Në këtë përvjetor…

Të nderuar lexues, ky është përvjetori i pestë i portalit Portalb.mk. Misioni jonë është i qartë, jemi këtu t’ju ofrojmë lexuesve shqiptarë realitetin pa doreza, pa propagandë dhe pa kompromise. Kontributi i Portalbit në sferën e informimit është tashmë i njohur dhe i pamohueshëm, këtë na konfirmojnë lexuesit tanë besnikë. Duke shpërndarë informata që rreptësishtë respektojnë parimet gazetareske, duke spikatur objektivitetin dhe lartësuar vlerat etike, Portalbi u bë pjesë e pashmangshme e lexueseve si në Maqedoni ashtu edhe më gjërë.

Dita-ditës marrim lëvdata, për të cilat si ekip i mbajmë me krenari, jemi të hapur edhe për sugjerime dhe kritika konstruktive nga ata që vërtetë e kanë me rëndësi të ushqehen me informata kualitative. Për gabimet e bëra, dorën në zemër, kërkojmë falje.

Të nderuar lexues, të jem më e saktë, dritarja e Portalbit u hap me datë 6 prill të vitit 2012. Ka vetëm një arsye, që ky përvjetor nuk u shënua dhe kaloi në mënyrë jo-festive: thjeshtë nuk gjetëm forcë dhe motiv për të festuar. Jo që nuk jemi krenar për pesë vite punë, por për çfarë të festojmë? Të festojmë ditët e “arta” të gazetarisë, apo nivelin e “lartë” të lirisë së shprehjes në Maqedoni?

Realiteti në fakt, është i dhimbshëm.

Ne kemi sjellë kontributin tonë, megjithatë sa mjafton kjo??
Si kurrë më parë Maqedonia gjendet në një kaos medial, që më së shumti reflektohet në internet. Duke mos amnistuar edhe mediat klasike, gazetaria në vend është shndërruar në një sferë ku dominon mediokriteti, propaganda politike, lajmet sensacionale dhe të pa-verifikuara. Raportet e vendit dhe ata ndërkombëtare tregojnë qartë e thonë, përpos kualitetit të pakët, mungon edhe liria e mediave, ndërkaq në të njëjtën kohë vendi shënon rënie frapante të demokracisë.

Për këtë, përpos regjimit politik të cilin e përjetojmë edhe mediat kanë faj, duke mos luajtur ashtu si duhet dhe si pritet rolin e tyre në shoqëri.

Mediat në vend, posaçërisht ato të Internetit, pa pikën e ndërgjegjes shkelin mbi këto gjëra, mbi mundin tonë. Jemi dëshmitarë të një plagjiature të hatashme, replikim të pandërprerë të së njëjtës informatë, duke mos ndryshuar asnjë shkronjë, duke humbur në fund edhe vetë informatën ndërsa pallavrat mbisundojnë.
Jemi dëshmitarë të besueshmërisë së humbur të portaleve dhe mediave në përgjithësi, mu për shkak se lajmet e rrejshme (fake-news) po bën namin, virus që ka kapluar edhe Maqedoninë. Dhe si nuk pamë asnjërin të kërkojë falje që me të pavërtetat e tyre kanë dëmtuar dhe kanë ndikuar dhe ndryshuar mbase në fate njerëzore?

Mediat tona duke vrapuar për lexueshmëri dhe përfitime të ndryshme, kanë harruar të bëjnë gazetari, aq më shumë, të kenë ndërgjegje, ndershmëri dhe përgjegjësi, kanë harruar gjënë primare, të jenë njerëz dhe profesionistë.

Të nderuar lexues, me rastin e përvjetorit të pestë planifikojmë ndryshime dhe përmirësime, prandaj në vend të urimeve dhe festimit kërkojmë ndihmën tuaj, për të qenë më afër dhe sa më të dobishëm për ju. Prandaj, ju lutemi na sugjeroni, çfarë dëshironi të lexoni më shumë në Portalb.

Mund të komentoni në këtë link në Facebook-un tonë ose të na shkruani në koment, madje edhe ne emailin tone [email protected]

  1. Video-lajme (lajme të shkurtra nga Maqedonia)
  2. Hulumtime gazetareske për korrupsionin dhe shkeljet e ndryshme në vend
  3. Intervista me personazhe publike si dhe me talente të rinj
  4. Reportazha nga vende apo ngjarje interesante
  5. Më shumë lajme nga arti dhe kultura
  6. Me shume shkrime autoriale
  7. SHKRUANI IDENË TUAJ

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button