A po lind shumicë e re normale në Maqedoni

Anketa e NDI tregon ndarje në dy grupe në të gjitha pikat: shqiptarët, të rinjtë dhe të arsimuarit nga njëra anë dhe pleqtë, të paarsimuarit dhe shikuesit e Sitel e Kanal 5 nga ana tjetër. Votuesit shqiptarë vazhdojnë fluksin nga BDI drejt LSDM-së

Instituti NDI javën e kaluar ka publikuar një anketë me opinionin e qytetarëve për ngërçin politik në vend. Anketa përfshin një sërë temash aktuale si (zh)bllokimi i institucioneve, platforma shqiptare, qeveria e re, PSP-ja e të tjera. Publikut padyshim do t’i tërheqë më tepër vëmendjen rejtingu i partive, por anketa përmban një sërë indikatorësh tjerë që japin një pasqyrë të mirë për frymën politike në vend. Pa hyrë thellë në numra, që zatën mund të gjenden në sajtin e anketuesit, mund të konstatojmë se anketa flet për ndasi të madhe shoqërore, ku në njërën anën është një shumicë e re e përbërë nga shqiptarët, të rinjtë dhe të arsimuarit, kundrejt anës tjetër ku janë pleqtë, të paarsimuarit dhe në përgjithësi atyre që bien pre e propagandës së mediumeve si Sitel e Kanal 5.

Situata politike. Si problem kryesor të shtetit qytetarët bindshëm kanë identifikuar krizën politike. Pasojnë çështje ekonomike si papunësia, varfëria, kriza ekonomike dhe financiare, ndërsa tek në vendin e pestë është platforma e partive shqiptare.

Sa ju përket institucioneve më të besueshëm hë për hë janë Presidenti dhe PSP-ja. Mirëpo përgjigjet këtu kanë prerje të saktë në disa mënyra. Tek shqiptarët PSP është dyfish më e besueshme se Presidenti, ndërsa tek maqedonasit raporti është 3-2.5 në favor të Presidentit. Dallimi buron edhe nga niveli i arsimimit dhe mosha. Ata me arsim të lartë vlerësojnë dyfish më lartë PSP-në, tek ata me arsim fillor rezultati është baraz. Presidenti është në vend të parë vetëm tek ata mbi 55 vjeç, ndërsa kuoton shumë poshtë te grupmosha 18-34, ku udhëheq bindshëm PSP-ja.

Qeveria e re. Fajtor absolut për krizën shqiptarët e konsiderojnë VMRO-në, pastaj Ivanovin dhe BDI-në. Për maqedonasit fajtor kryesor është platforma shqiptare, por përqindje të larta marrin edhe LSDM, VMRO dhe Ivanovi. Njëjtë qëndron puna me rrugëdaljen nga kriza; shqiptarët preferojnë formim të qeverisë së shumicës, maqedonasit kryesisht zgjedhje të reja.

Megjithëkëtë, të ballafaquar me pyetje direkte, 61% e maqedonasve pranojnë se shumica mund të formojë qeveri. Në pyetjen nëse këtë qeveri ka legjitimitet t’a formojë LSDM, maqedonasit përgjigjen baraz me po dhe jo. Mirëpo me grupmosha pozitivisht janë përgjigjur 63% e të rinjve dhe vetëm 42% e pleqve. Te shikuesit e Sitelit shifra është vetëm 3%, të Kanal 5 23%, ndërsa të Telma, TV24 dhe Alsat mbi 80%.

PSP. Pyetja kyçe është nëse PSP-së duhet t’i vazhdohet mandati. Pozitivisht janë përgjigjur 47% e maqedonasve dhe 96% e shqiptarëve; 70% e të rinjve, 58% e moshave të mesme dhe vetëm 49% e pleqve. Sipas mediumeve: 10% të shikuesve të Sitelit, 33% të Kanal 5, 84% të Telmës, 91% të Alsatit dhe 92% të TV24.

Pre edhe për këtë çështje ka ndarje të qartë në dy blloqe. Nga njëra anë pleqtë maqedonas që ndjekin megafonët e pushtetit dhe nga ana tjetër të rinjtë dhe shqiptarët.

Platforma. Perceptimi i platformës së partive shqiptare është rrëfim paradoksal në vete. 82% e qytetarëve nuk e kanë lexuar fare, por 61% mendojnë se janë të informuar për përmbajtjen e saj! Natyrisht ndasitë këtu janë të pritura. 46% e maqedonasve mendojnë se platforma është përzierje nga jashtë, por vetëm 26% mendojnë se ajo tejkalon marrëveshjen e Ohrit.

Megjithatë maqedonasit dhe shqiptarët ndajnë mendim të njëjtë në një pikë. 30% e të dy palëve mendojnë se ajo është tentim populist për të fituar poena politikë, ndërsa vetëm 15% mendojnë të kundërtën. Pra të gjithë qytetarët e Maqedonisë kanë qëndrim skeptik ndaj qëllimeve të vërteta të platformës shqiptare.

Rejtingu i partive. Pika që ju intereson më së tepërmi qytetarëve në këtë anketë është parashtruar ndryshe. Anketuesi nuk ka pyetur se për cilën parti do votoni, por si ju ka ndryshuar mbështetja ndaj një partie të caktuar.

Kështu tek maqedonasit VMRO ka rritje të mbështetjes për 19% dhe zvogëlim për 15%, apo në total ka konto pozitive +4%.

LSDM te maqedonasit ka efekt total -15%, por te shqiptarët ka rritje +33%.

Ndërkaq duket se LSDM po e tërheq mbështetjen nga votuesit e BDI-së. BDI te shqiptarët ka zvogëlim 29% dhe rritje 13%, apo në total -16%.

Lëvizja Besa ka qëndruar në vend pasi ka rritje 8% dhe zvogëlim 8%.

Aleanca ka rritje 6% dhe zvogëlim 8%, apo në total -2%.

Në fund PDSH ka rritje 2% dhe zvogëlim 9%, apo në total -7%.

Pra anketa flet për një rritje të vogël të VMRO-së, përderisa LSDM është dobësuar te maqedonasit, por po i kompenzon me mbështetës të rinj shqiptarë. Fluksi drejt LSDM-së po shkon në dëm të BDI-së, e cila vazhdon të fundoset edhe pas zgjedhjeve. Partitë e reja shqiptare vazhdojnë të vendnumërojnë.

Konkluza. Në pamje të parë duket se perceptimi i qytetarëvë vërtetë është shqetësues. Qëndrimet e popullsisë maqedonase për çështje si qeveria, PSP-ja e platforma, si dhe rritja sado e vogël e rejtingut të VMRO-së tregojnë se nacionalizmi i egër populist i saj po jep rezultate. Kjo është shenjë se ngërçi politik mund të vazhdojë dhe duket se në vend ka potencial të mjaftueshëm për të shkaktuar probleme të reja.

Nga ana tjetër disponimi qytetar i matur kësisoj jep shpresa për të ardhmen. Në horizont duket krijimi i një shumice të re normale, të përbërë nga të rinjtë, të arsimuarit dhe shqiptarët, shtresa që ndikohen më pak nga retorika nacionaliste-populiste dhe janë më syçelë ndaj mashtrimeve të pushtetit. Në pakicë mbesin forcat retrograde, ata që lehtë bien pre të manipulimeve me nacionalizëm për të mbuluar krimin, që ushqehen me propagandën e Sitel dhe Kanal 5. Anketa konfirmon se këta janë kryesisht pleq dhe të paarsimuar.

Sa ju përket partive politike, anketa është një alarm tjetër për partitë e reja shqiptare. Nëse BDI dhe PDSH duket se kanë marrë rrugën për histori, qytetarët e dëshpëruar shqiptarë nuk shohin shpresë te Besa dhe Aleanca, por po kalojnë direkt te LSDM-ja. Opozita shqiptare urgjentisht duhet të rishikojë mesazhin e saj, sepse këta votues nuk do të kthehen pas veç sa për të thënë se votuam parti shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button