Libri, dashuria e të gjitha kohërave

“Ka krime më të këqija se djegia e librave. Një prej tyre është që të mos i lexosh“. Ky përkufizim brilant i Joseph Brodsky, ka qenë padyshim një ndër fjalitë që kanë ndikuar në botëkuptimin tim mbi librat dhe rëndësinë e pazëvendësueshme që ka leximi. Teksa teknologjia dhe dixhitalizimi avancojnë, duket sikur njerëzimi po shpallet çdo ditë e më shumë fajtor për ‘krime’ ndaj librit. Smartfonët, jeta e natës, kafenetë, makinat e bukura, paraja, luksi, e kanë tronditur pozitën tonë ndaj librit, duke na kthyer në ‘armiq’ të tij dhe të varur ndaj teknologjisë.

Ne nuk lexojmë, nuk blejmë libra, nuk përfshihemi në aktivitete kulturore dhe artistike, kemi humbur ndjeshmërinë ndaj së bukurës. Kjo është kriza e vërtetë edhe pse rrallë flitet për të. Kjo është kriza e të gjitha krizave, sepse nuk ka krizë më të madhe për një shoqëri sesa kriza e të lexuarit, kriza e vlerave. Indiferenca ndaj librit është kriza e të gjitha krizave, është më e madhe se kriza politike që po kalon vendi ynë këto momente.

Sot konsumojmë më shumë politikë sesa libra, më shumë thashetheme sesa dije, më shumë informacione të pasakta sesa fakte konkrete, më shumë pornografi sesa studime shkencore, më shumë krim sesa shembuj tolerance, më shumë urrejtje sesa dashuri. Të gjithë këto janë tregues të një krize të vërtetë, të thellë dhe dramatike që po kalon vendi ynë. Dje isha në bibliotekë për të dorëzuar një nga librat e huazuar. Në tempullin ku supozohet të gumëzhijnë studentë, pedagogë, apo qytetarë të zakonshëm, nuk kishte këmbë njeriu. Raftet ishin të pluhurosur dhe librat ndjeheshin të vetmuar. Në sportel më pret me një buzëqeshje të thatë, një zonjë rreth të gjashtëdhjetave. Në sytë e saj dallohej trishtimi dhe dhembja që ndjente kur shihte sallat bosh të bibliotekës. “Mirë se erdhe“, më thotë me një gjysmë zëri, duke u munduar të fshehë pikëllimin. “Nuk ka trishtim më ta madh sesa kur shoh të rinj në kafene apo në mitingje partish dhe kur shoh bibliotekën bosh“, vijoi ajo, pa më lënë kohë të flas fare. E kuptoi menjëherë habinë time.

Ndaj pyetja që më lindi natyrshëm ishte; pse nuk lexojmë? Sipas një raporti të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert” rinia shqiptare investon më shumë për veshje dhe argëtim sesa për librat dhe aktivitetet kulturore. Të dhënat që duhet të alarmojnë pedagogët, universitetet, qeverinë dhe opozitën tregojnë se të rinjtë shpenzojnë mesatarisht 4560 lekë në muaj vetëm për veshmbathje, 3870 lekë në muaj për argëtim në punë dhe bare dhe vetëm 450 lekë në muaj për të blerë libra, për të frekuentuar kinematë dhe teatrot. Por politika, duket se nuk shqetësohet për librin, edhe pse qartësisht dija është rruga për një Shqipëri më të mirë. Vitin e kaluar, qeveria Italiane akordoi një fond, ku çdo të riu që mbush 18-vjeç do i dhurohen 500 euro për të blerë libra, apo për t’i shpenzuar për teatro, filma apo muzike. Një nisme e zgjuar për t’i orientuar të rinjtë drejt librit dhe për t’u kujtuar atyre se dija mund të pasuroje dhe ndryshojë jetët e tyre. Në Shqipëri nuk është bërë asgjë në këtë aspekt. Madje, paturpësisht raportohen edhe raste kur politika ofron 50 euro për votën e një të riu, apo kur adoleshentë nën 18 vjeç ftohen të marrin pjesë në takime elektorale. Politika shqetësohet për pushtetin e saj dhe të rinjtë i sheh si instrument për të mbajtur karrigen.

Sot, të rinjtë nuk lexojnë sepse nuk kanë modele. Sepse politikani i paarsimuar flet për pushtet dhe jo për dije, sepse pedagogët flasin për politikë dhe jo për studime shkencore. Nuk lexojnë sepse shembujt publikë të jetës së përditshme nuk e dinë se çfarë është leximi. Nuk lexojmë sepse mendimi intelektual është mbytur, nuk dëgjohet dhe politika e ka zbythur intelektualin. Sot është Dita Botërore e Librit, por askush nuk foli për librin, për dijen, për shkencën. Sot media nuk pasqyroi asnjë shkrim për librin, për rëndësinë e jashtëzakonshme të tij. Sot të gjithë folën për protestën e PD, për bllokimin e trafikut në të gjitha akset kombëtare nesër në 11:00, ashtu siç bënte opozita në vitin 2011, por që sot nuk i kujtohet. Por kjo nuk më dekurajon mua dhe mijëra të rinj që lëndë të parë kanë librin, punën dhe jo politikën. Libri mbetet dashuria e të gjitha kohërave. Do kalojmë shumë kriza, por rëndësinë e librit nuk do e zbehin dot kurrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button