Kriza politike ua lidhi duart edhe kryetarëve të komunave

Shtyrja e zgjedhjeve lokale shkaktoi zbrazëtirë ligjore dhe ia lidhi duart pushtetit lokal. Pasojat negative nga kjo do t’i ndjenjë edhe banorët dhe biznesmenët, shkruan Rel.

Me kalimin e mandatit të kryetarëve dhe këshilltarëve komunal kufizohen edhe kompetencat e tyre, që nënkupton se ata nuk do të mund të sjellin vendime për zhvillim të komunës.

Shtyrja e mundshme e zgjedhjeve lokale ua lidh duart kryetarëve komunal në pjesën dërmuese të komunave ku sillen vendime për aktivitete të ardhshme të cilat janë me karakter sezonal, siç është vendimi për pastrimin e kanalizimit, asfaltimit të rrugëve ose renovimit të shkollave gjatë pushimit veror. Nga ana tjetër nuk do të mund të sillen ndryshime dhe vendime për planin urbanistik, aq më pak të bëjnë furnizime publike të cilat nuk kanë qenë të parapara me buxhetin e deritashëm komunal.

Analisti politik, profesori Mitko Gaxhovski thotë se afati i caktimi i të zgjedhjeve lokale për në maj janë shtyer ndërsa të njëjtat nëse caktohen tash do të mund të mbahen gjatë vjeshtës.

“Kompetencat të cilat i posedojnë kryetarët e komunave do të jenë të limituara, por në pikëpamje të asaj se çfarë bartin me buxhet komunat gjatë llogarisë vjetore, mendoj se nuk do të mund të kenë vështirësi më të mëdha. Problem do të ishte nëse ato shtyhen për më 31 dhjetor të 2017-s. Atëherë do të ketë probleme serioze edhe në komuna por edhe te kryetarët dhe këshillat komunal”, tha Gaxhovski.

Nga ana tjetër, ministri i mëhershëm i Vetëqeverisjes Lokale, Tahir Hani thotë se moszgjidhja e krizës politike pikërisht në këtë periudhë do të reflektojë negativisht në funksionimin  e qeverisjes lokale për shkak se është krijuar zbrazëtirë ligjore dhe kushtetues.

“Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale kryetarët nuk mund të vazhdojnë mandatin e tyre me legjitimitet të plotë. Që në momentin që kryetarëve u kalon mandati për një muaj, ata nuk do të kenë bazë ligjore të nënshkruajnë çfarëdo vendimi ose marrëveshje, e cila është detyra kryesore e qeverisje lokale në të gjitha segmentet të cilat lidhen me jetën e qytetarëve të një komune”, tha Hani.

Kryetari i mëhershëm i Studeniçanit, Alajdin Zeqiri, konsideron se zbrazëtira ligjore në realizimin e obligimeve komunale do ta rëndojë jetën e qytetarëve të komunave si dhe funksionimit të sektorit të biznesit.

“Të gjitha komunat nuk do të arrijnë që plotësisht t’i realizojnë projektet të cilat tashmë kanë filluar dhe të cilat duhet të fillojnë, kurse kanë natyrë sezonale. Gjatë verës realizohet pjesa më e madhe e projekteve të qeverisjes lokale, por tash ato do të bllokohen. Komponenta zhvillimore e një komune lidhet me të drejtën dhe plotësisht do të bllokohen projektet infrastrukturore të cilat do të paraqisnin goditje për biznesin, e veçanërisht industrisë ndërtimore”, tha Zeqiri.

Afati i caktimit të zgjedhjeve lokale ka kaluar para një muaji. Sipas ligjit të zgjedhjeve, zgjedhjet lokale mund t’i cakton vetëm kryetari i Kuvendit. Shtyrja e zgjedhjeve lokale nënkupton edhe ndryshime në ligjin e zgjedhjeve dhe caktim të një termini të ri për mbajtjen e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button