Çmimi i izolimit

Vetë-izolimi asnjëherë nuk është veprim i mirë për asnjë shtet, e veçanërisht për një shtet të vogël si Maqedonia. Kur personi që e mban detyrën e shefit të shtetit rrefuzon takime me zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian, ose me përfaqësues të organizatave relevante ndërkombëtare, dhe ç’është më e keqja, kur kjo nga dikush konsiderohet si akt heroik ose trimëri, atëherë e dini që puna ka kaluar moti përtej ujërave të logjikës së shëndoshë.

Ivanov nuk parashikoi në agjendën e tij takim me ish kryeministrin suedez Karl Bild, njëherit kryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, dhe me këtë mendoi se e dëmtoi reputacionin e personit në fjalë ose të organizatës që ai përfaqëson. Paraprakisht, Ivanov refuzoi të takohet edhe me euro-komesarin Johanes Han. Është më se e qartë që me këto gjeste fëmijërore Ivanov mundohet të përmirësojë në fakt reputacionin e tij, përkundër të gjitha veprimeve të palogjikshme, kundërkushtetuese dhe kundërligjore që i ndërmori deri tani. Për këtë mer ovacione nga forcat e ndryshme që mundohen të pengojnë zhvillimet demokratike në këtë vend, e me atë, të pengojnë integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë në NATO dhe UE. Kështu, “heroizmi” i Ivanovit në fakt është kontribut direkt në izolimin e mëtejshëm të një shteti të vogël që pa integrimet euro-atlantike nuk ka asnjë lloj perspektive. Dhe kush është humbësi këtu? Sigurisht jo Carl Bildt e as Johanes Hann. Humbës jemi të gjithë ne që rimë dhe e shikojmë Ivanovin se si luan me vullnetin tonë të shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike.

Arroganca e Ivanovit shihet edhe në intervistën e tij të fundit të dhënë gjatë fundjavës së kaluar për gazetën austriake “Wiener Zeitung”. Në këtë intervistë Ivanov përcakton që qeveria që eventualisht do të krijohej pa mandatin e tij, nuk do të paska legjitimitiet, dhe gjatë kësaj e citon nenin 90 të Kushtetutës sipas të cilit Presidenti e jep mandatin për formimin e qeverisë. Ivanov tani më për disa muaj resht është duke e shkelur pikërisht këtë nen i cili përcakton që “Presidenti është i obliguar t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë përfaqësuesit të partisë ose partive që kanë shumicën në kuvend”. Ivanov me muaj të tëra nuk e realizon obligimin e tij, ndërsa në anën tjetër kërkon të drejtën për të vendosur lidhur me legjitimitetin e qeversisë së ardhshme.

Së pari atë të drejtë nuk e ka, sepse legjitimitetin e qeversië në një demokraci parlamentare e përcaktojnë qytetarët përmes shprehjes së vullnetit të tyre në zgjedhje të lira dhe demokratike. Sovraniteti, sipas nenit 2 të Kushtetutës së RM, rrjedh nga qytetarët dhe u takon qytetarëve. Qytetarët e RM pushtetin e realizojnë përmes deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, përmes referendumit dhe formave tjera direkte të shprehjes së vullnetit të tyre. Pra, Presidenti i shtetit nuk është bartës i sovranitetit të qytetarëve dhe nuk vendos për qeverinë e ardhshme, e cila përkrahjen legjitime e ka tek qytetarët që e kanë shprehur vullnetin e tyre në zgjedhje. Kanë kaluar kohërat e monarkive absolute, kur shefi i shtetit është konsideruar si bartës i sovranitetit dhe si i tillë ka vendosur për të gjiitha gjërat lidhur me realizimin e pushtetit. Në një demokraci parlamentare deklaratat e këtilla jo vetëm që janë skajshmërisht arrogante dhe joreale por njëherit janë edhe të rrezikshme dhe të papranueshme.

Së dyti, nëse dikush mer guximin të flasë për legjitimitet, duhet së pari të jetë i sigurt në vetë legjitimitetin e tij. Një siguri të tillë më së paku mund ta ketë personi që është zgjedhur president me dalje në votim prej 40% (pasi qp paraprakisht partnerët e koalicionit të atëhershëm qeveritar e ndryshuan Kushtetutën pikërisht për këtë qëllim), dhe gjatë kësaj, zgjedhja e tij u bojkotua nga njëra nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në vend.

Së treti, në drejtësi, nëse dikush thirret në të drejtë, duhet t’i ketë përmbushur obligimet e tij që lidhen pikërisht me atë të drejtë. Kështu, një president që nuk e ka përmbushur obligimin e tij lidhur me nenin 90 të Kushtetutës, nuk mund të thirret në ndonjë të drejtë që lidhet me këtë nen. Të drejtat dhe obligimet nuk shkojnë veçmas por së bashku. Prandaj edhe Ivanov, nuk mund të mos e realizojë obligimin që del nga ky nen ndërsa të thiret në çfarëdo të drejte që ai nen ia jep.

Sigurisht, gjëja tjetër më kontraverse që Ivanov e tha në intervistën e tij lidhet me telefonatën misterioze që e paska prishur koalicionin e sigurtë mes VMRO-DPMNEsë dhe BDIsë. Presidenti që deri tani u thirr në legjitimitet, papritur filloi të flasë për telefonata, duke harruar pikërisht legjitimitetin që del nga vullneti i 700.000 qytetarëve, që në fakt përfaqësojnë telefonatën më të madhe dhe më të rendësishme që pushteti e ka pranuar gjatë viteve të fundit. Kjo telefonatë që u shpreh përmes 10 mandateve që humbi BDI vazhdon t’u kumbojë në veshë politikbërësve që vazhdojnë të jenë “në hall të madh” dhe ende nuk dinë si të veprojnë. Nuk ka telefonatë më të zëshme se kjo.

Përfundimisht, Ivanov edhe një herë tregoi se përfaqësues i kujt është. AI deklaroi se shqiptarët, duke dashur të bëhen popull konstitutiv në Maqedoni, duan të realizojnë në këtë shtet, diçka që ata e kanë në shtetin e tyre. Ivanov sapo e shumëzoi me zero një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së këtij vendi që paska tjetër shtet. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë popull konstitutiv në Maqedoni, pasi që asnjë qeveri nuk ka mundur të zgjidhet pa ata. Sa e kanë shfrytëzuar këtë pozitë shqiptarët për të rregulluar statusin e tyre është tjetër gjë, por për të qenë vendimtar, kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë, i pëlqen kjo Ivanovit ose dikujt tjetër, apo jo.

Fundja Ivanov nuk është se e ka për herë të pare të deklarojë gjëra të palogjikshme. Edhe Tusk pasi u takua me të, thiri në veprime të logjikës së shëndoshë!

Ajo që nevoitet është injorimi i arrogances së tij, deklarimi i shumicës parlamentare dhe vendosja e saj në veprim. Një shtet dhe qytetarët e tij nuk mund të jenë peng i dikujt për logjikën e shëndoshë të të cilit ka dilemma të thella vendore e ndërkombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button