Maqedoni, vështirësitë e të qenurit prind i vetëm

Në kohën moderne struktura tradicionale familjes e përbërë nga burri, gruaja dhe fëmijët, ka filluar që të zëvendësohet nga forma të tjera të jetës familjare, pasi që me rritjen e numrit të divorceve shtohet edhe numri i fëmijëve që rriten nga njëri prind. Vetëm gjatë vitit 2016 në Maqedoni, 33 fëmijë kanë paraqitur raste në të cilat u është mohuar e drejta e tyre në Ambasadën për fëmijë “Megjashi”.

“Është e vështirë të rrisësh fëmijën vet, edhe pse unë kam ndihmë edhe nga ish bashkëshorti po megjithatë kur fëmija është i vogël nuk i kupton gjërat, shpesh herë më thotë ‘mami pse nuk vjen babi këtu’, ose kur e dërgoj te i ati më thotë ‘mami rri edhe ti’, që është gjë shumë normale, mirëpo rrethanat ishin të atilla që martesa jonë përfundojë për të mirë. Është vështirë po me kujdes dhe dashuri gjithçka arrihet. Por gjithashtu mund të them se edhe ndonjë ndihmesë apo përkrahje më të theksuar nga shteti nuk do të ishte keq të kishim, ne nënat që rrisim fëmijët vetë”, tha për Portalb një nënë shqiptare e cila do që të qëndrojë anonim.

Profesoresha e psikologjisë Blerina Bela, thekson se dukuria e shtuar e divorceve ka ndikim drejtpërdrejtë te fëmijët.

“Ajo që ndodh jashtë mureve të shtëpisë së tyre, ndikon tek ata në çdo orë të ditës. Koha që më parë përdorej për aktivitetet e familjes, tani kalohet duke kërkuar në Internet, përpara televizorit, në telefon, në makinë, duke rendur sa në një aktivitet në tjetrin.
Gjithashtu, presionet ekonomike ushtrojnë një ndikim të fuqishëm. Komoditetet e botës moderne e kanë një çmim, kështu që numri i prindërve që iu duhet të punojnë po rritet. Jeta në një shoqëri ku është e mundur të ndryshosh punën ose vendbanimin ka bërë që shumë njerëz të jetojnë e të punojnë larg mbështetjes së rrethit familjar, dhe madje në disa raste edhe larg bashkëshortes. Përveç kësaj, shumë gra janë më tepër të arsimuara dhe më të afta për të mbajtur veten, kështu që martesa nuk përbën më një kusht ekonomik për të qenë nënë, por që normal kjo gjë ndikon shumë te fëmijët”, tha për Portalb, Bela.

Ajo shtoi se megjithatë, përhapja e madhe e familjeve me një prind përbën shqetësim, sepse prindërit e vetëm dhe fëmijët e tyre mund të vuajnë nga stresi emocional, problemet ekonomike dhe një gjendje shoqërore e pafavorshme.

“Disa mund të pyesin veten nëse është e mundur që një prind i vetëm t’i rritë fëmijët me sukses. Cilat janë disa nga sfidat e veçanta që hasin familjet me një prind? Si mundet një person që është prind i vetëm ta përballojë me sukses detyrën e vështirë të rritjes së fëmijëve?. Normal që mundet, por nuk përjashtohen pasoja që mund të pësojë fëmija”, shtoi Bela.

Nga Ambasada për fëmijë Megjashi njoftojnë se gjatë 2016 pranë këtij institucione 33 fëmijë kanë paraqitur raste në të cilat u është mohuar e drejta e tyre.

“Sipas statistikave të vitit që lamë pas, pranë Ambasadës tonë janë paraqitur 33 raste të fëmijëve të cilëve u është shkelur e drejta gjatë divorcit të prindërve. Këto raste janë ndarë në disa kategori, ku 4 fëmijë panë paraqitur rast të shkeljes të së drejtës kujdestarisë, 24 fëmijë kanë paraqitur raste që iu është mohuar takimi me njërin nga prindërit dhe 5 fëmijë kanë paraqitur raste të mohimit të takimit të gjyshërve”, thotë për Portalb, Kristjan Pavlovski nga Megjashi.

Kurse sa i përkët ndihmesave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) lidhur me këto raste, nga ky institucion thonë se pranë tyre kanë të paraqitur prind të vetëm që kërkojnë ndihmë sociale, po shuma e saj varet nga shumë faktor.

“E gjitha varet nga rasti që kemi, ne ofrojmë ndihmë për prindërit e vetëm dhe japim shtesa për fëmijët që jetojnë vetëm me njerin prind, por në shumën e caktuar varen shumë faktorë, si për shembull a është prindi në punë, paga që ai/ajo merr, ku jeton fëmija në çfarë gjendje është familja ku rritet fëmija. Sa të ardhura kanë si familje, të gjitha këto merren parasysh dhe vendoset shuma të e cila ndahet për këto raste”, thonë për Portalb nga MPPS. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button