Parlamenti shqiptar edhe në raundin e dytë nuk zgjodhi president të vendit

Kuvendi i Shqipërisë konsumoi sot brenda pak minutash, edhe raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, pasi në konkurrim nuk u paraqit asnjë kandidat dhe në këtë mënyrë, sipas ligjit, votimi quhet i kryer, përcjell MIA.

Sipas rregullores, kryetarja e komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, i njohu deputetët me relacionin përkatës, ku konstatohet se në Kuvend nuk është depozituar emri i një kandidati zyrtar për postin e Kreut të ri te shtetit dhe në këto kushte, sipas ligjit, edhe raundi i dytë i votimit quhet i kryer.

Më pas, kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se edhe raundi i dytë i votimit për Kreun e ri të shtetit konsiderohet i ezauruar, ndaj ai ftoi të mblidhet Konferenca e Kretarëve që të caktojë datën dhe orën e zhvillimit të raundit të tretë për votimin e presidentit të Republikës.

Sipas rregullores, raundi i tretë zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të dytë.

Kuvendi të mërkurën, konsumoi raundin e parë pa votim, pasi në konkurrimin për garën presidenciale nuk u paraqit asnjë kandidat zyrtar.
Presidenti i Republikës, sipas nenit 87 të Kushtetutës, zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Votimi, siç njofton ATSH quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e parë, të dytë dhe të tretë Kreu i shtetit zgjidhet me jo më pak se 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa pas ndryshimeve që iu bënë tekstit të kushtetutës në prill 2008, në raundin e katërt dhe të pestë të votimit në parlament, presidenti mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.

Ndërkohë, që në proceset paraardhëse Kreu i shtetit është zgjedhur me shumicë të cilësuar, 84 vota.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button