionistë e kanë shfrytëzuar mundësinë për qëndrim falas në banjë në periudhë prej shtatë ditësh, gjegjësisht për shfrytëzim të gjashtë pansioneve, pjesa më e madhe e tyre në Banjën e Katllanovës, pastaj në banjën e Strumicës “Car Samoil”, në “banjat e Negorit” dhe në vendin e fundit sipas numrit të vizitorëve janë “Banjat e Dibrës”.

Në mes tjerash, në raportin e revizionit kushtuar efekteve të këtij projekti, thuhet se Komisioni për shqyrtimin dhe rangimin e shfrytëzuesve të pensionit për rekreacion klimatik në banjë, nuk e ka ruajtur në tërësi, më shumë se një vit, dokumentacionin e projektit, të pranuar, të krijuar dhe të dërguar në MPPS. Për vitin 2016, ministria disponon me dokumentacion e përmendur. Revizori konstaton disa fusha dhe rreziqe më të rëndësishme, duke e potencuar mungesën e ruajtjes së dokumentacionit të plotë në lidhje me rangimin e shfrytëzuesve të pensionit në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2016, mosrregullimin e çështjes së TVSH-së dhe taksës për qëndrim të përkohshëm, në kontratat e nënshkruara ndërmjet ministrisë dhe banjave, si dhe mungesën e të dhënave të nevojshme nga ana e MPPS-së për kushtet faktike të realizimit të projektit, vendosjen, ushqimin, shërbimet shëndetësore.

Çka zbuloi revizori

Njëri nga qëllimet kryesore të projektit është edhe përmirësimi i mbrojtjes shëndetësore të shfrytëzuesve të pensionit dhe mu nëpërmjet kontratave të nënshkruara ndërmjet Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe banjave është paraparë të jepen edhe shërbime të caktuara shëndetësore si terapia e banjës, kontrolli i detyrueshëm shëndetësor dhe mbrojtja specialiste konsultative dhe spitalore shëndetësore. Sipas revizorit, në disa banja është realizuar veprimtari shëndetësore, mirëpo megjithatë janë konstatuar paqartësi, edhe pse banjat që janë pjesë e projektit, kanë realizuar të ardhura prej dy burimeve – nëpërmjet Fondit për sigurim shëndetësor dhe nëpërmjet projektit. Kështu, revizioni shtetëror konstaton:

“Edhe përkundër evidencës interne të pensionistëve në banja, duke i analizuar faturat e banjave dhe përmbajtjen e listave të dorëzuara, revizioni konstaton se listat nuk përmbajnë informatë për shërbimet shëndetësore që janë shfrytëzuar nga ana e pensionistit dhe shoqëruesit të tij gjatë qëndrimit të tyre në banjë në kuadër të projektit. Mungesa e këtyre të dhënave nuk është në përputhje me kontratën e nënshkruar ndërmjet Ministrisë dhe banjës” – thuhet në raportin e revizionit dhe shton:

“Banjat i dërgojnë ministrisë fatura për shërbimet e realizuara në kuadër të projektit me përshkrim “rekreacion klimatik në banjë”, me çmim neto prej 990 denarësh, që është përcaktuar në kontratën e nënshkruar. Ky përshkrim në faturë do të thotë se në banjë kryhet shërbimi “rekreacion klimatik në banjë”, e jo edhe shërbim shëndetësor, edhe pse në kontratë është paraparë mundësia për shfrytëzimin edhe të shërbimeve shëndetësore”.

Monitoringun për realizimin e projektit e bën ministria përkatëse dhe për këtë e informon qeverinë një herë në muaj.

“Gjendjet e konstatuara tregojnë se MPPS-ja nuk ka bërë mbikëqyrje dhe monitoring në mënyrën e paraparë në dispozitat e projektit, procedurat, planet aksionale dhe kontratat e nënshkruara, gjë që ndikon që ministria, si bartëse e projektit, të mos disponojë me të gjitha informatat e nevojshme” – thekson revizori, i cili potencon se çdo vit përfaqësuesit e MPPS-së e vizitojnë banjën, mirëpo banja nuk merr procesverbal për vizitën e realizuar në banjë.

“Duke i marrë parasysh tre aspektet e projektit, edhe atë aspektin social, rekreativ dhe atë shëndetësor, revizioni konstatoi se në projekt dhe në aktet që ndërlidhen me realizimin e projektit, kontratat e nënshkruara ndërmjet MPPS-së dhe banjave, disa çështje nuk janë trajtuar dhe nuk janë precizuar në mënyrë të plotë” – përfundohet në raportin e revizionit, me ç’rast jepen rekomandime në lidhje me këto paqartësi.

Me këtë raport të revizionit janë përfshirë Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Fondi për SPIM, si dhe koncesionerët, gjegjësisht banjat në të cilat vendosen shfrytëzuesit e pensioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button