Pas paradës, Koreja e Veriut dështon në testimin e radhës

Vetëm një ditë pas paradës ushtarake të zhvilluar si për të treguar forcën mes rritjes së tensioneve në gadishull, Koreja e Veriut ka dështuar të lëshojë një raketë balistike në brigjet lindore të saj, të paktën nga sa njoftojnë zyrtarë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe ata amerikanë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se raketa balistike shpërtheu brenda pak sekondash nga lëshimi. Vetëm pak orë më herët, vendi i izoluar komunist kishte zhvilluar një paradë me ato që dukeshin të ishin raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, duke i bërë karshillëk Shteteve të Bashkuara, që kanë dërguar një grup goditës të flotës amerikane pranë gadishullit korean, transmeton Top Channel.

Deri më tani, edhe pse kundër rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka zhvilluar 5 teste bërthamore dhe një seri lëshimesh të raketave balistike. Zhvillimi më i fundit vjen në një kohë kur zv.presidenti amerikan, Mike Pence është nisur drejt kryeqytetit koreano-jugor, Seul, ku pritet të diskutojë mënyrat më të mira për t’i dhënë zgjidhje programeve raketore dhe bërthamore të vendit komunist.

“Koreja e Veriut u përpoq të testonte një tip të paidentifikuar rakete nga porti lindor Sinpo”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut, duke shtuar se lëshimi i së dielës dështoi, ndërkohë që po heton për të mësuar më shumë detaje.

Ndërsa pak më vonë, Komanda amerikane e Paqësorit konfirmoi testin e dështuar, duke shtuar se kishte pikasur dhe ndjekur atë që besohej të ishte një raketë balistike koreano-veriore.

“Raketa ka shpërthyer thuajse menjëherë pas lëshimit”, tha Dave Benham, komandant i Marinës amerikane. Një zyrtar i paidentifikuar amerikan tha se pak gjasa ka që ajo raketë të ishte ndërkontinentale, por hetimet po zhvillohen edhe në këtë drejtim.

Të shtunën, Koreja e Veriut shënoi 105-vjetorin e lindjes së presidentit themelues, Kim Il-sung, me një parada të madhe ushtarake në Penian, mes spekulimeve se udhëheqësi aktual suprem, Kim Jong-un mund të urdhëronte edhe një test të ri bërthamor. Ngjarja, ku përfshiheshin edhe raketa ndërkontinentale dhe balistike që lëshohen nga nëndetëset, ishte një shfaqje e qëllimshme force.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button