NA KANË MJELË SI LOPË

Klithmat histerike për qërrimin e hesapeve me shqiptarët, për futjen e tyre në birë të miut dhe dominimin e përjetshëm mbi ta nuk janë të reja. Ata që kanë lënë do vite pas vetes i kanë të freskëta edhe bulërimat e para 20 viteve, e para 27 viteve, e kohës kur shqiptarët e shkretishtes ishin poligoni ku testohej durimi ynë për nevojat e hegjemonizmit serb. Si atëherë, si sot, shovinizmi i përkëdhelur i komshisë përmblidhet brenda platformës konstante albanofobe, sipas së cilës: Është irelevant përfaqësimi i bashkësive me 5, 20 ose 50 përqind. E rëndësishme është që mos ta lejojmë shndërrimin e Maqedonisë në shtet binacional, ashtu si duan shqiptarët përmes legalizimit të përdorimit të gjuhës dhe flamurit të tyre…

Kjo e shpjegon mirëfilli mllefin e kapardisur të së sotmes, që përplaset sallamadishëm mbi kurrizin e shqiptarëve – të vetmes etni që me zemërgjerësi të pakuptueshme i pranon bashkëvendasit, mu si u shtanget atyre: si gjuhë, si fe, si komb, si shtet.

Vakia e Zotit! Gjithë ky helm i derdhur kundër Gjuhës shqipe, që është folur këtyre hapësirave që nga kohët që nuk mbahen mend, përfshirë këtu edhe vitet e sistemit të egër totalitar që, ashiqare, po i bën shkëpurdhjet e mbrame pikërisht në vendin e çudirave.

Kush u ka faj komshive për vonesat historike, për papërjetueshmërinë me vetveten, për katandisjen e përjetshme n’qullnaja identitetesh? Ne nuk kemi marrë pjesë në zhvatjen e hises së tyre. Përkundrazi: na kanë mjelë si lopë t’xhalla t’Perëndisë dhe mbi kurriz tonin kanë ndërsyer cunamët e albanofobisë, kanë shëruar komplekset e ulëta dhe vesveset patologjike, sepse dashamirësinë tonë e kanë llogaritur një dajm si sakatllëk të lindur, që u jep kurajo t’na i fusin të dy këmbët në një çizme të vetme.

Si të kuptohen ndryshe kërcënimet e hapura për disipolinimin, dëbimin dhe shfarrosjen e shqiptarëve? Prej nga gjithë kjo urrejtje e popullit që në lëkurën e vet përjeton turpërime të vazhdueshme që lidhen me gjuhën, kombin, kishën, shtetin, simbolet shtetërore? Përse nuk kanalizohet urrejtja drejt mohuesve tradicionalë të tyre: grekërve, serbëve, bullgarëve…? Mos është në pyetje kompenzimi i fyerjeve me derdhje të pakontrolluara mllefesh ndaj atyre që aktualisht konceptohen për më të dobët e më budallenj? Në qoftë kështu, nuk e di a e meriton kush kosmopolitizmin naiv shqiptar, të manifestuar pa taktin dhe kodet e kuptueshme ballkanike.

Më e çutishmja është se, aktualisht, edhe përkundër insistimit të diplomacisë evropiane dhe amerikane për qetësimin e gjakrave, po shtohen legenët që trumbetojnë se në shtetin sovran, i cili paskësh qenë vetëm i tyre, nuk mund të përdoret e barabartë Gjuha shqipe, por nuk bëzanë njeri për eshtrat shqiptare të mbetura fushëbetejave të Sremit dhe kurvërive të tivareve e namenishaneve; nuk flet kush për ëndrrat e mbytura në gjak për një të ardhme plotësisht të lirë mes etnive të lira të botës; nuk shpalos kush plagët e sëpatave të rëna mespërmes mishit, ashtit dhe shpirtit shqiptar. Prandaj: mos të kujtojë dikush se heqja dorë prej deklaratës së nënshkruar nga subjektet politike shqiptare, ashtu siç pretendojnë ca ekspertë gjithollogë, do ta ndryshojë situatën. Një akt i tillë do ta legalizonte mirëfilli nëpërkëmbjen e mëtejme dhe do ta zgjonte oreksin donkishotesk të tjetrit për asimilimin tonë dhe braktisjen e tërësishme të vatrave stërgjyshore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button