Zendeli: Të ofrojmë spektakël, ne në fushë, ju në tribunë

Të dielën në kuadër të xhiros së 28-të të Ligës së Parë futbollistike të Maqedonisë, skuadra e Shkupit do të jetë nikoqire e Vardarit në Çair, ndërsa ky është dhe derbi i javës që ka zgjuar interesim të madh tek dashamirët e futbollit, jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë kufijve të Maqedonisë.

Për këtë ndeshje Shkupi ka punuar gjatë gjithë javës dhe e përgatitur do të dalë në këtë përballje mjaft të rëndësishme. Për duelin në fjalë ka folur kapiteni i skuadrës, Suat Zendeli i cili ka thënë se mbi të gjitha këtë të diel duhet të jetë një festë futbolli në vendin tonë, ku ai dhe ekipi premtojnë lojë të mirë dhe përkushtim në fushë, ndërsa në tribuna pret spektaklin dhe përkrahjen e pa rezervë të “lojtarit të 12-të”, publikut dhe “Shvercerave”.

“Nuk mendoj se do shumë të komentohet skuadra e Vardarit, ata janë kampion në fuqi, kanë një ekip të mirë disa vite me radhë, pastaj do të luajnë pa presion, duke marrë parasysh se kanë 11 pikë diferencë ndaj Shkëndijës, por mendoj se derbi nuk shikohet nga renditja në tabelë. Ne si ekip jemi të përgatitur maksimalisht, kemi dëshmuar edhe herëve tjera se e kemi ndalur Vardarin. Shpresojmë të japim maksimumin dhe të bëjmë ndeshje të mirë. Nëse duam të kemi rezultat pozitiv, patjetër se duhet të vrapojmë më shumë se kundërshtari,  të kontrollojmë çdo pjesë të terrenit dhe ti fitojmë dyluftimet.

E ftoj publikun që të dielën të jetë në stadium në numër sa më të madh, ku do të ketë një spektakël futbolli, ashtu sikurse ka ndodhur në çdo derbi tjetër. Nga publiku nuk kërkojmë asgjë tjetër, përveç se të na mbështesin pa rezervë, sikurse e kanë bërë deri më tani, sepse kjo do të jetë vetëm një ndeshje dhe asgjë më shumë. Publiku ynë, në dy vitet e fundit e ka dëshmuar këtë duke qenë shembull për anim korrekt, andaj duhet ta bëjë edhe kësaj radhe, duke qenë të matur në çdo veprim, për të treguar kulturë futbolli dhe respekt për të gjithë. Sigurisht që një rezultat pozitiv, në këtë festë sportive të së dielës, do të vinte si qershia mbi tortë, për ne dhe publikun tonë”, ka thënë kapiteni i skuadrës, Suat Zendeli.

Shkupi në ndeshjen ndaj Vardarit do të jetë pa të lënduarin Dimitrija Llazarevski, ndërsa Jasir Asani shkaku i marrëveshjes mes klubeve (i huazuar nga Vardari), nuk ka të drejtë të luajë. Ndeshja Shkupi – Vardari fillon në orën 16:00. Nga kryesia kanë njoftuar se biletat janë në shitje nga dita e premte, ndërsa shkaku i interesimit të madh për të parë këtë ndeshje, dyert e stadiumit do të mbyllen 30 minuta para fillimit të ndeshjes. Ndeshja është shpallur e rrezikut të lartë, andaj apelojmë te të gjithë ata që do të vijnë në stadium të tregojnë korrektësi dhe dinjitet, duke ndihmuar klubin në arritjen e objektivave të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button