Kosovë: Gjykata e Apelit kthen në paraburgim Naser Kelmendin

Gjykata e Apelit në Kosovë ka vënë masën e paraburgimit prej dy muajsh për Naser Kelmendin, duke anuluar një vendim të një Gjykate Themelore në Prishtinë, që i dha Kelmendit, në prill të këtij viti, masën e arrestit shtëpiak, transmeton REL.

Naser Kelmendi u akuzua për tregti me drogë, krim të organizuar dhe vrasjen e një personi – Ramiz Delaliq – shtetas i Bosnjë Hercegovinës.

Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit “i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë të EULEX-it dhe një vendor aprovoi ankesën e prokurorisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë… duke e anuluar atë ndërsa ndaj të pandehurit është urdhëruar masa e paraburgimit prej dy muajsh, deri më 03.06.2017”, thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në deklaratë thuhet se ‘Gjykata e Apelit ka gjetur se ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës për caktimin e kësaj mase”.

Kelmendi i lindur në Pejë, aktualisht shtetas i Bosnjë Hercegovinës, është arrestuar më 6 maj, 2013, nga Policia e Kosovës, në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet boshnjake dhe që nga ajo kohë është në paraburgim në Kosovë.

Më 1 qershor, 2012, nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Naser Kelmendi është identifikuar nën Aktin për Bosët e Narkotikëve të Jashtëm si një trafikant i lëndëve narkotike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button