Dialog qortues me 36 shkronjat e alfabetit

Jeni duke na lodhur jashtëzakonisht shumë  me shkrimet  e përditëshme nëpër portalet apo gazetat elektronike, më këshilluan qortueshëm 36 shkronjat e alfabetit. Me fytyrat tuaja të përditshme jo vetëm që na keni lodhur, neve tingujve, po keni kërditur edhe miqtë e portaleve e fb-ve. Shyqyr që doli ky interneti me ato pjesëdrejtimet  mashtruese të fëbëskyviberaistagrameve për të na shitur mençuri, selfie, bukuri, mendtë i rrjepti e i shqepti. Çfarë do llojesh shushlakësh na shesin kopalla diturie e porosie, duke bërë bajram me veten,  se kush e di  sa të mençur janë me ato  shkrimet kopypastiane. Çfarë mendoni, ju  plagjiaturistë, se ne germat, jemi bar për t’i kullotur lexuesit me ushqime diturishë të rrejshme e falce? Se shkronjat janë lloji i akulloreve të renditura për të futur gjuhën e lëpyer secilit që i këndej? Se tingujt janë surle lodrash e  se lexuesit  luajnë sipas frymosjes suaj të përlyer me mendime të kriminalizuara e të korruptuara? Se alfabeti me 36 shkronja është lloj ëmbëlsire që secili mund t’i fut duartë aty? Alfabeti është i ndërtuar nga tingujt, shkronjat që janë simbole të fshehta, sekrete intelektuale mendore-shkencore e shpirtërore-artistike. Origjina e alfabetit është nga qielli i pazbuluar i Hermesit. Nga kjo mrekulli qiellore lindën edhe alfabetet e gjuhëve tjera në rruzullin tokësor, por motrat më të afërta të Hermesit janë  36 germat tona të transformuara prej Hermesit në Herma, prej Herma në Germa, vetëm populli ynë shkronjave ju thotë Germa, asnjë tjetër. Kjo është e veçanta e Alfabetit të gjuhës sonë e krijuar nga hermeneutika, e jo nga plagjiatorika dhe kopypastorika e  shkrimeve shkencore, filozofike e artistike.

Germat janë shkronja, prej shkronjave formohen mendimet; mendimet shkruhen në libra; librat duhet lexuar; pasi të lexohen duhet menduar, analizuar e gjykuar; prej gjykimeve dalin dituritë;  prej diturisë dalin pastërtitë mendore e shpirtërore; prej pastërtisë mendore e shpirtërore del origjinaliteti; prej origjinalitetit del sinqeriteti i të shkruarit; këtë sinqeritetin e të shkruarit e marrin plagjiaturistët dhe kopypastistët e bëjnë për vete. Sa e dhimbshme, sa e turpshme, sa ironike, sa komike, po dhe tragjike kjo e plagjiaturistëve dhe kopypastistëve. Doni t’i njihni, janë injorantë, dallohen sipas këtyre karakteristikave: ose heshtin para të diturve, ose kur flasin shprehin ashpërsinë,  egërsinë e tyre ofenduese.

Prandaj kujdes, dituria është pastërti, këtë dhuratë e marrin vetëm shpirtrat e pastër,  të përlyerve, plagjiaturistëve s’ju jepet kjo mrekulli, më thanë 36 shkronjat e alfabetit tonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button