Kosova bëhet gati që të pajiset me helikopterë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka caktuar një ekip ndërministror i cili ka punuar në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve, për t’iu përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takimin e mbajtur sot, ku të pranishëm ishin zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministri i Forcës për Sigurinë Haki Demolli, ai i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama si dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ekipi ndërministror ka prezantuar para kryeministrit Isa Mustafa vlerësimet adekuate rreth kushteve të blerjes së helikopterëve.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se pas diskutimeve gjithëpërfshirëse, u vendos që të adresohen çështjet procedurale dhe që të vendosen kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve.

“Kryeministri Isa Mustafa theksoi se pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë dhe ngritja e kapaciteteve ajrore, që nuk kanë ekzistuar deri më tani, është domosdoshmëri për t’u përballur me situata të emergjencave civile apo situatave të tjera brenda vendit”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se institucionet kompetente kanë shprehur përkushtimin që të punohet intensivisht që kjo çështje të adresohet në përputhje me nevojat dhe me kapacitetet financiare, dhe që Kosova të pajiset me helikopterë të cilët do të jenë në shërbim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe shpëtimit të jetës së qytetarëve të këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button