ANALIZË: Sektori privat “po vdes” – investimet nën akull!

Të gjitha investimet janë ngrirë, firmat luftojnë për likuiditet ditor. Bankat notojnë në para dhe do të duhet ta mbështesin më fuqishëm sektorin privat, veçanërisht tani në kushte të këtilla të paqartësisë politike e cila e rrezikon ekonominë – komentojnë një pjesë e ekonomistëve për analizën ekonomike javore të Portalb.mk. Nga grupacionet kryesore bankare thonë se firmat pothuajse fare nuk kërkojnë kredi për investim dhe ka një përmbajtje të madhe për shkak të frikës nga paqartësia. Mirëpo, një pjesë e kompanive tashmë ballafaqohen me likuiditet ditor. Në shkurt, Banka Popullore regjistroi rënie të nivelit të kreditimit të sektorit korporativ.

Kreditimi i firmave – në ngecje

Në këto momente të paqartësisë politike, kur ekonomia lufton të mbijetojë, banka duhet më fuqishëm t’i mbështesin firmat – komentojnë ekonomistët. Ne tani kemi gjendje në të cilën sektori privat “po vdes” – thotë për Portalb.mk ekonomisti Goran Rafajllovski.

“Mundem lirisht të them se të gjitha aktivitetet investuese të firmave të vendit janë ndërprerë. Ekonomia thjesht po ngulfatet dhe po vdes. Bankat duhet t’i mbështesin firmat. Pa këtë mbështetje kompanitë do të kenë gjithnjë e më shumë probleme me likuiditetin, ndërsa bankat do të vijnë në situatë që të shohin se si firmat po vdesin. Еkonomikisht nuk është e qëndrueshme që bankat për pjesën më të madhe të profiteve të mbështeten në kamatat nga letrat me vlerë. Еkonomia është duke i dërguar sinjalet se po përballemi me trende të këqija – siç është për shembull zvogëlimi i të ardhurave nga TVSH-ja, i cili është tatimi kryesor i buxhetit” – thotë konsulenti ekonomik Rafajllovski.

Edhe me fillimin e vitit ekonomik 2017, të dhënat për kreditimin e firmave nuk paralajmërojnë optimizëm. Sipas Bankës Popullore, në shkurt ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave ndaj sektorit korporativ ka qenë 2,3 miliardë euro.

“Në shkurt, te kreditë e përgjithshme të sektorit korporativ është shënuar zvogëlim mujor prej 1,2%, që në pjesën më të madhe është rezultat i ndikimit të kredive në denarë. Krahasuar në nivel vjetor, vërehet rënie kreditore prej 5,9%, që në pjesën më të madhe është rezultat i kredive të miratuara në valutë të huaj. Megjithatë, në qoftë se përjashtohet efekti nga transmetimi i kërkesave të dyshimta dhe atyre kontestuese nga evidenca e bilancit në atë të jashtëbilancit, në bazë të vendimit të Bankës Popullore, kreditë e sektorit korporativ në shkurt shënojnë rritje prej 2,1%” – thonë për Portalb.mk nga Banka Popullore.

Një pjesë e bankierëve sqarojnë se paqartësia e krizës politike tashmë u reflektua edhe në kreditimin e sektorit privat.

“Gjatë periudhës së kaluar është regjistruar kërkesë e zvogëluar e kredive investuese. Te bankat ka likuiditet, gjegjësisht ka para, mirëpo shtrohet pyetja se a ka plasman për projekte të qëndrueshme. Te kompanitë, kyçe është ajo se kreditë investuese janë në rënie, gjithçka është shtyrë për shkak të paqartësisë së krizës politike. Sa i përket kthimit ë kredive që i janë dhënë sektorit korporativ nuk ka ndryshime, gjegjësisht përkeqësim më të madh. Firmat kryesisht kërkojnë kredi për likuiditet dhe mjete qarkulluese” – komentojnë për Portalb.mk një pjesë e bankierëve që i konsultoi “Portalb”-i.

Një pjesë e grupacioneve bankare vlerësojnë se edhe përkundër asaj se BPM-ja ndërmori masa dhe bëri disa veprime për zbutjen e politikës monetare, tani për tani nuk ka kushte për t’i bërë kreditë më të lira, edhe pse nga ana e sektorit korporativ ndjehet presion për zvogëlimin e përqindjeve të kamatave.

Në kushtet e këtilla, kur bankierët përpiqen që sa më shumë që është e mundur t’i zvogëlojnë ekspozimet e rrezikshme, ndërsa firmat luftojnë për likuiditet, pasojat për ekonominë e përgjithshme do të jenë të mëdha – paralajmërojnë ekonomistët.

“Duhet njëherë e përgjithmonë të miratohet plan zhvillimor për ekonominë, në bazë të të cilit pastaj të gjitha qeveritë do të bëjnë plane afatmesme katërvjeçare. Duhet të rritet transparenca e shpenzimeve publike dhe me kujdes të menaxhohen borxhet. Është e qartë se ekonomia po hyn në një gropë të madhe, thjesht të gjitha hapat dhe planet zhvillimore janë ndërprerë. Ne tashmë një vit kemi qeveri teknike, dhe është e paqartë kur do të zgjidhjet Kryetari i Kuvendit, e pastaj edhe qeveria – e gjithë kjo sjell paqartësi të madhe, nuk e di se si nuk kuptohet se jemi duke shkuar drejt humbjes së ekonomisë” – komenton ekonomisti, Rafajllovski.

Për dallim nga kreditimi i firmave, në shkurt BPM-ja konstatoi rritje të kreditimit të popullatës.

“Kreditë e përgjithshme të amvisërive këtë muaj shënojnë rritje mujore dhe vjetore për 0,4% dhe 6,7%, respektivisht. Njëkohësisht, ndryshimet mujore dhe vjetore me tendencë rritëse janë rezultat i plasmanëve të shtuara në denarë të bankave dhe të kursimoreve te amvisëritë” – thonë nga BPM-ja.

Rritje më të madhe prej 13 për qind është regjistruar te kreditë konsumatore dhe ato për banim, të cilat mbeten kredi më atraktive për popullatën. Zvogëlim ka te kreditë për automobila. Në përgjithësi, saldoja e plasmanëve të dyshimta dhe kontestuese nuk rritet, mirëpo për shkak të paqartësisë politike, një pjesë e bankierëve sqarojnë se gjatë periudhës së kaluar janë regjistruar raste në të cilat qytetarët vonohen me pagesën e kësteve të kredive. Në fund të muajit të dytë të këtij viti, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave ka qenë 4,4 miliardë euro, ndërsa vetëm qytetarët bankave u kanë borxh 2,1 miliardë euro.

Në fund të muajit të dytë të këtij viti, qytetarët dhe firmat në banka ruajnë 5,6 miliardë euro. Amvisëritë kanë kursim më të madh se sa të gjitha firmat, gjegjësisht ato në banka kanë deponuar 3,6 miliardë euro. / Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button