Maqedoni, kriza politike mund t’i lë punëtorët pa rroga

Kriza politike e cila tani më një kohë të gjatë po mbizotëron në vendin tonë, po ashtu ka ndikuar mjaft negativisht edhe në ekonominë e vendit, ku sipas ekonomistëve rrezikohet edhe marrja e pagës mujore, nëse situata nuk ndryshon së shpejti.

Ekonomisti Visar Ademi, thotë për Portalb.mk se Maqedonia deri më tani ka mbuluar shpenzimet operative me anë të kredive dhe huazimeve që ka marrë nga jashtë, kurse sipas tij nëse një gjë e tillë ndalon se ekzistuari, do të thotë kreditë, shumë qytetarë në vend do të ngelin pa paga mujore.

“Ne e dimë se shteti jonë është shumë i varur nga kreditë që merr jashtë edhe fatkeqësisht ato kredi nuk përdoren për investime kapitale por përdoren për mbulimin e shfrytëzimit të shpenzimeve operative që ka shteti këtu hyjnë subvencionet, ndihmat dhe deri te pagat që marrin punëtorët. Çdo mungesë e këtyre parave që vijnë nga jashtë do të ndikojë që nesër pasnesër të hyjmë në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe të vjen deri te mospagesa e pagave të punëtorëve. Shumë ekonomistë deri më tani e kanë përmendur shpesh herë se këto kredi merren për pagesën e detyrimeve shtetërore”, thotë për Portalb, Ademi.

Ai shtoi se zgjidhja e vetme është formimi i një qeverie stabile dhe funksionale e cila do të dijë të menaxhojë me buxhetin shtetëror.

“Dihet që qeveria teknike nuk ka të drejtë të huazojë para për shkak se ka misionin e saj teknik dhe jo politik atëherë çdo mungesë e parave që hyn nga jashtë për t’i mbuluar këto shpenzime operative që ka shteti atëherë do të vijë një shok edhe më i madh ekonomik. Dihet që ne nuk kemi ndonjë ekonomi vibrante e cila sjell para nga sektori privat, pasi sektori privat po vuan krizën ekonomike, zgjidhja e vetme është se Maqedonisë i duhet një qeveri stabile, funksionale të cilët do ta mbanin buxhetin në nivele të larta”, shtoi Ademi.

Nga ana tjetër ekonomisti Branimir Jovanoviq thotë se kriza politike nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në buxhet.

“Nëse shikohen të dhënat e dy muajve të parë, të cilat i publikoi Ministria e financave mund të vërehet se të ardhurat e përgjithshme në buxhet janë në të njëjtin nivel si vitin e kaluar, madje ka një rritje të vogël prej 0, 2 për qind që tregon se edhe përkundër krizës buxheti ende nuk ka pësuar pasoja të mëdha. Gjithashtu nëse shikohen të ardhurat e ndara do të vëreni se ka rritje te të ardhurat tatimore, më së shumti në taksat mbi të ardhurat, gjë që vërteton se buxheti nuk është edhe aq keq”, tha ekonomisti Branimir Jovanoviq.

Gjithashtu hulumtimet që ka realizuar shoqata e Odave Ekonomike Gjermane në Maqedoni nxjerrin në pah se 51 për qind nga 71 kompanitë e anketuara, e cilësojnë si shumë të keqe gjendjen ekonomike, përderisa vetëm 10 për qind e kompanive të anketuara vlerësojnë se klima ekonomike në vend është e mirë për të zhvilluar biznes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button