“Udhërrëfyesi” i VMRO-DPMNE-së – bllokadë ndaj proceseve demokratike

Përcaktimi i pesë pikave në “udhërrëfyesin” e VMRO-DPMNE-së si mënyrë për zgjidhje të krizës, paraqet element se kjo parti do të vazhdojë me politikën retrograde që edhe më tutje të bllokojë proceset demokratike, gjegjësisht institucionet, duke penguar formimin e Qeverisë nga shumica parlamentare vetëm që e njëjta të mos shkojë në opozitë. Kështu e vlerësojnë për Portalb, publicisti Bardhyl Zaimi dhe analisti politik Albert Musliu, udhërrëfyesin e VMRO-DPMNE-së.

“Ky “udhërrëfyes” i VMRO-së me pesë pikat në esencë është një pamflet politike retrograde që përjashton legjitimitetin demokratik për formimin e një qeverie nga një shumicë parlamentare. Për më tepër është edhe një tentim për ta zhagitur formimin e një qeverie të re dhe për të improvizuar një debat të paqenë, ndërkohe që vazhdon me qeverisjen e vendit. Brenda këtyre pikave gjithashtu vërehet i njëjti diskurs i deplasuar kundër bashkësisë ndërkombëtare, kundër angazhimit miqësor të tyre për dalje nga kriza. Këto pika përfshijnë të njëjtën retorikë populiste dhe antidemokratike, retorikë nacionaliste që shqiptarët i sheh si pakicë. Është blerje kohe dhe një pamflet me logjikë izoluese”, tha Bardhyl Zaimi.

Nga ana tjetër, analisti politik Albert Musliu në përpikmëri i qaset secilës pikë të përfshirë në të, duke i krahasuar me veprimtarinë e deritanishme qeverisëse për më shumë se një dekadë të VMRO-DPMNE-së, e të cilat rezultojnë faktin e mundësisë së shkuarjes së saj në opozitë dhe humbjes së postit të kryetarit të Kuvendit.

“Përfshirja e parimit “fituesi me fituesin” në udhërrëfyesin e VMRO-DPMNE-së paraqet një përllogaritje jo të saktë të kësaj partie, ngaqë ajo do të nënkuptonte përfshirje e tërë komuniteteve varësisht përbërjes së tyre në shoqëri. Pozicionimi i komunitetit shqiptarë, pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit është ndryshe, ngaqë ai në popullatën e Maqedonisë përfshihet me më shumë se 20% dhe prandaj disa përparësi, për sa i përket të drejtave të tyre paraqesin edhe arsyen e veçimit të tyre nga komunitet tjera. Maqedonia paraqet shtet multikulturalist, kjo jo pse është e përcaktuar me Kushtetutë por se kështu është realiteti objektiv. Por, meqë VMRO-DPMNE përballet me mundësinë e shkuarjes në opozitë, principin në fjalë filloi ta promovojë që kur dështuan së kolicionuari me Bashkimin Demokratik për Integrim. Kurse sa i përket kryetarit të Kuvendit, ai nuk duhet t’i takojë partisë e cila ka fituar më së shumti në zgjedhje, por i përket atij personi i cili arrin të marrë 61 vota gjatë votimit në Parlament, dhe nëse me Kushtetutë do të përcaktohej ashtu siç supozon VMRO-DPMNE-ja, atëherë kryetari do t’i takonte asaj”, tha Musliu.

Por ai vlerëson se gjendja momentale politike dhe institucionale është barrë e VMRO-DPMNE-së, ngaqë ata kanë qenë menaxhuesit e tyre për më shumë se një dekadë, dhe se çdo anomali e paraqitur në institucione paraqet përgjegjësi e po kësaj partie.

“Udhërrefyesi” u refuzua nga LSDM, por edhe nga partitë parlamentare shqiptare, me arsyetimin se Gruevski nuk ka kredibilitet për të ofruar zgjidhje dhe se pranimi ti të njëjtës do ta thellonte edhe më shumë krizën politike dhe institucionale në Maqedoni.

Në këtë “udhërrëfyes” përfshihen pesë pika:

  • E para ka të bëjë me praktikën “fituesi me fituesin” si faktor stabiliteti në Maqedoni.
  • E dyta  se si pranohen agjendat e huaja në çështjet e brendshme politike.
  • E treta është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë e cila sipas tyre duhet t’i takojë koalicionit apo partisë politike që ka fituar në zgjedhje.
  • E katërta është çështja e barabartësisë etnike për të cilën, sipas VMRO-DPMNE-së duhet të pajtohen të gjithë aktorët politik me qëllim të mbajtjes së modelit multi-kulturor.
  • E pesta ka të bëjë me atë se, a është për momentin prioritet kryesor stabilizimi i shtetit, institucioneve, ekonomisë dhe reformave evropiane për euro- integrime si fuqi e bashkuar për të gjithë qytetarët apo të gjithë këto prioritete duhet të ndërrohen me ridefinim të raporteve mes komuniteteve dhe rregullimin e Republikës së Maqedonisë?.

Mediat në vend, “udhërrëfyesin e quajtën si dokument që çon “drejt federalizimit”, “qorr-sokakut dhe izolimit” dhe se i njëjti është ofruar “për t’u thelluar kriza”.

Derisa LSDM kërkon që të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe ta implementojë “programin qeveritar”, bashkëpartiaku i Nikolla Gruevskit, presidenti Ivanov vazhdon ta bllokojë dhënien e mandatit, deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokojnë foltoren e Kuvendit me “replika dhe kundër-replika”, ndërkaq personat e eksponuar të po së njëjtës parti vazhdojnë t’i nxisin qytetarët për të dalë në rrugë që të protestojnë kundër Platformës Shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button