Jeta jashtë Tokës dhe oqeanet e Enkeladusit e Europës

Robert Nesimi

Robert Nesimi

Zbulimet e NASA-s për kushtet për jetë në Enkeladus dhe Europë shënojnë një stad të ri në kërkimin e jetës jashtë Tokës

Epoka e injorancës. Për njeriun antik dhe mesjetar gjithësia ishte një vend i thjeshtë. Në mes të saj gjendej Toka e palëvizshme, rreth së cilës rrotullohej gjithçka në qiell. Mirëpo qysh në kohët e lashta njerëzimi kishte mësuar se trupat qiellorë nuk lëviznin njësoj. Shtatë prej tyre, Dielli, Hëna, Merkuri, Venera, Marsi, Jupiteri dhe Saturni nuk lëviznin bashkë me qiellin. Këta “yje endacakë” kishin lëvizjet e veta, brenda sferave të tyre të veçanta qiellore. Përtej këtyre shtatë sferave, përtej “qiellit të shtatë” të Saturnit, gjendeshin yjet e palëvizshëm. Në këtë koncept të gjithësisë besohej se Toka ishte e veçantë dhe e një natyre tjetër nga trupat qiellorë. Besohej se Toka ishte e një natyre të papastër, e populluar me bimë, kafshë e njerëz. Ndërsa atje në qiell, përtej qiellit të shtatë, gjendej sfera e pastër hyjnore, vendbanim i lloj-lloj perëndive, gjysëm-zotave, shpirtërave të pastër e engjujve.

Epoka e optimizmit naiv. Koncepti i këtillë i gjithësisë, i modeluar në perfeksion nga Klaudie Ptolomeu dhe i njohur si sistem Ptolomejan, përfundimisht u shemb përdhe në shekullin e 16-të. Revolucioni Kopernikan njëherë e mirë dëshmoi se Toka ishte veçse një planet, që bashkë me planetët tjerë rrotulloheshin rreth Diellit. Zhvendosja e këtillë e Tokës nga qendra dhe barazimi i saj me trupat tjerë qiellorë, do të thoshte se edhe ato ishin të përbëra nga materiali i njëjtë si Toka. Kështu lindën rryma naive mendimi që pretendonin se rrjedhimisht planetët tjerë duhej të ishin të banuar njëlloj si Toka. Francezi De Fontenelle për shembull mendonte se jeta gjendej gjithkund në qiell dhe konsideronte se pjesët e ndritshme të Hënës janë dritat e qyteteve të saj. Por spekulimet e këtilla kishin edhe anën e errët dhe të rrezikshme. Për pohime të ngjashme Kisha Katolike dënoi me vdekje dhe e dogji të gjallë në turrën e drurëve shkencëtarin Xhordano Bruno.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe përsosjen e teleskopëve naiviteti fillestar i lëshoi vend spekulimeve me bazë diçka më të shëndoshë shkencore. Shpejt u pa se trupat si Merkuri e Hëna janë tepër statikë dhe “të vdekur”, ndërsa gjigantët si Jupiteri e Saturni trupa të gaztë, të dyja të papërshtatshme për jetë. Ndërkaq yjet e largët dhe hënat e sapozbuluara të planetëve tjerë vazhdonin të dukeshin si pika të vogla në teleskopë. Kështu në lojë për jetë jashtë Tokës mbetën vetëm dy vende diametralisht të kundërta: Venera misterioze dhe Marsi i zbuluar.

Në pamje të parë Venera dukej kandidati ideal, pasi ka madhësi dhe distancë të ngjashme me Diellin si Toka. Por makth i vërtetë për astronomët është fakti që ajo përheërë është e mbuluar me re të dendura, të padepërtueshme me asnje instrument tokësor. Po ky fakt u përdor si bazë për spekulime të lloj-llojshme për jetën atje. Pasi Venera ka re, do të thoshte se atje bie shi, ka ujë dhe rrjedhimisht kushte për jetë. Ajo përfytyrohej si verzion më i ngrohtë i Tokës, një parajsë tropikale e sistemit Diellor.

Marsi nga ana tjetër është përherë i zbuluar dhe i lehtë për t’u vrojtuar. Që herët astronomët pikasën atje gjeologji të ngjashme me Tokën, me male, lugina, kratere e pole të mbuluara me dëborë. Me përsosjen e teleskopëve një astronom italian, Skiapareli, detektoi dhe përshkroi atje një rrjetë vijash që lidhnin gjithë planetin, që ai i fatkeqësisht i quajti “kanale”. Edhepse Skiapareli nuk saktësoi nëse bëhet fjalë për struktura artificiale, zbulimi i tij i dha hov të madh një teorie për jetën në Mars. Sipas saj Marsi ishte planet në vdekje ku po shterohej uji, prandaj banorët e tij kishin ndërtuar kanale gjigante për të sjellur ujin nga poli drejt ekuatorit. Teoria ishte gjerësisht e përhapur dhe e popullarizuar, madje në forma të ndryshme vazhdon të ekzistojë edhe sot në letërsinë fanta-shkencë. Kështu ishte deri pas Luftës së Dytë Botërore, deri në fillimin e Epokës së Hapësirës.

Epoka e Hapësirës. Optimizmi i theksuar për jetën në Venerë dhe Mars morri fund kah vitet e 50-ta e 60-ta të shekullit të kaluar, kur njerëzimi filloi të lëshojë sondat e para nëpër hapësirë. Ato sollën lajmet e para për gjendjen e vërtetë në Venerë e Mars. Nën retë e dendura të Venerës sondat sovjetike “Venera” i pritën temperatura tejet të larta, erëra të stuhishme dhe shi acidik. Ajo nuk ishte parajsë, por ferr i vërtetë, vdekjeprurës për çfarëdo lloj jete. Ndërkaq “Viking”-u i NASA në Mars ateroi në një shkretëtirë të pafund, të thatë dhe të ftohtë, një verzion i trishtë i Antarktikut tonë.

Por dëshpërimi dhe skepticizmi i këtillë nuk zgjatën shumë. Pikë kthese u bë kalimi i misioneve Voyager 1 dhe 2 nëpër sistemin e jashtëm Diellor, në territorin e Jupiterit, Saturnit, Uranit e Neptunit. Te hënat e gjigantëve të gaztë, që mendohej se janë trupa të thjeshtë si Hëna e Merkuri, ata zbuluan xhevahirë të vërtetë. Doli se Io, Europa, Ganymedi e Kalisto në Jupiter, Titani e Enkeladusi në Saturn dhe Tritoni në Neptun janë tejet kompleksë dhe aktivë, krejtësisht të ndryshëm nga çdo gjë që dinim për qiellin deri atëherë. Ndër ta do të veçojmë Europën e Jupiterit dhe Enkeladusin e Saturnit, që ishin edhe temë e një pres-konference të NASA javën e kaluar. Në të NASA përfundimisht konfirmoi se këta dy trupa kanë të gjitha parakushtet për jetë.

Enkeladusi dhe Europa. Për jetë nevojiten tre gjëra: ujë, materialet e duhura dhe energji. Tanimë ka kohë që dijmë se Europa dhe Enkeladusi kanë oqeane gjigante nën sipërfaqe. Oqeani i Europës madje është aq i thellë saqë në Europë ka shumë më tepër ujë se në Tokë. Dëshmi direkte e këtyre oqeaneve janë gejzerët që shpërthejnë kohë pas kohe nga nëntoka në sipërfaqe. Sonda Kasini ka kaluar disa herë nëpër këto gejzerë në Enkeladus dhe ka inçizuar përbërjen e tyre. Pikërisht këto rezultate i ka shpalosur të enjten NASA, e cila pohoi se gejzerët përmbajnë molekula komplekse, të mjaftueshme për jetë. Të dhënat poashtu flasin se në Enkeladus dhe Europë ekzistojnë vullkane nënujore që ofrojnë energji dhe ngrohtësi. Në vullkane të ngjashme nënujore në Tokë ekzistojnë ekosisteme të bujshme që jetojnë pa dritën dhe ngrohtësinë e Diellit. Tani dijmë se kushte identike ekzistojnë edhe në Europë dhe Enkeladus. Kjo përfundimisht zhvendos temën e jetës jashtëtokësore në baza të shëndosha shkencore dhe konfirmon mundësinë e ekzistencës së saj në këta dy trupa. Mu për këtë konferenca e NASA ishte lajm i jashtëzakonshëm.

Epoka e Zbulimit? Në ndërkohë shkenca akoma nuk ka hequr dorë nga potenciali për jetë në vende tjera të sistemit Diellor, në rradhë të parë në Mars dhe Titan. Për Marsin nuk ka nevojë të flitet më tepër; ai tani është mirë i njohur për publikun më të gjerë. Ndërkaq rast specifik paraqet Titani, hëna më e madhe e Saturnit. Me atmosferën e dendur, shiun, lumenjtë, liqenet e detërat, ai është jashtëzakonisht i ngjashëm me Tokën, me një dallim radikal. Në Titan nuk ka ujë, por rolin e ujit atje e luan metani, i cili në temperaturat jashtëzakonisht të ulta të Titani është në gjendje të lëngët. Ne ende nuk dijmë nëse metani i lëngshëm mund të luajë rolin e ujit; nëse është ashtu atëherë Titani është kandidati më i mirë për jetë jashtë Tokës. Por jeta atje detyrimisht do të ishte radikalisht e ndryshme nga ne, me një biologjie të bazuar në metan në vend të ujit.

Temë në vete janë zbulimet e dekadës së fundit, kur janë gjetur mijëra planetëve që sillen rreth yjeve tjerë. Për momentin ata janë tepër larg për t’u studjuar më mirë, por gjithçka do të ndryshojë me përsosjen e mëtejme të teleskopëve, duke filluar me teleskopnin Xhejms Ueb që do të lansohet vitin e ardhshëm. Duke u nisur nga fakti që në sistemin Diellor kemi të paktën tre, ndoshta edhe pesë trupa me kushte për jetë, është mëse e sigurtë se kushte të tilla ekzistojnë në miliona vende tjera në Galaktikën tonë “Rruga e Qumështit”, pa llogaritur miliarda galaktikat tjera në gjithësi. Tjetër çështje është nëse jeta në to është në nivel primitiv bakteriesh, apo diku ka arritur stade të ndërlikuara zhvillimi si në Tokë.

Sido që të jetë kërkimi për jetë jashtë Tokës vitet e fundit ka shënuar përparim të hovshëm dhe është vendosur në baza tejet të shëndosha shkencore. Jetojmë në epokë të veçantë shkencore, në prag të zbulimit më të rëndësishëm shkencor, atë të jetës jashtë Tokës. Le t’a quajmë Epoka e Zbulimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP