Tiranë, policia kundërshton protestën e paralajmëruar të opozitës

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Altin Qato, duke ju referuar lajmërimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë se në datën 24 prill, do të zhvillojë një protestë publike, që mund të shoqërohet me bllokimin e disa rrugëve kryesore kombëtare në disa qytete, ka konfirmuar se Policia e Shtetit Shqiptar nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qato gjatë një deklarate për mediat sot, ka theksuar se një vendim i tillë është marrë në përputhje me ligjin “Për tubimet” i cili sipas tij përcakton se: “Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit.”

Ai ka shtuar se zhvillimi i protestave apo edhe i tubimeve të tjera në rrugët kryesore kombëtare, duke bërë bllokimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, përbën një cenim të rëndë të rendit publik.

“Zhvillimi i kësaj proteste cenon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos iu bashkohen manifestimeve të paligjshme që cenojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm”, theksoi Qato, duke paralajmëruar edhe masa për ata që sipas tij “cenojnë rendin publik”.

Kujtojmë se Partia Demokratike e Shqipërisë, ka paralajmëruar nesër mbajtjen e një proteste mes orës 11:00 dhe 12:00, në kuadër të protestës dhe bojkotit parlamentar që kanë filluar partitë e opozitës që më 18 shkurt të këtij viti. Reagimi i policisë ka ardhur pas mundësive për bllokimin nga protestuesit të akseve rrugore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button