Kuvendi i Kosovës miratoi programin për zbatimin e MSA-së

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme plenare, shqyrtoi dhe miratoi programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) për periudhën 2017-2021 si dhe Propozim-Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, i cili është dashur të miratohet në fillim të vitit 2017 , transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Kuvendi i Kosovës thuhet se Propozim-Programi i Punës së Kuvendit u miratua me 57 vota pro, 14 vota kundër dhe 4 abstenime. Mirëpo, pati shumë kritika ndaj këtij Propozim-Programi, të cilin e opozita e kundërshtoi, duke e quajtur të vonuar dhe të mangët.

Kuvendi i Kosovës po ashtu shqyrtoi dhe miratoi programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) për periudhën 2017-2021. Programi në fjalë u miratua me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani duke theksuar se ka rëndësi të madhe miratimi i këtij programi tha se fatkeqësisht sipas planit të qeverisë për gjashtëmujorin e parë pas nënshkrimit të MSA-së, janë zbatuar vetëm 27 për qind e detyrimeve.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Republikës së Kosovës, Mimoza Ahmetaj gjatë seancës paraqiti programin duke thënë se ky program përmban 960 masa, ku 260 prej tyre janë masa legjislative dhe 670 janë masa zbatuese. Ajo po ashtu theksoi se në gjashtëmujorin e vitit të kaluar Kosova ka zbatuar detyrimet që dalin nga MSA-ja më shumë se 50 për qind.

Ahmetaj njoftoi deputetët se kostoja e programit është 484 milionë euro, ku 389 milionë janë të ndara nga buxheti i Kosovës dhe 95 milion nga donatorët.

Ndryshe, MSA e nënshkruar mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian hyri në fuqi më 1 prill 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button