Në Reçicë të Vogël, pas 15 viteve shqiptarëve të Maqedonisë u erdhën minutat

Perandori i fundit romak Kostandini i madh me origjinë ilire, i lindur në NISH kur pa që Paganini po jepte shpirt, i shtrirë në shtrat para vdekjes, kishte parë Krishtin me kryq në qiell. Në fund perandori i fundit romak u konvertua në krishterë. Ali Ahmeti, duke parë që Nikolla Gruevski dhe partitë VMRO DPMN po jepnin shpirt, në fund ai veproi sikur perandori i madh Kostandini. Nga një antikrisht, u bë Krisht. Një nga deputetët dora e djathtë dhe pinjoll i Ali Ahmetit, sipas shumë të dhënave, thuhet se do të jetë pasardhësi i liderit të BDI. Pinjolli i Ali Ahmetit ne Top – channel deklaroi se në Reçicë të Vogël, pas 15 viteve shqiptarëve të Maqedonisë u erdhën minutat. Ai tha se në Reçicë të Vogël, dy liderët e dy partive më relevante të Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev janë gjunjëzuar dhe përulur. Pas 15 vitesh BDI ne i sollëm në pozicion partitë, para kapitullimit, i futëm në birucë të miut. Minutat dhe ora kishin ardhur që para 15 vitesh por ishin ndalur, ishte ndalur rrota e historisë. Por vallë kush ishin protagonistët dhe aktorët kaq vite, që kishin ndalur rrotën e historisë. Ishte Nikolla Gruevski me oponentët dhe ordinerët kriminelë të BDI-së, me liderin Ali Ahmeti si fantazmë që i kanë ndihmuar Nikolla Gruevskit të qëndrojë në pushtet. Entuziazmi, ngazëllimi, iluzionet donkishotiste për kreun e BDI ishin cinike, qesharake dhe banale. Po të ishin edhe në opozitë, ata nuk duhet të merren me lavde dhe ëndrra të kota. Në zgjedhjet e kaluara një pjesë e votuesve i ikën BDI-së, dhe vajtën tek lideri opozitar Zoran Zaev. Në Reçicë të vogël, thotë ky deputet kishin ardhur minutat kur Zoran Zaev me ish votuesit e tyre nga nostalgjia dhe dashuria e paharruar, ishin nisur dhe në mes të natës paskan trokitur tek porta e BDI duke iu lutur dhe gjunjëzuar atyre. Ata, të nesërmen kishin shpallur triumfin, fitoren dhe ngadhënjimin. Ju, deri tani zotëri gjithë betejat i kishit humbur. Por sikur të kishit fituar gjithë betejat dhe luftën prapë duhet të respektonit armikun. Qemal Ataturku kishte sfiduar gjithë fuqitë e mëdha. Me çlirimin e Izmirit, ushtarët kishin zënë rob gjeneralin grek dhe e kishin sjellë tek komandanti. Ai e përshëndeti gjeneralin dhe ia dha dorën. Nxori një cigare, duke pirë kafe. Ataturku i tha gjeneralit se armiku duhet respektuar. Të gjithë ata që e kanë injoruar dhe nënçmuar armikun i kanë humbur luftërat. Në fund Ataturku i tha gjeneralit grek keni luftuar dhe treguar heroizëm por nganjëherë lufta është fat. Për situatën e krijuar kaotike dhe fatale, përveç Nikolla Gruevskit përgjegjësi mban lideri Ali Ahmeti dhe oponentët politikë të partisë së tyre. BDI ka pasur mundësi për të zgjidhur ngërçin. Të jesh aleat, të rrish në koalicion më se 10 vite, me një xhelat dhe armik të përbetuar që ka përdorur gjithë mekanizmat shtypjen diskriminimin e popullit tënd të mos zbulosh sekretet dhe enigmën, është paradox absurd dhe naivitet. Është dobësi e lidershipit, vision i verbër, amator dhe tinejxhër politik. Duke pritur me vite sikur mushkat e Benito Musolinit (Duçes) të ngarkuara me municion të cilave ua varnin para syve një tub kashte duke i ndjellur tërë gjithën. Duke i ndjellur Gruevski si mushkat e Duçes ai sillej me liderin dhe politikanët e BDI si një tutor i çerdheve të fëmijëve. Duke treguar mëshirë dhe nder ndaj tutorit ata nuk ja kanë kthyer fjalët dhe nuk ja kanë prishur qejfin. Opsioni i dytë është se ata paskan vepruar në mënyrë të vetëdijshme të dlirtë, loajal dhe me ambicie për pushtet. Të rrethuar nga oligarkë të korruptuar dhe inkriminuar, duke ua ofruar ndonjë tender dhe në fund duke ua lagur fytin me nga një gisht mjaltë. Ali Ahmeti dhe BDI kishin mundësi të përdornin mjete dhe skenare të ndryshme, që çonin në mbylljen e kapitullit të Marrëveshjes së Ohrit.

Medalja do i takojë Zoran Zaevit’

Marrëveshja e Ohrit ishte e garantuar nga ndërkombëtarët. Vegza ishte gjetur kishte mbetur vetëm për ta ngrehur. BDI kishte legjitimitet dhe përkrahje të shumicës së popullatës. Ajo dhe pa PDSH kishte forca pasi PDSH ishte shndërruar në distributor, firmë private me aksionerë të varfër. BDI dhe lidershipi sot, kishte forca të vazhdonte protesta masive, të ngujonte çadra para parlamentit, duke vazhduar me bojkot dhe krizë parlamentare. Në fund tu bëjë me dije Ali Ahmeti ndërkombëtarëve në të ardhmen eskalime për trazira, konflikte. Ne nuk do të mbajmë përgjegjësi ‘efekt domino’. Në fund do të ndërhynin ndërkombëtarët, do të ulnin palët në tryezë dhe do të realizoheshin kërkesat të dala nga korniza e Ohrit. Sipas ekspertëve analistëve në të ardhmen ekzistojnë shumë skenare për zgjidhjen e konfliktit në Maqedoni. Nëse realizohen kërkesat e shqiptarëve si alternativë maqedonasit, do të shohin që platforma ashtuquajtur e Tiranës ose platformë e subjekteve politike shqiptare, nuk rrezikon shtetin unitar dhe se kërkesat e shqiptarëve janë dashur të plotësohen para një decade. Situata dhe tensionet etnike do të ulen, Maqedonia do vazhdojë rrugën drejt antarësimit në BE dhe NATO. Qeveria e re, do të vazhdojë reformat dhe progresin ekonomik. Po të plotësohen kërkesat e shqiptarëve merita nuk do tu takojë liderëve shqiptarë dhe BDI-së. Medalja do ti takojë liderit karizmatik Zoran Zaev. Meritat dhe kontributet do tu takojnë votuesve shqiptarë që rebeluan dhe ja dhanë votat liderit opozitar, Zoran Zaev për ti dhënë grusht Nikolla Gruevskit VMRO DPMN dhe sfiduar BDI-në, kurse mirënjohje dhe falenderimi do tu takojë liderve dhe politikanëve të Shqipërisë që u dhanë ultimatum dhe kritika, dhe në fund i ngrehën për veshësh dhe i ulën së bashku për platformë të përbashkët të partive shqiptare dhe zgjidhjen e kauzës së shqiptarëve të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button