Do të presim

Thonë se dalin rrugëve ta mbrojnë shtetin “e përbashkët”, kuptohet atë shtet ku ne nuk duhet të jemi, atë shtet ku ne duhet të përjashtohemi, të mos jemi fare. Thonë se janë organizuar të demonstrojnë forcë për gjoja vetëmbrojtjen dhe ruajtjen e krenarisë nacionale të tyre. Thonë se ata nuk kanë atdhe tjetër, se Maqedonia ma qenka atdheu i vetëm që paskan që do të thotë se kjo logjikë automatikisht na hedh neve jashtë nga vatrat tona shekullore, na largon nga altarët tonë, nga varrezat e të parëve, sepse, pohojnë ata, ne paskemi atdhe të tjerë. Na kanë dhënë emra fyes, në parullat e tyre kanë kërkuar dhoma gazi e vdekje për ne, na e kanë lënduar dinjitetin, na e kanë plagosur nderin. Për të gjitha këto e kanë pasur mbështetjen morale e politike madje edhe të kryetarit të shtetit dhe nga kreu i VMRO-së, e cila e ka udhëhequr shtetin gjatë dhjetëvjetshit të fundit.

E krerët e partisë sonë që ka qenë në pushtet rrinë në kolltukët e kuq kryelëvarur, të parruar, të pahekurosur e pa kollare si prindërit e mërzitur. Ata me nge, me muaj, presin t’u shkrepë ndonjë ide pak më e rrumbullakët se si ta shtijnë vendin në NATO e BE, sepse idetë tjera u treguan si kubike e të papërshtatshme për integrimet e ëndërruara evroatlantike. Për fyerjet, për sharjet, për kërcënimet që na vijnë neve nga rruga, ata, sigurisht e për momentin nuk kanë kohë. Integrimet janë përparësi mbi përparësi.

Ata e presin mbështetjen tonë.

Kurse ne “të tjerët” që në fletoret e tyre politike figurojmë si fusnotë dhe që jemi në pikën “të ndryshme” shikojmë njëri-tjetrin në sy të shpërqendruar dhe të njohur e të panjohur mes veti përpiqemi të bisedojmë që ta zgjidhim enigmën e kësaj situate të rrugës dhe të “shtetit të përbashkët”. Pyetemi me shikim se vallë si do të përfundojë e gjithë kjo? A muk do ta themi ne fjalën tonë, a nuk do ta zbulojmë misterin dhe hilen e “shtetit të përbashkët”? A nuk do të themi, së paku, se nuk jemi aq të marrë e të mos e dimë se në çfarë mase jemi të keqtrajtuar si njerëz e qytetarë të këtij vendi? A nuk do ta ngremë zërin se nuk jemi në atë derexhe si na konsiderojnë që të mos mundemi një deklaratë të thjeshtë ta shkruajmë vetë, po paskemi pritur me vite që të shkojmë në Tiranë që të na e shkruajnë këtë deklaratë që kryetari i shtetit bashkë me krerët e VMRO-së ta quajë “platformë tiranike”? A nuk do të themi se shumë mirë e dallojmë përmbajtjen semantike të mbiemrit tiranik nga nominativi ose genitivi i emrit Tiranë. E pse mos t’i themi kryetarit të shtetit se ai nuk është kryetar i të gjithë qytetarëve të këtij vendi, se ne nuk mund ta kemi kryetar një njeri që na fyen kështu, pa bërë kurrgjë?

Nuk ndalet  “marshi” dhe ata që “protestojnë” dhe me zë flasin me zë të lartë “në emër të paqes”, natyrisht duke shpikur faje të paqena në adresën tonë. Ne, i dëgjojmë kryelëvarur, ngase kështu vepron paria jonë. Të bashkohemi, thoshin e thonë ata në rrugë, të lidhemi që të gjithë qytetarët kundër dygjuhësisë, që do të thotë kundër gjuhës shqipe, pra kundër nesh. Do ta mbrojmë Maqedoninë! – është parulla e tyre që kërkojnë të braktisen të gjitha fraksionet, të gjitha ideologjitë dhe nuk u shkon mendja se gjithë ajo urrejtje e derdhur në llogarinë tonë është ideologjia më e zezë, një ideologji e cila flet për të kaluarën heroike të dikujt dhe e përbuzë kulturën dhe gjuhën e tjetrit.

Protestojnë ata kundër e në qeveri qëndrojnë ende vetë, qeveria e tyre vazhdon të qeverisë si do, edhe pse nuk ia doli të bëjë një koalicion me shumicë parlamentare. Protestojnë ata duke e mbajtur qeverinë që nuk është qeveri, sepse është ilegale, sepse nuk është legale.

Ndërkohë partia jonë që ka më së shumti deputetë nga partitë tjera dhe e cila është në koalicion me LSDM-në vazhdon ta ruajë miqësinë me ata që kërkojnë të zgjidhet ngërçi politik jo në parlament, por në rrugë e me fyerje dhe kështu vazhdon ta mbështesë kryetarin e shtetit që nuk është kryetar po një ushtar i partisë së vet, një kryetar që nuk e ka asnjë votë shqiptari. Nuk e ka ndërmend kjo parti jona t’i heqë ministrat e vet nga kjo qeveri që nuk është qeveri. Po edhe këta minsitra që bëjnë be në emër të popullit, nuk e lëshojnë kolltukun e një qeverie që nuk punon për një të ardhme të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.

Çudi pse e luhatin në ajër deklaratën? Ne e dimë se ajo nuk ka diçka më shumë se ato fjalë që i përmban Marrëveshja e Ohrit që kurrë nuk realizohet…

Kurse ne do të vazhdojmë të heshtim.

Do të presim të flasë paria jonë.

Do të presim që të rinjtë tonë t’ia mbathin rrugëve të Evropës e të Perëndimit duke na i lënë fshatra e qytete të zbrazëta ku do të mbretërojë heshtje varri, që pastaj ata “të shtetit të përbashkët” të organizojnë regjistrim të popullsisë për të na gjunjëzuar e për të na fyer deri në palcë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button