Franca: Zgjedhje në kohën e terrorit, kush përfiton?

Franca mban zi, është e tmerruar nga një atentat, i cili në bazë të të dhënave të deritashme është kryer me modelin e milicisë terroriste “Shteti Islamik” (IS). Në fakt që para atentatit në Champs Elysee ishte e qartë që masat e sigurisë do të përforcoheshin edhe njëherë ditën e votimit. Në të gjithë vendin do të jenë të angazhuar 50.000 policë, të mbështetur nga 7.000 ushtarë të një njësie antiterror. Në Francë ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Që prej atentateve në Paris të 13 nëntorit 2015, autoritetet e sigurisë kanë kompetenca speciale, shkruan Dojçe Vele. Për shembull ato mund të ndalojnë në shtëpi persona të dyshuar ose të shpallin përkohësisht zona të ndaluara sheshe publike – pa pasur nevojë për një urdhër gjykatësi.

Në fillim të javës u duk sikur forcat e sigurisë të Francës qenë të pozicionuara si duhet. Kështu policia arriti të arrestojë në Marsejë dy burra, për të cilët dyshohet se kanë planifikuar një atentat terrorist. Në kontrollin e banesës së tyre u gjetën ndër të tjera lëndë shpërthyese, armë zjarri si dhe një flamur i IS. Presidenti Hollande foli për një sukses të madh. Madje edhe shtypi francez e lëvdoi punën e policisë.

“Nga njëra anë është më se e dukshme që policia mund të pengojë sulme terroriste”, mendon Sebastian Roché, ekspert i sigurisë në Science Po në Grenoble. “Nga ana tjetër është e pamundur që ta ndalosh krejtësisht terrorizmin. Thjesht janë mijëra objektiva potencialë – shkolla, bare, aeroporte – të cilat nuk mund të mbrohen të gjitha.”

Policia në Bulevardin Champs Elysee Policia në Bulevardin Champs Elysee

Kush do të përfitojë nga terrori?

Atentatet e viteve të shkuara në Evropë tregojnë: pavarësisht me sa vendosmëri veprojnë shtetet kundër terroristëve, gjithmonë mbetet një shkëndijë pasigurie. Terrorizmi nuk mund të kontrollohet krejtësisht.

Së fundi, Le Pen pati rënë lehtë në sondazhe. Institutet e studimit të opinionit e shohin socialistin Emmanuel Macron me 24 përqind para populistes së djathtë, e cila merr aktualisht 21 deri 22 përqind. Pas kësaj pasojnë ngjitur me njëri-tjetrin konservatori Fillon me 20 përqind dhe kandidati i majtë Jean-Luc Melenchon, me rreth 19 përqind. Dy kandidatët që do të marrin në votimin e së dielës më shumë vota, do të kalojnë në raundin vendimtar të balotazhit në 7 maj.

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Evelyne Gebhardt druhet se prej atentatit do të përfitojë më shumë Le Peni. Por mbyllja e kufijve të Francës, siç kërkon populistja e djathtë, nuk do të sillte gjë. Shumica e terroristëve nuk vijnë fare nga jashtë vendit, kujton Gebhard në intervistën e saj në radio.

Pierre Vemont punon si ekspert për Francën në Qendrën Kërkimore të Brukselit “Carnegie”. Edhe ai mendon se dikush mund ta ndryshojë vendimin e tij për ta dhënë votën në dobi të atij kandidati, që “duket më i aftë, për të përballuar kërcënimin nga terrorizmi”. Më mirë nga kjo mund të përfitojë Fillon-i, parashikon ai. Ky republikan ka “përvojë më të gjatë dhe lë një përshtypje se mund të vepronte si President.” Çfarë do të thoshte kjo për 39 vjeçarin Macron? “Atë mund ta perceptojnë si shumë të ri, sikur ai di shumë pak si mund të drejtohet një qeveri”.

Eksperti i sigurisë Roché thotë se njerëzit nuk do të stepen ditën e votimit dhe do ta japin votën e tyre. “Njerëzit duan të shkojnë të votojnë. Nuk duan të tregojnë frikë. Sepse atëherë do të fitonte terrorizmi.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button