Kadareja të enjten në Kosovë për çmimin “Letërsia shqipe”

Shkrimtari shqiptar me fam botërore, Ismail Kadare, të enjten do të qëndrojë në Prishtinë. Gjatë ditës ai do të takojë disa krerë institucionalë, përderisa në orën 11:00 do të pranojë çmimin e Ministrisë së Kulturës, “Letërsia shqipe”, shkruan Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën shefi i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, Ndue Ukaj, shkruan sot “Koha Ditore”. “Shkrimtari Kadare do të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit”, ka thënë Ukaj për solemnitetin që do të mbahet në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

Kadare është laureati i parë i çmimit “Letërsia shqipe” që sivjet është themeluar nga MKRS-ja. Sipas Ministrisë së Kulturës, ky çmim i veçantë jepet për personalitete, të cilat, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, në ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Çmimi i themeluar muajin që shkoi ka vlerë financiare prej 10 mijë eurosh dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button