Të ngratat qenie njerëzore

Kush zgjohet vonë zgjohet pa nafakë, thoshin plakat e katundit. Dhe kishin të drejtë. Fqinjët tanë kanë humbur nafakën dhe tani i kanë hyrë zejes së vjedhjeve kubare të agimeve të tjetrit, kuotave të huaja, emblemave të etnive fqinje… Në bakërdarin ballkanik të miteve, baladave, legjendave, heronjve të lashtësisë, figurave historike, personaliteteve me zë…, shqiptarët kanë marrë pjesë vetëm si dhënës, si dhurues zemërgjerë të gjithçkaje. Ata kurrë nuk i huazuan prej të tjerëve figurat simbole, sepse i patën të vetët me shumicë, të shpërndarë tutje shtjellave e mjegullave të historisë. Kjo nuk ndodhi sepse qenë më të mirë se të tjerët, por shkaku i cenit të lindur që i bën të veçantë: shqiptarët nuk i durojnë prometejët e racës së tyre dhe më me ëndje i përkulen tutorit të huaj. Mbase për këtë ata akoma kërkojnë një princ Vid për t’i bërë temena, ndërkohë që e ushqejnë botën me njerëz të shquar të të gjitha fushave të jetës, para të cilëve qytetërimet heqin shpirt nga respekti.

*

Fqinjët i kemi mjeshtërinj përvetësimesh. Këtë zeje e ushtrojnë të shtyrë nga lezeti i përjetuar sa herë që na zhveshin ose vetëzhvishemi. Pastaj, kur mbetemi goliç, përjargen: Leka i Madh qenka i tyre, pa çka se antropologjia nuk e thotë këtë? Skënderbeu qenka sllav, sepse nënën e kishte kaurkë nga Gradeci i Gostivarit. Pjetër Bogdani gjithashtu, sepse nuk e duan legenët shqipfolës. Gonxhe Bojaxhiu, pa diskutim qenka e tyre, pavarësisht të dhënës se e shpaloi shumë herë letërnjoftimin e saj shqiptar. Kjo e fundit u duket maqedonase, sepse byrazerët paskan xhiruar një film për të, paskan vendosur në themelet e shtëpisë së saj të përdhosur paraprakisht një pllakë përkujtimore të shkruar maqedonçe, paskan ngritur një shtëpi muze për të stolisur imazhin me puplat shqiptare, ku gjithashtu s’pipëtinë fare Gjuha shqipe e Shenjtores.

Sa ndryshe jemi ne! Vetëm s’e kuptoj nëse ndodh kjo pse jemi krenarë apo pse jemi  budallenj? Keni dëgjuar ndonjë shqiptar serioz të thotë seriozisht se, fjala vjen, poeti i shquar Mateo Mateu është yni? Sigurisht: jo! Prandaj për Rekën ku lindi Mateo qajnë më bukur shqyp vajtojcet e Ali Podrimjes.

*

Nëna Tereza është shenjtëresha e vetme tokësore, nëna e rruzullit tokësor, nëna e madhe që gëzon respektin e globit. Ajo pati fatin të “ikë” nga fisi i saj për t’u bërë pronë e të gjithëve. Mirëpo fqinjët kokëkrisur pandehin se ajo e ka bërë këtë për t’u kllumur në moçalin sllav.

Ne të gjithë e ndiejmë veten të vegjël dhe turpërohemi sa herë gjendemi përpara Nënës Tereze”, deklaroi kryetarja famëmadhe e Indisë – Indira Gandi. Ngjashëm janë shprehur edhe emra të tjerë kumbues të gjendur përpara shkëlqimit të vëprës së saj të pavdekshme. Po ne, të ngratat krijesa njerëzore, ç’bëjmë përveçse qesim petlla n’ujë…

*

Lufta është e tmerrshme. Asaj i tuteshin edhe heronjtë e miteve antike, bijtë e zotrave dhe hyjnive të lashtësisë.

Heroi i Homerit – Odiseu, gjenerali më dinak i antikitetit, u shtirr si i marrë dhe shkoi të mbjellë kripë, gjersa nuk e zbuluan. Akili – trimi më i madh i ushtrisë greke, u maskua dhe u fsheh mes vajzash, që t’i ikë luftës, po e gjeti Odiseu dhe e mobilizoi bashkë me fatkëqijtë e tjerë. Për luftë, pra, nuk ishte as më dinaku, as më trimi, edhe pse ky i fundit kishte veç një thembër të vdekshme. Luftërat pushtuese i nisin xhelozët, mendjeshkurtërit, sfrutuesit, kodoshët, frikacakët, dhunuesit, despotët, kriminelët, luciferët… Në to shkojnë Agamemnonët dhe njerëzit e sedrave të vrara – ata që nga instinktet hakmarrëse flijojnë Ifigjenitë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button