Pheniani: Jemi të gatshëm për sulm bërthamor parandalues

Zyrtari i lartë ushtarak i Koresë së Veriut Hwang Pyong-so tha se Pheniani është gati për sulm bërthamor parandalues të Koresë së Jugut dhe SHBA-ve, pas vendimit të marinës amerikane për të dërguar aeroplanmbajtësen Carl Vinson dhe flotën e saj në ujërat e Gadishullit Korean, raporton Anadolu Agency (AA).

Hwang Pyong-so, këshilltari ushtarak i liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, ka kërcënuar SHBA-të dhe Korenë e Jugut, gjatë një transmetimi televiziv në prag të 105 vjetorit të lindjes së Kim II-sung, themeluesit të Koresë së Veriut.

“Koreja e Veriut do t’i shkatërrojë pa gjurmë nëse tentojnë të kryejnë agresion”, ka thënë Hwang Pyong-so.

Ministria e Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut një ditë më parë njoftoi se “SHBA do të konsiderohet plotësisht përgjegjëse për pasojat shkatërrimtare të operacionit të tyre”.

Në Korenë e Jugut fqinje janë rritur shqetësimet se SHBA-të mund të kryejnë sulm ndaj Koresë së Veriut, pas sulmit me raketa në bazën ushtarake siriane si përgjigje të sulmeve kimike të javës së kaluar nga regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad ndaj civilëve.

Megjithatë, Seuli zyrtar ka përsëritur se nuk do të ketë operacion ushtarak të SHBA-ve kundër Koresë së Veriut, pa konsultim paraprak me Korenë e Jugut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button