POREZNIKI

Vitet e largëta 50. Verë. Kasneci troket në derë. Troket tri herë. Lita ka rënë mbi hambar të pushojë. Herën e parë kur troket dera, ai përton të çohet. Herën e dytë mendon se njeriu që troket do të jetë larguar kur të dalë ky. E herën e tretë thotë: “Ngrou more Litë! Dhe del. Te dera kasneci i fshatit.

“Hë, Xi? Xhi paska krajs”? Kasneci u zverdh në fytyrë kur e pa Litën. E kishte fqinj dhe i vinte vështirë t’ia thotë lajmin e keq. Të gjorit kasnec edhe frymëmarrja iu shpeshtua, edhe pështyma në gojë iu tha, edhe zemra nisi t’i rrahë më shpejt, edhe gjuha iu lidh.
“Fol o Xi, xhi je drunau kshau”? e pyeti Lita kasnecin.
“O Litë”… u mundua kasneci, por u ndje sikur buzët t’i kishte pasur të qepura. Nuk mundi ta vazhdojë fjalën.
“Fol o Xi!” përsëriti Lita. “Nuk ka krajs qameti çi ije marrë kshau”!
“Porezniki!”, tha Kasneci. “Porezniki do vaje to ta bastajsje shpajnë”!
“Porezniki? Punë e madhe! Le t’vaje, o Xi. Xhi do marre? Pjeshtat? Le t’i marre”!

E shoqja e Litës, Zizja, një bukuroshe, diku nja tridhjetë vjeçe, me sy të kaltër, buzë të mishta, qafë të gjatë, me gërshetat e gjata lëshuar shpinës e shtegthin e flokëve të ndarë me kujdes, që ishte duke ujitur ulet pranë derës së madhe, e dëgjoi bisedën.
“O njeri?!” iu drejtua ajo të shoqit.
“Hajt, Zize, çlloj taj lulet”.
Zizja nuk e zgjati. Shkoi midis kumakëve e syzezave për të cilat kujdesej me përkushtim të veçantë, por kërshëria nuk e lente të qetë. E mundonte dilema e përcjellë me droje, sepse ajo e dinte se kur vjen kasneci të trokasë te dera, diçka e parëndomtë duhet të pritet. Zakonisht për të keq.
Lita shpejt e mbylli derën e madhe dhe i bëri zë të shoqes:
“Oj grue, hajde banma ni kafe se du t’dal terma”. Ai deshi të dalë ta marrë vesh se çfarë ishte puna që kështu erdhi kasneci ta paralajmërojë.
Zizja e hodhi shatin e vogël me të cilin i mbathte lulet me dhe dhe me një të ecur të sutës, do të kisha thënë, shpejt shkoi në shtëpi të zjarrit dhe kafja u bë. Por, sa e mori filxhanin Lita, pa e provuar kafenë, dera sërish trokiti.
“Xhit t’nanës kanë kto sot”? tha Lita dhe shkoi ta hapë derën. Mund ta merrni me mend se çka pa ai jashtë? Jo? Po nuk është vështirë, po të keni njohuri pak për jetën e fshatrave tona në vitet pesëdhjetë. Jashtë ishin tre milicë, kasneci dhe porezniku. Këtë situatë do ta kisha quajtur të papritur dhe të rëndë, së paku gjykuar sipas sigurisë së Litës i cili i pat thënë kasnecit: ” Porezniki? Punë e madhe! Le t’vaje, o Xi. Xhi do marre? Pjeshtat? Le t’i marre”!.

“Milicia”! bërtiti njëri, sapo e hapi derën Lita. “Kemi urdhër të bastisim, në emër të popullit! Nuk e keni paguar porezin”! Dhe, pa arritur ta thotë një fjalë Lita, ata ia lidhën duart. Mos të bëjë rezistencë. Dhe u futën brenda në oborr. Porezniku, policët e me ta edhe kasneci.
Të kota ishin përpjekjet dhe kërkesat e Litës që ta lirojnë, të kota ishin fjalët dhe premtimet e tij se do ta paguante sa të fitojë ndonjë para. Më së pari u futën në dhomë, ku ishte e shoqja e Litës Zizja. E ulën atë mbi çekmexhe dhe një nga milicët e mbante në shenjë me kallashnikov. Kërkuan sa kërkuan, pastaj e ngritën Zizen. Nga çekmexheja, ku ishte ulur ajo, i nxorën të gjitha teshat e Zizes, dimi, këmisha, fustane. I nxorën edhe të brendshmet e gruas, brekë dhe jelekë. I gjetën edhe disa lira në dollap.  Në fund njëri shkoi dhe ia këputi edhe zinxhirin me pesëlirshen.
Në fytyrat e tyre të egra dukej regjimi.

Pasi i mblodhën teshat, e urdhëruan kasnecin t’ia lironte duart Zizes, kurse Litën e morën me vete bashkë me teshat, të cilat i mbanin dy policë dhe pjesën më të madhe kasneci.
“Ec me ne! Nuk e ke paguar porezin!”, e urdhëruan Litën
“Ku d’e çojni”? pyeti Zizja e frikësuar në një qetësi të paparë që mbretëroi. Pyetja e saj plot frikë, e prishi qetësinë e rëndë.
Ata e shikuan shtrembër pa i thënë gjë, kurse kasneci, me barrën mbi shpinë, e kishte ulur kokën i përlotur.
“Mos u bën si gratë, o Zija potugjeri”! i bërtiti njëri nga milicët kasnecit. “Ec”! e urdhëroi.
Kasneci u mundua t’i fshijë lotët e hundën me mëngë të këmishës.
Derisa sa ecnin rrugës, njerëzit e lagjes shikonin nga dritaret, kurse në lagje shpërndahej zëri i vajit të Zizes.

Kur arritën te xhamia në mes të fshatit, u ndalën. Njëri e mbante në shenjë Litën, të tjerët nisën t’i varin teshat në murin e mejtepit, që të duken mirë e t’i shohin kalimtarët. Kasneci rrinte, ndërsa porezniku i tha me të keq:
“Hajde, çfarë po bën ti? Var tesha”! Ndërsa kasneci e ngriti kryet:
“Njo kha, ta dish majr, kto janë fjalët e fundit çi di najash pi meje. Po njo majr: boll ke ma. Kum durau xhitnauk. Kot xhi ja bojni Litës, nuk e duroj! Kot s’e shkruan ligji, po nuk e lan as Vardari. Nuk du t’kem punë me ju! Atëherë njëri nga milicët ia drejtoi kallashnikovin. “Thkee grikën e alltomatit sa t’dush! Kam gajle. Ç’tahi e mora vesht se çfarë lirie na paski prau ju”!
Milicët reaguan shpejt. E lidhën kasnecin për drurin e një qershie të egër.

Pastaj i morën Litën dhe kasnecin. Njëri nga policët i ra kasnecit me gjurin e këmbës së djathtë në vend të keq. Kasneci bërtiti nga dhembja. Ndërhyri milici tjetër me kondak duke i shkaktuar dhembje të papara dhe i gjori Xi u alivanos. Derisa e ngrehnin zharg, Lita reagonte me fjalë.
Porezniku mbeti te teshat e varura në murin e mejtepit. T’ua bëjë me dije kalimtarëve se të kujt ishin ato tesha.
Pas disa ditësh Lita u kthye. Me të shoqen, natën, e kishte braktisur shtëpinë dhe ishte larguar.
Pas shumë vjetësh fshatarët e morën vesh se kishte shkuar në Anadoll. Për Xinë thanë se kishte vdekur në një nga burgjet e shumta të asaj kohe.
Porezniku jetoi gjatë, me një pension të mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button