Australia ndryshon kriteret për marrjen e shtetësisë

Kryeministri i Australisë, Malcolm Turnbull, njoftoi se pyetjet e testit të shtetësisë, e cila është faza e fundit e marrjes së shtetësisë, do të formulohen nga “Vlerat e Australisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Turnbull në një deklaratë për media në kryeqytetin Canberra foli për ndryshimet në rregullat si dhe për testin e marrjes së shtetësisë së Australisë.

Ai theksoi se pyetjet në test do të përbëhen nga “Vlerat e Australisë”.

“Ne i kemi vënë vlerat e Australisë në zemrën e procedurës së marrjes së shtetësisë. Anëtarësimi në familjen australiane është një privilegj. Shtetësia e Australisë duhet t’u jepet atyre që i mbështesin vlerat tona, që i respektojnë ligjet tona dhe atyre që përpiqen të kontribuojnë në shoqërinë dhe përpiqen ta bëjnë Australinë një vend më të mirë”, tha Turnbull.

Qeveria ende nuk ka vendosur se cilat vlera do të përfshihen në pyetjet e testit, por synohet që këto pyetje të vendosen pasi të pyetet populli i Australisë.

– “Rrregullat e reja nuk marrin si objektivë ndonjë fe”

Ministri australian i Emigracionit, Peter Dutton mohoi pretendimet se pyetjet të cilat do të përfshihen në testin e shtetësisë si martesat e të miturve, dhuna në familje, syneti i grave, të drejtat e fëmijëve dhe të grave do të marrin si objektiv ndonjë fe.

Dutton vuri në dukje se rregullat e reja kanë si objektiv sjelljet dhe qëndrimet specifike, e jo ndonjë fe të caktuar.

– Ata që nuk e kalojnë tre herë testin, do të presin dy vite

Sipas ndryshimeve të reja, një person i cili hyn tre herë në provim dhe bëhet i pasuksesshëm duhet të presë dy vite për të hyrë përsëri në test. Sipas rregullave të mëparshme emigrantët mund të hynin në test sa herë që dëshironin.

Gjithashtu, personat të cilët më parë janë përfshirë në dhunën në familje ose në krime të organizuara mund të mos pranohen për shtetësinë australiane. Kurse sipas një ndryshimi tjetër në rregulla, ata të cilët kanë fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm, duhet të presin 4 vite, ndryshe nga ajo që më parë ishte vetëm një vit.

Kandidadët do t’u nënshtrohen testeve më të vështira të gjuhës angleze, për shkrim, lexim dhe dëgjim. Po ashtu do të kërkohet që kandidatët të tregojnë se janë integruar në shoqërinë e vendit. Në bazë të kësaj, nga kandidatët do të kërkohen dëshmitë se janë duke punuar, janë anëtarë të një klubi dhe se fëmijët e tyre shkojnë në shkolla.

Për miratimin e rregullave të reja të qeverisë së koalicionit nën kryesinë e Turnbull, ato duhet të kalojnë nga Senati dhe Parlamenti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button