SHOQËRIA JONORMALE

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Në shtete e shoqëri normale mund të ketë probleme për krijimin e një qeverie, por njerëzit jetojnë qetë dhe pa frikën e shpërthimit të llavës së urrejtjes patologjike.

Nuk kanë frikë nga ndonjë luftë eventuale për kauza maskarenjsh.

Nuk shfaqen njerëzit e artit, kulturës për të shumëfishuar, me patetikë, parulla militare.

Nuk shfaqen “shpëtimtarët e kombit”, që i mbrojnë keqbërësit.

Nuk shfaqen “moralistët”, që sapo janë kthyer nga kurvëtoret politike.

“Sa më normale që të jetë shoqëria, aq më pak asaj i duhen moralistët publikë, shpëtimtarët e kombit apo intelektualët martirë”, thotë Slavenka Draguliq.

Shoqërisë normale nuk i duhen “shkrimtarët patriotë”.

“Shkrimtarët patriotë janë si kamarierët. Përherë janë në shërbim të dikujt”, thotë shkrimtarja kroate Dubravka Ugreshiq.

Fatkeqësisht ata janë shfaqur në ekrane, në rrugë, në sheshe.

Janë histerikë, flasin me patetikë kinse mbrojtjen e shtetit dhe kombit të rrezikuar.

Është ky imazh i parë në fillim të viteve 90-të, kur shoqatat e shkrimtarëve u bënë shtabe ushtarake.

Është ky imazh me inteligjenci shtetërore apo partiake, aspak kompetente, tepër servile, që joshet nga gjërat utilitare; një inteligjencë pa intelekt, që e para do t’ia kthejë shpinën “vozhdit të vjetër” sapo të forcohet “vozhdi i ri”.

Është ky imazh me elitë që është e keqja e çdo kombi.

Në librin “Elita më e keqe se turma” shkrimtari Nikola Kovaç shkruante se luftërat në Jugosllavinë e dikurshme së pari filluan në kulturë; se arti dhe historiografia u bënë diskurse qendrore të elitave të urrejtjes.

Enver Kazaz, në studimin “Elita e ideologjisë dhe kultura e krimit”, ku flet për librin e sipërpërmendur, thotë: “Lufta, falë shkrimtarëve dhe intelektualëve, u mbart nga letërsia dhe kultura në sferën ideologjike e politike. Më pas u zhvendos në institucionet e sistemit vrastar. Duke u keqpërdorur stereotipat, duke u krijuar imazhe negative për kombet tjera dhe duke u interpretuar historia si përleshje e përhershme ndërmjet kombeve, u krijua ideologjia e urrejtjes dhe kështu u bë përgatitja morale për praktikimin e krimit”.

Mjerisht nëpër rrugë e sheshe shohim sërish epigonët e intelektualëve të viteve 90-të.

Kanë të njëjtën strukturë mentale.

Si dikur, edhe tani, flasin me diskurse misionarësh e shenjtorësh.

Në shoqëri jonormale, si e jona, qytetarët e thjeshtë presin me padurim zemre krijimin e një qeverie.

Nuk është se besojnë shumë se ajo do ta bëjë më të mirën për ata, por vetëm duan që të mos ndodh e keqja e madhe, e paralajmëruar nga kasandrat e ligësisë, që pushtetin e konsiderojnë si trashëgim familjar.

Përse gjithë kjo rezistencë për ta mbrojtur pushtetin?

Sepse në shoqëri jonormale pushteti të jep gjithçka. Edhe gjërat që nuk i meriton. Të mbron nga çdo përgjegjësi për paudhësitë e bëra.

Këtë shoqëri jonormale, traumatizuese, të ankthshme, të trishtë, e kemi ndërtuar bashkërisht dhe, mjerisht, me heshtjen tonë, me qyqarinë tonë, me makuterinë tonë, po ua lëmë si “trashëgim” edhe brezave që vijnë.

Po u lëmë një shoqëri jonormale ku shurdhohesh nga thirrjet plot urrejtje dhe ku askush nuk jep përgjegjësi.

Po u lëmë një shoqëri jonormale ku të trokasin në derë keqbërësit dhe ta vënë shenjën e tradhtisë.

Po u lëmë një shoqëri jonormale ku duhet të presësh zgjidhje nga “kompromisi i arsyeshëm” që, në shoqëri normale, do të ishte vetëm një anonim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP