BE me sanksione duhet t’u përgjigjet sjelljeve të Gjorge Ivanovit dhe Nikolla Gruevskit

Faktori ndërkombëtar vazhdimisht bën thirrje për zhbllokim të proceseve demokratike në Maqedoni, e cila do të hapte rrugën për formimin e Qeverisë së re, për t’i realizuar reformat e Pribesë dhe Marrëveshjen e Përzhinës, megjithatë partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE dhe bashkëpartiaku i tij, presidenti Gjorge Ivanov, përveç që nuk ndërmarrin hapa ndaj këtyre kërkesave, ata edhe më tej vazhdojnë ta thellojnë krizën, shkruan Portalb.mk.

Bojan Mariçiq
Bojan Mariçiq

Sipas njohësve të politikës evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ismet Ramadani, injorimi i kërkesave të faktorit ndërkombëtar paraqet element se pushtetmbajtësit aktual të Maqedonisë, duhet të sanksionohen nga faktori ndërkombëtar, ngaqë siç vlerësojnë ato, uzurpimi i institucioneve dhe pengimi i formimit të Qeverisë reformuese paraqet edhe një element shtesë bllokues në procesin euro-atlantik.

“Injorimi i kërkesave të faktorit ndërkombëtar paraqet edhe injorim i vullnetit të popullit dhe shumicës së re parlamentare me të cilën shkelet Kushtetuta dhe parimet demokratike në Maqedoni, nëse marrim parasysh se këto janë arsyet se pse faktori ndërkombëtar reagon ndaj uzurpimit të Gjorge Ivanov dhe tash Trajko Vleljanoskit në Kuvend. Ky uzurpim as nuk mund të mbarojë në të mirë po as edhe të zgjasë gjatë, ngaqë me këtë malltretohet  populli dhe vetëm shtyhen proceset, dhe për këtë do të duhet ndonjëri të jep përgjegjësi politike sepse bëhet fjalë për pengesë të dukshme të proceseve, institucioneve dhe vullnetit të popullit”, tha Bojan Mariçiq, drejtor i Qendrës për Strategji Evropiane “Evrothink”.

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ismet Ramadani nga Qendra për Integrime Euro-Atlantike thotë se mohimi i porosive ndërkombëtare për zgjidhje të krizës politike dhe formim sa më të shpejtë të Qeverisë paraqet një element se Qeveria në ikje është orientuar kah politika putiniste, ruse dhe për këtë të shqetësuar janë si Bashkimi Evropian, por edhe shqiptarët në Maqedoni.

“Kriza politike në Maqedoni e cila dita ditës shkon duke u thelluar dhe marrë përmasa destabilizuese, është brengosëse, ngaqë VMRO-DPMNE dhe presidenti Gjorge Ivanov, po mohojnë dhe kundërshtojnë të gjitha porositë që vijnë nga faktori ndërkombëtar. Por, këto porosi nuk i përfill asnjëri nga këto duke u pacaktuar të mbrojnë alternativën putiniste, ruse. Kjo ka shqetësuar si BE-në por edhe shqiptarët si shumicë në Maqedoni”, u shpreh për Portalb, Ismet Ramadani.

Sanksionet – masë për zgjidhjen e krizës

Si rezultat i zgjatjes dhe thellimit të krizës politike në vazhdimësi faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për respektim të shumicës parlamentare dhe formim sa më të shpejtë të Qeverisë.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel ZhbogarPartia Popullore Evropiane, Bundestagu, Komisioni Evropian, ministri i Punëve të Jashtme e Gjermanisë si dhe ambasadori i Francës bënë thirrje për zgjidhje të krizës politike, formim sa më të shpejtë të qeverisë me qëllim të ruatjes së stabilitetit politik, social, ekonomik dhe përparim në rrugën e integrimeve euro-atlantike, ndërkaq të njëjtat i kërkuan edhe më herët, eurokomesari, Johanes Han dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini.

Njohësit e çështjeve të politikës evropiane vlerësojnë se masa e “ndëshkimit” nuk përjashtohet me qëllim që të zhbllokohen proceset demokratike.

Mariçiq vlerëson se uzurpimi i institucioneve shtetërore dhe pengimi i formimit të Qeverisë së shumicës parlamentare nga presidenti Ivanov dhe kryetari i Kuvendit Trajko Veljanoski, mund të paraprihet edhe me marrje të sanksioneve për heqje të rekomandimit të Maqedonisë në integrimin e Bashkimit Evropian.

“Procesi integrues i Maqedonisë tashmë një kohë të gjatë gjendet në bllokadë e cila mund të pasojë edhe me heqjen e rekomandimit të Maqedonisë për integrim në Bashkimin Evropian. Por ky rekomandim është rrezikuar gjatë tri viteve të fundit dhe për të cilën Maqedonia shkon edhe në dështim më të madh dhe mund të kategorizohet e fundit në listën e shteteve demokratike. Nëse Maqedonia merr vlerësime negative në rrugën e integrimit evropian, sanksionet për to duhet të shkojnë për bartësit e pushtetit, e jo Maqedonisë si shtet”, tha Mariçiq.

Flamuri i Bashkimit Europian
Flamuri i Bashkimit Europian

Nga ana tjetër, Ramadani thotë se injorimet duhet të jenë nxitje për faktorin ndërkombëtar që të ndryshojë mekanizmat për disiplinim të bartësve të funksioneve shtetërore, ngaqë siç shprehet ai, ata paraqesin edhe bartës të krizës politike dhe institucionale në Maqedoni.

“Kjo mënyrë e veprimit qeverisë në ikje duhet të jetë një indikator për faktorin ndërkombëtar se për të pasur ndryshime në Maqedoni do të duhet të përdoren edhe mekanizma të tjerë me qëllim të disiplinimit të këtyre personave shkatërrues të vullnetit të shumicës qoftë qytetare por edhe parlamentare. Si mekanizëm disiplinues mund të konsiderohen sanksionimet ndaj bartësve të funksioneve shtetërore të cilët në një farë mënyre janë bartësit kryesor për krizën politike dhe institucionale të Maqedonisë, e cila mund të merr edhe përmasa të prishjes së sigurisë për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Gjorge Ivanovit dhe Nikolla Gruevskit”, tha Ramadani.

Ndryshe, të hënën në Shkup do të vijë kreu i Bashkimit Evropian, Donald Tusk. Nga burimet e Nova TV-së në Bruksel kuptohet se arsye e vizitës së tij është rreziku nga jostabiliteti dhe për të shmangur këtë duhet formim sa më i shpejtë i Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button