Patriotizmi i munguar ekonomik i shqiptarëve

Si entuziast i automobilizmit, shpesh lexoj dhe shikoj materiale të kësaj fushe. Një ditë te ueb faqja e revistës britanike për automobilizëm “Autocar”, gjeta të dhëna për veturat më të shitura nëpër shtetet e ndryshme evropiane për vitin 2016. Ajo që më la mbresa ishte se në shumicën e shteteve që kanë prodhues veturash, vetura më e shitur ishte veturë e ndonjë prodhuesi vendor. Në Francë për vitin 2016 veturë më e shitur ka qenë Reno Klio, në Gjermani VW Golf, në Çeki Shkoda Oktavia, në Itali Fiat Panda. Përjashtime të vetme të kësaj rregulle janë Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia (për herë të parë pas plot 54 vjetësh) ku vetura më të shitura nuk kanë qenë të ndonjë prodhuesi vendor. Për më tepër, në Francë, nga 10 veturat më të shitura, 9 kanë qenë franceze, ndërsa në Gjermani nga 10 veturat më të shitura 9 kanë qenë gjermane! Statistikat për Evropën më çuan të kërkoj edhe për të dhënat në Japoni, një shtet gjithashtu me industri të fortë automobilistike. Atje për vitin 2016, nga 30 modelet më të shitura, 30 janë vetura japoneze!

E gjitha që u tha më e lartë është tregues për një patriotizëm të fortë ekonomik te shtetet që kanë industri të tyre automobilistike. Shembullin e tyre duhet ta ndjekim edhe ne shqiptarët. Ne për fat të keq nuk kemi industri të automobilizmit, por pa dyshim që edhe ne mund të tregojmë patriotizëm ekonomik në prodhimet tjera.

Poashtu, shqiptarët përveç se në blerjen e prodhimeve shqiptare, patriotizëm ekonomik mund të tregojnë edhe në një mënyrë tjetër: duke i bojkotuar prodhimet serbe. Kjo është më se normale për një popull që ka pësuar aq shumë të këqija nga serbët dhe vazhdon të shohë edhe sot e kësaj dite. Është shokuese që në Kosovë vetëm në vitin 2016 janë importuar mallra serbe në vlerë prej 389 milionë eurove ndërsa për vite me radhë Serbia është eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë! Nëse nuk blejmë prodhime shqiptare (sepse ndoshta nuk kemi për të gjitha nevojat) së paku mos të blejmë prodhime serbe!

Pas Luftës së Dytë Botërore gjermanët u detyruan t’iu paguajnë reparacione shteteve tjera. Një nga ato shtete ka qenë edhe Izraeli. Por kur është nënshkruar marrëveshja për reparacione midis Izraelit dhe Gjermanisë Perëndimore, ka patur rezistencë të fortë nga grupe izraelite që kanë kundërshtuar diçka të tillë. Izraelitët kanë kundërshtuar reparacione nga Gjermania, shqiptarët blejnë prodhime nga Serbia!

Sa i përket bojkotit të prodhimeve serbe, ndonjëherë dëgjoj: “por shumë shqiptarë do mbesin pa punë nëse bojkotohen prodhimet serbe”. Ky argument nuk mban. Importimi i prodhimeve serbe është reflektim i shijes sonë, importuesit thjeshtë na e japin atë që ne e kërkojmë. Kur të bjerë në mënyrë drastike kërkesa për prodhime serbe, importuesit do të na ofrojnë prodhime nga shtetet tjera. Për më tepër, nuk ka asnjë kompani shqiptare ekzistenca e së cilës varet vetëm nga importimi i prodhimeve serbe.

Nëse nuk ka alternativë jo serbe të ndonjë prodhimi që duam ta blejmë, blerja e tij mund të jetë e pranueshme. Por s’ma merr mendja që ka diçka që e prodhojnë ekskluzivisht serbët ndërsa të tjerët nuk janë të aftë ta prodhojnë.

Patriotizmin ekonomik mund ta ndihmojnë edhe prodhuesit shqiptarë. Ata duhet të na ofrojnë prodhime cilësore me çmim të pranueshëm. Duke blerë prodhime shqiptare e ndihmojmë vetveten. Duke bojkotuar prodhime serbe e dëmtojmë armikun. Se çka do të blejmë vendimi është i yni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button