АNALIZË: Rroga mesatare prej 370 еurosh – sa nga të punësuarit e marrin atë?

Rroga mesatare në vend në fillim të vitit 2017 ka qenë 370 еuro. Enti shtetëror i statistikës në janar, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ka regjistruar rritje të mesatares republikane të të ardhurave mujore për 2,2 për qind, ndërsa rritje më të madhe ka pasur te rrogat në sektorin e komunikimeve dhe të informacioneve, në administratën publike dhe mbrojtje, sigurimin e detyrueshëm social dhe në xehetari, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Përderisa institucionet shtetërore shënojnë rritje të rrogës mesatare neto, një pjesë e ekonomistëve janë të bindur se ky numër është vetëm statistikë e thatë, e cila nuk e pasqyron gjendjen reale me të ardhurat mujore në vend. Madje 70% të punëtorëve marrin rrogë më të vogël se 370 euro.

Statistika dhe realiteti – sa janë rrogat në vend?

Rroga më të larta, mbi 600 euro marrin të punësuarit në sektorët e informacioneve, komunikimeve, në veprimtaritë financiare dhe në furnizimin me energji elektrike, ndërsa pas tyre me të ardhura mesatare më të larta se 400 euro janë të punësuarit në administratën publike, mbrojtje dhe shëndetësi. Në këtë shkallë, sipas lartësisë së rrogës në fund gjenden të punësuarit në bujqësi. Ja në cilët sektorë sa është rroga mesatare sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë: në sektorin e furnizimit me energji elektrike dhe gaz 637,6 еuro, në veprimtaritë financiare 636,6 еuro, në sektorin e informacionit dhe të komunikimeve 612 еuro, në sektorin e administratës publike dhe të mbrojtjes mesatarja është 445,3 еuro, ndërsa në shëndetësi 410 еuro. Të punësuarit në ndërtimtari kanë rrogë mesatare prej 307,7 еurosh, në tregti 354,6 еuro, ndërsa në bujqësi mesatarja është 272 euro, njofton Portalb.mk.

Në nivel të vendit, rroga mesatare në muajin janar ka qenë 370 еuro. Një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se mesatarja republikane është vetëm matje statistikore që nuk e pasqyron gjendjen reale, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e të punësuarve marrin rroga më të ulëta se mesatarja, ndërsa vetëm një pjesë e vogël kanë të ardhura të larta mujore, që e rrit mesataren në nivel të gjithë vendit.

“Ilustrimi më i mirë për rrogën mesatare në Maqedoni është shprehja e njohur – njëri ha oriz, tjetri ha lakër, i treti mish, mesatarisht hanë sarmë. Po, rroga mesatare është rreth 22.000-23.000 denarë, që ndoshta nuk duket e vogël, mirëpo shumë më me rëndësi është se si është e shpërndarë ajo. E shpërndarja është e tillë që gjysma e punëtorëve kanë rrogë që është më e ulët se 16.000, e madje 70% kanë rrogë që është më e ulët se 22.000 denarë. Prandaj, shuma relativisht e lartë e rrogës mesatare nuk është reprezentative për rrogat e numrit më të madh të punëtorëve. Ajo është e lartë për shkak se ka një numër të vogël të punësuarish që kanë rroga jashtëzakonisht të larta. Nga të dhënat e DHP-së për vitin 2012 (që janë të dhënat e fundit), mund të shihet se rroga më e lartë atë vit ka qenë 80.000 еuro në muaj. Poashtu, 14.000 persona me të ardhurat më të larta atë vit kanë pasur të ardhura të përgjithshme prej rreth 500 milionë eurosh, gjegjësisht të ardhura mesatare mujore prej rreth 3.000 еurosh. Këta janë ata që e ngrenë mesataren e rrogës” – thotë për Portalb.mk ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Një pjesë e hulumtimeve të deritanishme tregojnë se në vend ka dallim të madh në lartësinë e rrogave, dhe sipas një analize të Bankës Popullore vetëm 1,2 për qind e të punësuarve kanë marrë rrogë më të lartë se 40.000 denarë.

“Sipas lartësisë së rrogës mesatare neto, rreth 60 për qind e të punësuarve marrin rrogë neto prej 8.000 deri në 20.000 denarë, që është nën rrogën mesatare për vitin 2015. Kundrejt kësaj, vetëm 16,2 për qind e të punësuarve kanë rrogë të barabartë ose më të madhe se sa rroga mesatare neto. Nga ana tjetër, në kategorinë e të ardhurave më të larta mujore (mbi 40.000 denarë) bëjnë pjesë vetëm 1,2 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve” – thuhet në njërin nga raportet e BPM-së.

Gjendjen e këtillë me dallime të mëdha e potencojnë edhe ekonomistët.

“Problemi tjetër me rrogat në Maqedoni është se ato janë tepër të ulëta në krahasim me profitet e kompanive. Maqedonia është njëra nga vendet e rralla në Evropë  ku profitet e kompanive janë më të larta se sa rrogat e punëtorëve. Profitet në vitin 2014 (informata e fundit) kanë qenë 190 miliardë denarë, ndërsa mjetet e punëtorëve 176 miliardë denarë. Në Francë për shembull, mjetet e punëtorëve janë rreth 4 herë më të larta se sa profitet e kompanive. Kjo do të thotë se definitivisht ka hapësirë për rritjen e rrogave, veçanërisht të rrogës minimale” – shprehet për Portalb.mk Jovanoviq dhe shton:

“Arsyeja për gjendjen e këtillë me rrogat është se gjithë kohën zhvillojmë politika ekonomike që shkojnë në favor të pronarëve të kapitalit, e jo të punëtorëve. Përderisa kemi tatime të ulëta dhe “të sheshta”, ndihmë të vogël sociale, shpenzime të ulëta për arsimin dhe shëndetësinë, zvogëlim të të drejtave të punëtorëve dhe përparësi u jepen politikave pro-biznesit, gjendjet do të jenë të këtilla”.

Në dhjetor të vitit 2016, vlera e shportës konsumatore sindikale ka qenë 522 еuro, apo për aq para ka nevojë një familje që ta kalojë muajin. Nëse në një amvisëri kemi vetëm një të punësuar që e merr rrogën mesatare, kjo do të thotë se kësaj familjeje i mungojnë edhe 152 euro që t’i plotësojë nevojat themelore. Pjesa më e madhe e harxhimeve mujore apo 73,6% përfundojnë për ushqim dhe për banim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button