Merkel e “tmerruar” nga sulmi kundër ekipit të futbollit në Dortmund

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shprehur “e tmerruar” nga sulmi kundër ekipit të futbollit, Borussia Dortmund, ka thënë sot zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, derisa autoritetet e Gjermanisë po zhvollojnë hetime për lidhjen e mundshme të tri eksplodimeve me grupin ekstremist, Shteti Islamik, shkruan REL.

Një person me prejardhje islamiste është arrestuar nga autoritetet e Gjermanisë lidhur me këtë rast.

Nga këto eksplodime të djeshme është dëmtuar autobusi i ekipit.

Shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joachim, tha se mbrojtësi spanjoll i ekipit, Marc Bartra, është lënduar dhe ishte dërguar në spital. Ishte lënduar edhe një polic.

Incidenti ka ndodhur në vendin Hoeshten, afër qytetit Dortmund, derisa ekipi ishte nisur për takimin gjysmëfinal të Kupës së Kampionëve kundër Monakos.

Takimi është shtyrë për sot më vonë gjatë ditës.

“Kancelarja ishte e tmerruar nga lajmi për sulmin në autobusin e ekipit, sikur ishin të tmerruar edhe miliona njerëz çdokund”, u tha gazetarëve zëdhënësi Seibert.

Një letër, me të cilën merret përgjegjësia, është gjetur afër vendit të eksplodimeve, ka thënë prokurorja, Sandra Leucke, por pa dhënë detaje të tjera. “Po vërtetohet autenticiteti”, tha ajo.

Autoritetet e Gjermanisë nuk e kanë quajtur sulmin si terror i organizuar. Por hetimet janë marrë nga prokurorët federalë, pasi në përgjegjësinë e tyre përfshihen hetimet për terrorizëm.

Ralf Jaeger, ministër i brendshëm i shtetit Vestfalia Rajne Veriore, lidhur me këtë sulm tha:

“Ne po bëjmë çdo gjë të mundshme që prapavija e këtij sulmi, që tash për tash është krejtësisht e paqartë, të mund të shpjegohet sa më shpejtë”, tha Ralf Jaeger.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button