Mungesa e kuadrove për fëmijët me autizëm, përgjigjet Komuna e Gostivarit

Lëvizja Besa në Gostivar, përmes një konference për shtyp shprehu shqetësimin për mungesën e kuadrove profesionale për trajtimin e fëmijëve me autizëm në çerdhet publike të Gostivarit. Nga kjo parti kërkuan nga institucionet kompetente të ndërmarrin masa për angazhimin e kuadrove përkatëse me qëllim që t’i dilet në ndihmë kësaj kategorie të fëmijëve. Ankesa u adresua nga Afan Elezi, kryetar i Forumit Rinor të Lëvizjes Besa në Gostivar, raporton Agjencia e Lajmeve Flaka.

“Në çerdhet e qytetit tonë mungojne logoped dhe defektolog, gjithashtu mungojne edhe kushtete e nevojshme per keta femi. Prandaj kerkojme nga komuna qe keta probleme te zgjidhen”, tha Elezi.

Nga Instituti Publik “Gëzimi Fëmijëror” në Gostivar, në suaza të së cilës funksionojnë tre çerdhet e qytetit, pohojnë se mungesë të tillë dhe se institucioni ka adresuar përmes komunës së Gostivarit kërkesë deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mirëpo pasi ka ndalesë nga Komisioni për Antikorrupsion për punësime të reja për shkak të gjendjes politike si rezultat i mosformimit të qeverisë së re, përgjigja ka qenë negative.

Zëvendësdrejtoresha Sindis Memedi, thotë që pas tejkalimit të krizës politike kërkesa do të përsëritet deri tek institucioni gjegjës.

Agjencia e Lajmeve Flaka kërkoi qëndrimin e Komunës së Gostivarit rreth këtyre vërejtjeve nga Lëvizja Besa.

“Mungesat e tilla i kemi të evidentuara. Këtë problem e kemi para sysh dhe vazhdimisht kërkojmë zgjidhje. Është e vërtetë që me kërkesë të institucioneve arsimore dhe edukative disa herë kemi bërë kërkesë deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Në një rast, respektivisht në Shkollën e mesme teknike komunale, kërkesa u aprovua nga ministria por nuk arritëm të gjejmë kuadro adekuate për trajtimin e fëmijëve me autizëm. Për momentin nuk kemi kuadro shqiptare të profesionalizuara në këtë drejtim. Kur flasim për çerdhet publike, me kërkesë të tyre kemi nisur deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kërkesë për angazhim të kuadrit adekuat. Përgjigja ishte negative shkaku i ndalesës së përkohshme për punësime. Po edhe të ishte pranuar dhe po të hapej vendi i punës, do ta kishim problem të gjejmë kuadër. Rast kishim me shkollën e mesme teknike komunale”, thotë për Flaka, Bashkim Hasani shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, i cili apelon që të mos keqpërdoren fëmijët me nevoja të veçanta për qëllime ditore politike.

Agjencia e Lajmeve Flaka deshi të konfirmon informacionin për mungesën e kuadrove të specializuara për trajtim të fëmijëve me autizëm. Përgjigje kërkuam në Agjencinë për Punësim në Gostivar.

Drejtori Hisam Amzai vërtetoi informacionin që aktualisht në listën e të papunëve nuk ka asnjë kuadër me specifikacion të tillë.

“Në listën zyrtare të të papunëve, aktualisht nuk kemi asnjë titullar të tillë të papunë”, tha shkurt për Flaka drejtori i Agjencisë për Punësim në Gostivar.

Bashkim Hasani shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivar, thotë që nëse do të paraqitet ndërkohë ndonjë kuadër i diplomuar në këtë drejtim, edhe nëse nuk do të merret pëlqim nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, është komuna e Gostivarit që do të siguron mjete të nevojshme financiare për rrogën dhe kontributet shtesë me qëllim të angazhimit sa më të shpejt të kuadrove të tilla. Hasani thotë se çështja është delikate dhe se me problem të tilla ballafaqohen edhe qytetet e tjera të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button