Turqia dhe Maqedonia bashkëpunim në fushën e kartografisë

Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri e Republikës së Maqedonisë dhe Komanda e Përgjithshme e Hartave pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë nënshkruan memorandum mirëkuptimi që përfshin bashkëpunimin në fushën e kartografisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar në Komandën e Përgjithshme Turke të Hartave, drejtori i Agjencisë për Kadastër dhe Patundshmëri të Maqedonisë, Sllavçe Tërpeski, shprehu kënaqësinë e të qënit në Turqi.

Duke folur për marrëveshjet e tjera paraprake të bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Turqisë, Tërpeski tha se “Kjo marrëveshje për ne është shumë e rëndësishme, sepse përmes bashkëpunimit me Komandën e Përgjithshme të Hartave do të këmbehen të dhëna dhe do të ofrohen trajnime”.

Ndërkaq, shefi i Komandës së Hartave të Turqisë, inxhinier kolonel Osman Alp, rikujtoi se Republika e Turqisë është shteti i parë që ka njohur Republikën e Maqedonisë si komb dhe me emrin e saj kushtetues pas themelimit të saj.

Alp ka tërhequr vëmendjen se që nga ajo datë marrëdhëniet mes dy shteteve janë rritur vazhdimisht, duke shtuar se për rritjen e mëtutjeshme të lidhjeve historike dhe bashkëpunimit, Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri e Maqedonisë dhe Komanda e Përgjithshme e Hartave e Turqisë do të nënshkruajnë dokumentin e bashkëpunimit në fushën e kartografisë.

“Në emër të Komandës së Përgjithshme të Hartave, dua të shprehem se jemi shumë të lumtur që me përvojën tonë 200 vjeçare hedhim hapa drejt bashkëpunimit konkret për këmbimin e të dhënave gjeografike mes dy shteteve në fushën e kartografisë, për trajnime, këshillim, transfere teknologjike dhe projekte të përbashkëta”, theksoi Alp.

Më pas drejtori Tërpeski dhe shefi i Komandës Alp nënshkruan “memorandumin e mirëkuptimit mes Agjencisë për Kadastër dhe Patundshmëri që përfaqëson Republikën e Maqedonisë dhe Komandës së Përgjithshme të Hartave që përfaqëson qeverinë e Turqisë”.

Gjithashtu theksohet se marrëveshja do të mundësojë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve aktuale mes dy shteteve në fushën e kartografisë.

Ndërkaq, ajo përfshin këmbimin e të dhënave gjeografike, trajnime, transferim të të dhënave të ekspertëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta ndërkombëtare për bashkëpunim, çështje të bashkëpunimit teknik, vizita të ekspertëve teknikë, trajnime të kartografisë dhe simpoziume dhe punëtori të përbashkëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button