“Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk po shkon drejt qëllimit”

Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson tha se marrëveshja bërthamore e nënshkruar mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk po arrin drejt qëllimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në lidhje me politikën amerikane kundrejt Iranit, Tillerson ka thënë se administrata e Trumpit do t’i rishqyrtojë politikat ndaj Iranit.

“Kemi argumente shumë të qarta se Irani kërcënon SHBA-të, rajonin dhe botën përmes akteve prokovokative”, ka theksuar Tillerson.

Sipas tij, marrëveshja bërthamore e nënshkruar më 14 korrik mes Iranit dhe SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Kinës dhe Gjermanisë, nuk ka mundur ta ndalojë Iranin. “Marrëveshja bërthamore e arritur me Iranin nuk po arrin drejt qëllimit”, është shprehur Tillerson.

Ai ka shtuar se marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Teheranit nuk i vlerësojnë vetëm nga aspekti bërthamor, duke shtuar se Irani paraqet edhe kërcënim rajonal. “Po i shqyrtojmë gjerësisht politikat kundretj Iranit. Marrëveshja bërthamore është vetëm njëra nga elementet të cilat i kemi shqyrtuar”, ka thënë Tillerson.

Duke e krahasuar Iranin me Korenë e Veriut, Tillerson ka thënë se nëse nuk kontrollohet qeveria e vendit, atëherë në pah “do të dalë një Kore e Veriut e re”.

Tillerson është shprehur se aktivitetet bërthamore të Iranit paraqesin kërcënim për paqen botërore. Ai ka shtuar se Teherani zyrtar ka shkaktuar probleme rajonale duke mbështetur Bashar al Asadin në Siri, milicët shiitë në Irak dhe Lëvizjen Husi në Jemen.

“Irani gjendet e para në mesin e shteteve që përkrahin terrorin dhe duke shkaktuar rrëmujë, po shpërfill interesat e SHBA-ve”, ka deklaruar Tillerson.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button