ASKUJT MOS I TREGONI SE JENI PREJ FISIT TË XHOJSIT

I krisur, dele e zezë, i padëshiruar, skandaloz, amoral. Kështu dukej Xhojsi në sytë e qytetit të lindjes. As Xhojsi s’i ngeli hakut. Dublinin e quajti si “qendër e paralizës”. Pak para vdekjes, megjithatë, tha se Dublinin e kishte të gravuar në zemrën e tij.

Motrat vazhdonin të thoshin: “Asnjëherë, askujt mos i tregoni se jeni prej fisit të Xhojsit”.

Kur u botua “Uliksi” disa e quajtën shkrimtarin si “baba të modernizmit”, “gjeniu më i madh i shekullit njëzet”, kurse vepra u cilësua si “romani më i rëndësishëm i mijëvjeçarit”, “kulmi i të gjithë romaneve”, “romani më i përsosur”.

Të tjerë e përçmuan. Jejts-i tha se Xhojsi kishte imagjinatë kolosale, por ajo gjendej tek “gjeniu liliput i letërsisë”. Dikush e krahasoi “Uliksin” me një “regjistër telefonash”. Një gazetë britanike e quajti “i çmenduri pervers”, që shkruan “libra pornografikë”. Heminguej mezi arriti që të fuste në Amerikë disa ekzemplarë nga vepra që vazhdonte të ishte e ndaluar.

Lexuesit vazhdojnë të thonë: “Uliksi është i vështirë për lexim”, por sipas Xhojsit nëse “Uliksi” nuk ishte për lexim, atëherë as jeta nuk ishte për ta jetuar. “Nëse nuk e kuptoni, atëherë lexojeni me zë, me aksent të Dublinit, që ta kuptoni më qartë”.

Libri “Dublinasit”, gjithashtu, u refuzua nga shumë shtëpi botuese, për shkak të shprehjeve “amorale”. Xhojsi thoshte: “Nuk kam faj që Irlanda kundërmon dhe ky kundërmim mund të nuhatet në rrëfimet e mia”. Botuesi i tij e dogji tirazhin e librit, i dha Xhojsit dyfishin e honorarit, vetëm që të shporej sa më larg.

Xhojsi kishte shkuar shumë larg. Më larg se të tjerët. Ai është gjeniu të cilin e dëshiron secila kohë, ndonëse qyteti i lindjes dhe Nora kishin qenë indiferent ndaj tij. Nora, pasi kishte lexuar dy faqe të “Uliksit”, i quajti marrëzira.

Ndërmjet Xhojsit dhe Norës kishte lidhje emocionale, por jo edhe intelektuale. Shkrimtari dhe vajza nga provinca ishin takuar rastësisht, por ajo asnjëherë s’e ndjeu praninë e një botë të magjishme, të çuditshme. Ajo nuk e pa gjeniun, por njeriun i cili s’e bënte asnjë hap pa të. Xhojsi nuk i premtoi martesë, sepse kjo fjalë i ngjallte neveri, por e dashuroi marrëzisht. Në një tregim u frymëzua nga dashuria e parë e Norës në vendlindjen e saj. Nora krahasohet edhe me Molli Bloom-in tek “Uliksi”, por ajo thoshte: “Ne nuk ngjajmë, sepse ajo është më e trashë se sa unë”.

Xhojsi, ky frikacak i madh, që tmerrohej nga vetëtima, ky adhurues i verës së bardhë, që e krahasonte me “elektricitetin“, ndërkaq për verën e kuqe thoshte se ishte “e rëndë si bifteku”, kishte vetëm një pasion: shkrimin. Besonte në një shenjtni: fjalën. Ai fliste rrjedhshëm disa gjuhë. Dinte mijëra fjalë shqipe, kineze, hebreje, arabe.

Xhojsi xhepat i kishte plot me letra, kurse “hieroglifët” e tij mezi i deshifronte me një thjerrëz, ngase vuante nga shikimi i dobët, madje, herë pas here, ishte pothuajse i verbër. Megjithatë, askujt nuk ja diktoi mendimet. “Derisa shkruaj dora ime i kap mendimet në fluturim”, thoshte.

Ai shpesh zgjohej natën që të shkruante. Shkruante pa orar. Mendimet i vinin pa paralajmërim. Ky ritual e çmendte Norën, që nuk ja honepste“marrëzitë e pakuptueshme”, derisa kishte mundësi “të bënte karrierë si këngëtar”.

Shkrimtari shpesh keqkuptohet. Shpesh duket i marrë apo i cektë, ta zëmë, kur shkruan për ngjarje përditshmërie, por madhështia e tij është diku tjetër: tek gjellët me shajni e fantazma. Me kalimin e kohës bëhet frymë që shëtit nëpër shekuj, si Agasfer, për ta shpjerë larg diçka të përjetshme, gatuar në trurin e “krisur”.

Sot Dublini feston “Ditën e Blumit”. Është festë në shumë qytete të botës. Aktorët lexojnë pjesë nga “romani i romaneve”. Dublini, që dikur ishte mosmirënjohës, tani krenohet me Xhojsin, banorin e botës së epërme; njeriun që atdhe e kishte letërsinë. U tha, madje, se nëse Dublini do të shkatërrohej, ai do të mund të ndërtohej me ndihmën e “Uliksit”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button