Përvjetor të padrejtësive

Data e djeshme, 12 prill, mbahet mend në historinë më të re të këtij shteti si datë e dy ngjarjeve të pazakonshme dhe me shumë kontradikta. Ishte pikërisht 12 prilli i vitit 2012, dita kur ndodhi vrasja makabre e pesë personave, trupat e të cilëve u gjetën pranë Liqenit të Smillkovës. Më pas, përndjekja e këtij krimi mori emrin “Monstra”, dhe u shndërua në një process gjyqësor kontravers, ku që në fillim u shkel paturpësisht prezumimi i pafajësisë, dhe të dyshuarit nga ana e kryepolices së atëhershme, Gordana Jankullovska, u quajtën vrasës. Më pas, prokurorja që ndiqte rastin, Gordana Geshkovska, shpalli në fjalën e saj përfundimtare se të akuzuarit kanë kryer krimin pikërisht gjatë festës së Pashkëve, në mënyrë që të shprehin radikalizmin e tyre islamik dhe të ngjallin frikë dhe terror tek qytetarët. Të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën penale terrorizëm.

Askush nuk mund të paragjykojë se çfarë saktësisht ka ndodhur atë ditë, dhe a janë të fajshëm ose jo personat e dënuar, por çdo njeri i arsyeshëm e kupton mire faktin që me dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur nuk mund të dënohet dikush me burgim të përjetshëm për një vrasje tejet misterioze dhe lidhur me të cilën mund të ndërtohen teori të ndryshme të rastit. Askush nuk mund të harrojë që me dëshmi të dyshimta dhe jo të mjaftueshme gjykatat në këtë vend lehtësisht dhanë verdiktin për burgim të përjetshëm. Askush nuk mund të qetësohet me atë verdikt pasi të ketë ketë dëgjuar pëgjimet lidhur me rastin e Sopotit, ku qartësisht dëgjohet se personat e dënuar e që e kanë vuajtur dënimin për atë rast, janë në fakt të pafajshëm. Askush nuk mund të pajtohet me drejtësi selektive dhe me procese të montuara gjyqësore.

Sot, pesë vjet më vonë, ky rast ende mbetet misterioz. Prokuroria Speciale kërkoi t’i dorrëzohet ky rast në kompetencë, ndërsa Këshilli i prokurorëve, pa pasur asnjë ingerencë për këtë, refuzon sot e kësaj dite dorrëzimin e tij. Poashtu, askush nuk mund të harrojë që vitin e kaluar, kur Prokuroria Speciale kërkoi ndryshimin e Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, në mënyrë që të mund të kuptojë esencën e rasteve Monstra, Sopot dhe Neshkovski, deputetët e VMRO-DPMNEsë refuzuan të bëjnë ndryshimet e duhura, ndërsa deputetët shqiptarë “munguan” ose “nuk votuan” atë ditë! Askush asnjëherë nuk do ta harrojë atë turp!

Dhe derisa disa persona, me prova të dyshimta dhe jo të mjaftueshme morën dënimin maksimal, disa të tjerë të dyshuar, pikërisht me 12 prill, 2016, u falën me shumë zemërgjerësi nga ana e atij që mban titullin e presidentit të shtetit e që në fakt është turpi më i madh që ka përjetuar deri tani ky institucion. Derisa disa u dënuan me burgim të përjetshëm në bazë të pohimit të një dëshmitari të mbrojtur, të dyshuarit tjerë, krimet e të cilëve i dëshmoi e gjithë Maqedonia, duke dalluar qartazi zërin e tyre tek “bombat”, janë akoma në liri dhe për momentin, janë tërësisht të mbrojtur nga mburoja e institucioneve shtetërore ku secili prej tyre, duke filluar nga presidenti, parlamenti, qeveria e deritanishme, gjykatat nga ajo themelore deri në atë supreme e luajnë rolin e tyre me përpikshmëri të madhe.

E për çfarë drejtësie mund të flasim në këto kushte? Atë drejtësi që e kap vjedhësin e bankës për tri orë, por paratë çuditërisht nuk arrin ti shtijë në dorë? Apo për drejtësinë që dënon njerëz me dënime maksimale pa qenë e sigurtë në fajin e tyre? Ndoshta flasim për drejtësinë që i mbron të paprekshmit nga ligjet kur ata bien në hall. Ose për ata të shkretët që i zë policia duke shitur barishte pa dhënë llogari fiskale dhe akuzohen për dëm të pallogaritshëm në buxhetin e shtetit.

12 Prilli i vitit të kaluar ishte njëherit edhe dita kur filloi Revolucioni Shumëngjyrësh. Dita kur qytetarët e këtij vendi të bashkuar filluan luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit të atyre që deri më tani asnjëherë nuk janë përgjigjur për fajet e tyre. Ishte dita kur u tregua që qytetarët e këtij vendi mund të bashkohen dhe të kërkojnë së bashku dënimin e krimit që e prek jetën e të gjithëve, pavarësisht dallimeve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe pavarësisht statusit social. Ishte dita kur tek shumë njerëz u kthye besimi se ky vend mund të funksionojë ndryshe, dhe se problem kryesor, krahas të gjitha problemeve që i kemi, është mosdënimi i kriminalitetit të klasit të lartë dhe mbrojtja me ngulm e tij nga institucionet shtetërore.

Një vit më pas, kjo luftë duket që nuk ka mbaruar, dhe as që mund të jetë afër fundit. Një vit më pas kuptojmë që është shumë e vështirë të luftohet krimi kur ai ka kapluar të gjitha institucionet shtetërore që duhet ta luftojnë atë. Një vit më pas kuptojmë se shumë probleme mbesin të pazgjidhura, dhe shumë njerëz mundohen sërish ti fshehin ato ndër rogoz. Kështu, mundohen ta harrojnë Monstrën dhe të gjitha proceset tjera të montuara, mundohet ta harrojnë tentativën për falje të krimit, mundohen ta harrojnë dhe të mësohen me sabotimin që institucionet shtetërore ia bëjnë drejtësisë.

Dhe në gjithë këtë tentim për amnezi të përgjithshme dhe amnesti lokale, Gjykata supreme po bëhet gati të hedhë poshtë si të paligjshëm paraburgimin e të dyshuarit që gjendet në arrati! Një vit pas abolicionit, një vit pas revolucionit dhe protestave të përditshme, organet e drejtësisë në këtë vend nuk kanë mësuar asgjë dhe po i përsërisin gabimet përsëri e përsëri.

Dhe ne heshtim, e vitet kalojnë. Pas nesh mbesin ngjarjet dhe përvjetorët e problemeve që nuk zgjidhen. Pas nesh mbetet vendosmëria dhe këmbëngulsia për të mbrojtur krimin.

Dhe pyetja është kjo: A do të lejojmë që gjithmonë krimi ta mundë drejtësinë? Deri kur do mbesim peng i kriminelëve? Kur do vendosim të bëjmë ndryshimin e duhur për ne dhe për ata që vijnë pas?

Asnjë ndryshim nuk vjen lehtë dhe pa përpjekje. Asnjë ndryshim nuk është pa dhimbje.

Por asnjë ndryshim nuk fillon duke amnistuar krimin dhe duke rifaktorizuar kryersit e tij. Për krimin dhe korrupsionin duhet mbajtur përgjegjësi. Deri atëherë, nuk ka qetësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button