Tito, lideri ndryshe ballkanik?

Recension mbi librin “Tito, rasti i jashtëzakonshëm”
 
Një shekull më herët nga ky që e jetojmë aktualisht, liderët politikë kishin fuqi thuajse absolute mbi çdo fushë të jetës. Më e rëndë hija e liderëve ishte sidomos në lindje të Europës, ku u “ngulën” njëra pas tjetrës diktaturat duke premtuar parajsën e shndërruar në ferr në fundin e vet të rrugëtimit. Liderët politikë të shekullit XX ngjanin si mbretërit e mesjetës, me kompetenca mbi gjithçka. Këta liderë kishin egërsi tepër të madhe, të jashtëzakonshme, edhe për shkak se pushteti i tyre e kishte bazën te lufta dhe gjaku. 
 
Kësisoj, me siguri ndikuar edhe nga gjaku i luftës, dhuna e përdhuna, u “prodhuan” liderë si Stalini në ish-Bashkimin Sovjetik, Nikolai Çaushesku në Rumani, Teodor Zhivkov në Bullgari. Ndër këta liderë, bashkëkohës i tyre ishte edhe Jozif Broz Tito, një kroat komunist, me shkollë të pakët, që politikën e kishte si të lindur. Tito në fakt ishte ndryshe nga liderët e tjerë ose të lartpërmendur dhe dua të cek pikat ku ai ndryshonte me liderët e tjerë të Europës Lindore, që kam mundur të gjej te libri “Tito, rasti i jashtëzakonshëm”. E para është se edhe pse Beogradi u çlirua nga ana e Ushtrisë së Kuqe të BS, sërish Tito nuk i qëndroi vrullit gjakatar stalinist, por ndryshoi politikë. Ndërsa liderët e tjerë në Europën Lindore ishin si kukulla në dorën e Stalinit, që idhull kishin pra liderin e ish-Bashkimit Sovjetik, kjo gjë nuk ndodhi me Titon.    
 
E dyta, Tito për mirë apo për keq shoi nacionalizmat , kryesisht të ndezura mes serbëve dhe kroatëve ku secila etni kishte edhe formacione militare të rrezikshme, rspektivisht çetnikë dhe ustashë. Shqiptarët, për hir të realitetit, ishin më të tërhequr ndaj politikave të Titos dhe Jugosllavisë dhe nuk besonin fort atë politikë, shpjegohet në libër. Kjo tregohet edhe me shembuj. Në Kosovën e banuar kryesisht nga shqiptarët etnikë, serbët ishin ata që përfaqësonin shtetin e sotëm, për shkak se shqiptarët nuk pranonin pozicione politike në ish-Jugosllavi. Shqiptarët nuk e besonin gjithashtu politikën e “bashkim-vëllazërimit” titist.
 
E treta cilësi e Titos ishte ajo se me pasaportë jugosllave lëvizej lirë në shumë shtete të të Europës dhe të botës, e shndërroi Jugosllavinë shtet me peshë rajonale europiane e në mos edhe botërore, si vend që ishte mes lindjes dhe perëndimit e nuk anonte veç nga njëra anë, modemos. Gjithashtu, barazia sociale ishte disi realitet. Barazia sociale kishte përpjekje të mëdha për të qenë realitet si në Kosovë, ashtu në Serbi, edhe në Kroaci.
E katërta është se Tito, përpos meritave që lartpërmenda, kishte edhe të meta. Ai qëndroi në politikë shumë gjatë, duke e merituar emërtimin e diktatorit. Gjithashtu, Tito vrau, hoqi nga ushtria, spastroi shumë ushtarakë e elementë te tjëre në çdo fushë të jetës. 
 
Pika e pestë që do të përmendja është se në fund të viteve 1980, ende pa u shkatërruar Jugosllavia, gjykatat jugosllave kishin dënuar për idetë e tyre nacionaliste Vojislav Sheshelin dhe Franjo Tuxhman, njëri nacionalist serb, kurse tjetri kroat. Kur këta dy figura u dënuan, reaguan organizata të të drejtave të njeriut si “Amnisty International” duke nënvizuar se po shkeleshin të drejtat e njeriut Perëndimi në fakt e dënon çdo krim që ndodh në Lindje, kryesisht në çdo rast duke marrë për bazë standardet në shtetet europiane e perëndimore dhe jo kushtet politike e sociale. E vërteta është se koha dëshmoi se Tuxhmani e Shesheli veçanërisht ishin dy qenie njerëzore e politike të rrezikshme, që futën ethet në Ballkan dhe shpallën luftë, duke shkatërruar e rrënuar edhe atë Jugosllavi që ishte.
 
Mirëpo, Tito sidoqoftë ishte lider ndryshe dhe jo kukull e Stalinit dhe kjo gjë shpjegohet më së miri në librin “Tito, rasti i jashtëzakonshëm”. Tito mund të ketë pasur shumë të meta dhe mund të numërohen shumë, ama i ktheu shpinën një peshkaqeni të madh, një gjakatari të etshëm për pushtet si Stalini dhe kjo ishte merita e tij më e madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button